Fisnik PASHOLLI
Shkup, 9 shkurt – Maqedonia në shtatë vitet e fundit ka rritur për gati dy miliardë dollarë vlerën e eksportit të mallrave të saj. Në vitin 2009, vlera e eksportit ka qenë 2 miliardë e 708 milionë dollarë, kurse në vitin 2016 është rritur në 4 miliardë e 787 milionë dollarë, shkruan gazeta KOHA. Në eksport, si destinacion me 2 miliardë e 248 milionë dollarë dominon Gjermania. Në këtë shtet në raport me vitin 2009 është trefishuar eksporti prej 692 milionë në dy miliardë e 250 milionë dollarë në vitin 2016. Rritja e madhe e eksportit shpjegohet me punën e kompanive të huaja në zonat e lira ekonomike, ku vetëm në vitin 2015 , eksporti arriti 1.5 miliardë euro, ndërsa në tetë muajt e parë të 2016-ës është realizuar eksport prej zonave i vlefshëm 1.1 miliardë euro, që është afër 40 për qind e eksporti të shtetit. Në ndërkohë, afaristët përshëndesin punën e investitorëve të huaj që kanë rritur eksportin e shtetit, kanë ndikuar në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto si dhe në punësimet e reja, por nga ana tjetër thonë se pjesa kryesore e lëndëve të para janë importuar nga jashtë për t’u përpunuar në Maqedoni. Përfaqësues të biznesit vlerësojnë se për të pasur më shumë dobi nga puna e kompanive e huaja që punojnë në zonat e lira ekonomike, nevojitet që të rritet bashkëpunimi me biznesin vendor, që në vitin e kaluar ka qenë i vlefshëm vetëm rreth 50 milionë euro, me qëllim që më shumë të holla të mbeten për ekonominë vendore.
“Kur flitet për këmbimin tregtar, gjegjësisht eksportin, vështirë se mund t’i mbani të hollat në shtëpi, por megjithatë është e mjaft e rëndësishme se prej nga blihen lëndët e parë që nevojiten në procesin e prodhimit të eksportuesit. Andaj, personalisht vlerësoj se të gjithë kompanive të huaja u nevojitet që të kenë kusht që së pari të provojnë të punojnë me kompanitë e Maqedonisë. Nëse të njëjtat nuk e posedojnë standardin e nevojshëm që ju duhet atyre, atëherë duhet të sqarojnë kërkesat e tyre, ndërsa kompanitë vendore duhet të fitojnë mundësi që për një afat të caktuar kohor të adaptohen dhe të punojnë më shumë për investitorët e huaj. Atëherë, me siguri se pjesa më e madhe e të hollave nga eksporti do të mbetet në Maqedoni”, thotë për KOHA, Goran Rafajllovski, kryetar i Odës ekonomike të qytetit të Shkupit. Sipas tij, kushtet për bashkëpunimin e obligueshëm me bizneset vendore, duhet të qartësohen që në fillim të negociatave me kompanitë që fitojnë më shumë lehtësime për të investuar në Maqedoni. Nga ana tjetër, komuniteti i biznesit kërkon mbështetje më të madhe shtetërore për afaristët vendor si dhe barazimin e kushteve për investimeve e të gjitha investitorëve qofshin të huaj apo vendorë.
“Nevojitet përkrahje më e madhe për prodhimtarinë vendore, duke filluar nga subvencionet për rrymë për kompanitë prodhuese, përkrahje për pagat, për modernizimin e procesit prodhues dhe vendosjen e teknologjive të reja e kështu me radhë. Gjithashtu duhet edhe të kushtëzohen investitorët e huaj që të bashkëpunojnë me bizneset vendore”, thotë Marijana Perkovska, kryetare e Klasterit të tekstilit.
Ndryshe, viteve të kaluara, afaristët vendorë, ndër të tjera, kanë kërkuar ndihmë shtetërore në vlerë prej 30 për qind të vlerës së investimit të planifikuar, përmes lirimit nga pagesa e tatimit në fitim, tatimit personal në dhjetë vitet e ardhshme dhe kompensimet për trajnime dhe rikualifikimet e punëtorëve. Në ndërkohë, investitorët e huaj në zonat e lira truallin për ndërtimin e fabrikave e marrin me koncesion deri 99 vjet, rregullim flas të tokës ndërtimore, leje falas ndërtimore dhe kyçje pa pagesë të ujit, kanalizimit, mundësi që shtetit të marrë pjesë deri në 500.000 euro në ndërtimin e fabrikës. Fitohen edhe lehtësime fiskale, si lirim për dhjetë vjet për TVSh-në, tatimin në fitim dhe personal si dhe lirim nga pagesa doganës për import të repromaterialeve dhe pajisjeve dhe lirim nga pagesa e kompensimeve të ndryshme për punëtorët.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.