Eksportet e naftës shqiptare ranë ndjeshëm vitin e kaluar

33

Kriza ekonomike e ka prekur ndjeshëm industrinë e nxjerrjes së naftës në Shqipëri.

Sipas të dhënave të Instat, për 11 muajt e vitit 2020, eksportet e naftës dhe nënprodukteve prekën vlerën e 21.3 miliardë lekëve ose rreth 173 milionë eurove. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, eksportet e naftës kanë rënë me 28.7%. Në pjesën më të madhe, këto eksporte konsistojnë në naftë bruto që eksportohet për përpunim në rafineri jashtë vendit.

Në sasi eksporti, rënia është me u ulët. Për 11 muaj, Shqipëria ka eksportuar gjithsej 685 mijë tonë naftë dhe nënprodukte, 8.6% më pak krahasuar me një vit më parë. Kjo tregon se rënia e eksporteve në vlerë ka ardhur kryesisht si pasojë e rënies së çmimit të lëndëve të para në tregjet ndërkombëtare, pas krizës ekonomike të lidhur me pandeminë e Covid-19.

Çmimi i eksporteve për njësi (kilogramë) gjatë 11-mujorit 2020 ra në 31.2 lekë, nga 40.2 lekë që kishte qenë në të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Efektet e rënies së çmimeve janë ndjerë edhe në ecurinë e investimeve në sektorin e industrisë nxjerrëse në Shqipëri. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se për 9-mujorin 2020, investimet e huaja direkte në këtë sektor ranë me 42% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në pjesën më të madhe, këto investime lidhen me aktivitetin e kompanive të nxjerrjes së naftës bruto, sidomos Bankers Petroleum. Burime nga kompania thanë se, nw kulmin e pandemisw, prodhimi ndaloi pwrkohwsisht dhe eksporti pothuajse u ndërpre pwr dy muaj, duke ndikuar në rënien e shitjeve jashtw. Për vitin 2021, Bankers pret që prodhimi të jetë në nivelet e 2020-s, ndërsa Spanja do të vijojë të jetë destinacioni kryesor i shitjes së produkteve, përsa kohë që rafineria vendase nuk është në punë.

Pjesa dërrmuese e naftës së nxjerrë nga kjo kompani eksportohet jashtë vendit, edhe për shkak të mungesës së kapaciteteve përpunuese në vend. Nëse përjashtojmë rieksportet (regjimin e përpunimit aktiv me porosi nga jashtë), nafta bruto është produkti kryesor që Shqipëria eksporton, në formë lënde të parë dhe pa vlerë të shtuar nga procese përpunuese.

Spanja është destinacioni kryesor, ku shkon nafta e papërpunuar (60% e totalit), pasi rafineria spanjolle CEPSA është partneri kryesor i Bankers. Eksportet e lëndëve djegëse minerale drejt  Spanjës ranë me 24% për 11 mujorin. Tkurrje shënoi dhe Kosova drejt të cilës shkon kryesisht nafta e rafinuar në vend. Në të kundërt u rritën shitjet drejt Gjermansië e Spanjës, ndonëse nga një bazë e vogël.

Rafineria më e madhe e përpunimit të naftës në Ballsh prej më shumë se një dekade ka pësuar ndërprerje të gjata të aktivitetit, për shkak të dështimit të investitorëve që e kanë menaxhuar. Puna në këtë rafineri është ndërprerë që prej vjeshtës 2019. Duke iu referuar deklaratave të ministres së Energjisë, kompania që e ka në pronësi, Allum Enteprises, ka dështuar në përpjekjet për ta rivendosur në punë. Ajo është shprehur se qeveria shqiptare po kërkon investitorë të rinj për ta operuar Rafinerinë e Ballshit. (monitor)