Vlera e përgjithshme e eksportit të mallrave nga Republika e Maqedonisë, në tremujorin e parë të këtij viti arrin 1.202.883 mijë dollarë amerikanë dhe shënon rritje prej 10,7 për qind në lidhje me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, bëri të ditur Enti Shtetëror për Statistikë. Vlera e mallit të importuar në periudhën e njëjtë, arrin 1.655,213 mijë dollarë amerikanë që është për 10,5 për qind më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Vlera e përgjithshme e këmbimit të mallrave me vendet e jashtme arrin 2.858.096 mijë dollarë amerikanë, ndërsa deficiti tregtar arrin 452.330 mijë dollarë amerikanë. Mbulimi i importit me eksport, në periudhën janar-mars të vitit 2017, arrin 72.6 për qind. Këmbimi tregtar për prodhime tregon se në eksport më e madhe është pjesëmarrja e katalizatorëve të bartësve me metale të çmuara ose komponimet e tyre, grupe të përçuesve për ndezje etj, për automjete, aeroplanë ose anije, feronikel dhe veshje.
Në import më së shumti janë të përfaqësuara platini dhe legurët e platinit, të papërpunuara ose pluhur, vajrat e naftës dhe vajrat e marra nga mineralet bituminoze (përveç lëndëve të para), metalet tjera nga grupi i platinit dhe legurat e tyre, të papërpunuara ose në formë pluhuri dhe energjia elektrike. Në periudhën janar-mars të vitit 2017, sipas vëllimit të përgjithshëm të këmbimit të jashtëm-tregtar, Republika e Maqedonisë më së shumti ka tregtuar me Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Greqinë, Serbinë dhe Bullgarinë.