Fisnik PASHOLLI
Shkup, 5 maj – Bujqësia në Maqedoni akoma vuan nga niveli i ulët i konkurrencës në tregjet e jashtme. Sipas të dhënave të Entit të statistikës, në 11 muajt e parë të vitit të kaluar kemi patur eksport prej 290 milionë euro ushqim dhe 159 milionë euro eksport të duhanit dhe pijeve, shkruan gazeta KOHA. Ndërkohë, kemi importuar ushqim në vlerë prej 500 milionë euro dhe 66 milionë euro tjera duhan dhe pije. Kjo do të thotë se kemi një minus në këmbimin tregtar të ushqimit, duhanit dhe pijeve prej 115 milion euro, në vend të eksportit të vlefshëm në së paku qindra milionë euro në ushqim dhe prodhime bujqësore. Për agronomët , shkaku kryesor pse ushqehemi me ushqim të importuar nga jashtë është prodhimtaria pa plan si dhe fakti se bujqit pak prodhojnë pemë apo perime për industrinë përpunuese, ndërsa më shumë janë të orientuar të prodhojnë për shitje në treg. Me fjalë të tjera, eksportojmë prodhime të lira bujqësore si mollët kurse importojmë prodhime të shtrenjta finale, siç janë lëngjet e mollëve.
EKSPORTI MË I SHTRENJTË SE IMPORTI
Sipas ekspertëve bujqësorë, shkalla akoma e ulët e përpunimit, gjegjësisht prodhimtaria e vogël e prodhimeve finale me teknologji të lartë është një nga problemet kryesore të konkurrencës eksportuese të kompleksit agro-industrial të Maqedonisë. “Tregues më i mirë për nivelin më të ulët të finalizimit të eksportit në raport me eksportin është fakti se ushqimi që eksportohet nga Maqedonia e ka vlerën prej 500 dollarë për tonë, ndërsa importohet ushqim për 800 dollarë për tonë. Edhe pse kemi përmirësim të butë të konkurrencës së kompleksit agro-industrial në shtet, megjithatë ai tregon një trend ngadalësues. Andaj orientimi i prodhimeve agro-industriale duhet të jetë ndaj shteteve të zhvilluara që dallohen me çmim para cilësisë, ndërsa në plan të dytë duhet të jetë orientimi ndaj shteteve më pak të zhvilluara që karakterizohen me çmimin para cilësisë”, thotë për KOHA, eksperti Goran Kovaçev. Sipas tij, nëse nuk ulet importi i prodhimeve agro-industriale nga shtetet e treta dhe nuk rritet konkurrenca e prodhuesve vendor së paku në tregun e brendshëm dhe pastaj edhe në tregjet e jashtme mund të pritet përkeqësim i bilancit tregtar.
“Potenciali eksportues i agro-sektorit në Maqedoni në tërësi qëndron tek pemët dhe perimet sidomos tek ato organike dhe përpunimet e tyre. Vreshtaria dhe prodhimi i verës dhe duhani gjithashtu kanë potencial dhe rëndësi të madhe eksportuese. Mishi i gjedhit dhe i dhisë dhe përpunimet e qumështit prej këtyre kafshëve gjithashtu kanë mundësi të madhe për eksport. Përpunimet e qumështit kanë potencial të caktuar eksportues, por vetëm me rritjen e vlerës së shtuar, rritjen e asortimanit dhe cilësisë. Maqedonia nuk ka përparësi krahasuese në prodhimtarinë e qumështit të lopës dhe mishit të gjedhit, derrit dhe pulës , andaj orientimi prodhues i tyre duhet të jetë vetëm në zëvendësimin e eksportit me prodhim vendor”, vlerëson Kovaçev. Nga ana tjetër, ai thekson se problemet me çmimet e ulëta dhe jostabile të prodhimeve bujqësore duhet të tejkalohen përmes nënshkrimit të marrëveshjeve midis prodhuesve, eksportuesve dhe përpunuesve. Duhet të mënjanohet edhe problem i pagesës së anuluar dhe vonuar ndaj bujqve përmes sistemit të kreditimit furnizues, në bazë të së cilit përpunuesit dhe tregtarët do të huazojnë mjete në bazë të mallit të magazinuar. Vlen të mendohet edhe për kultivimin e bimëve për prodhimtarinë e bio-dizelit në sipërfaqe prej 200 mijë hektarësh sa ka pasur livadhe në vitin 2007, që nënkupton prodhimin e 200 mijë tonë biodizel dhe kursimin e 100 milionë dollarëve.
Njohësit e këtij sektori vlerësojnë se sektori bujqësor-ushqimor ka potencial të madh të rritjes së eksportit përmes rritjes së eksportit të prodhimeve me vlerë të shtuar si dhe përfshirjes në ofertë për eksport edhe të llojeve të reja të perimeve dhe pemëve atraktive që kërkohen në tregjet e jashtme. Në ndërkohë, si dobësi kyçe të bujqësisë në Maqedoni theksohen ekonomitë e vogla bujqësore me kapacitete të dobëta prodhuese, niveli i lartë të parcelizimit të tokës bujqësore me qasje të kufizuar ndaj ujit, niveli i ulët i shkathtësive për menaxhim të fuqisë punëtore në bujqësi dhe popullatës rurale, përfaqësimi i dobët i racave dhe llojeve, mungesa e kapitalit vetanak, dhe qasja e vështirësuar ndaj kredive e ekonomive bujqësore , produktivitetit i ulët në bujqësi dhe industrinë ushqimore, pjesëmarrja e lartë e prodhimeve bujqësore me vlerë të ulët të shtuar.
EKONOMI TË VOGLA BUJQËSORE
Analizat tregojnë se bujqësia e Maqedonisë dominohet nga ekonomitë e vogla bujqësore që në mesatare shfrytëzojnë 1.8 hektarë tokë dhe kanë 2.1 kafshë. Sipas hulumtimit të fundit të Entit të Statistikës së Maqedonisë, në vitin e kaluar numri i përgjithshëm i ekonomive bujqësore në vend ishte 178.125, prej të cilave vetëm 280 janë të subjekteve afariste, ndërsa 177 845 ishin të bujqve individual. Statistika më tej zbardh se në Maqedoni gjithsej shfrytëzohet 320 mijë hektarë tokë bujqësore, prej së cilës 271 mijë hektarë shfrytëzohet nga bujqit individual dhe 48 mijë hektarë nga subjektet afariste. Gjithashtu nga numri i përgjithshëm i ekonomive bujqësore, 61 për qind e tyre shfrytëzojnë deri në 1 hektarë tokë bujqësore, ndërsa të gjithë fermat në vend kanë 381.361 kafshë të llojeve të ndryshme. Agronomët thonë se në Maqedoni vite me radhë dominojnë ekonomitë e vogla bujqësore në strukturën e subjekteve prodhuese bujqësore si dhe kemi copëzim të madh të tokës punuese bujqësore. Sugjerohet që në të ardhmen më shumë të punohet në rritjen e konkurrencës së ekonomive bujqësore të vogla që të ristrukturohen dhe të shndërrohen në ferma të orientuara ndaj tregut dhe jo ndaj kënaqjes në një pjesë të madhe vetëm të nevojave familjare për ushqim.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara