Eksplozivi për ministrin gjerman, “dhuratë” nga Greqia

32

Pakoja bombë që i mbërriti ministrit gjerman të Financave ditën e djeshme ishte nisur nga Greqia. Gazeta greke “Protothema” thotë se pakoja kishte emrin e zv/presidentit të partisë Demokracia e Re, partia kryesore opozitare e Greqisë, Adonis Georgiadis dhe ishte dërguar nga Greqia. “Mund të duket si shaka e keqe, por rasti është tepër serioz”, thotë gazeta. Pakoja e dyshimtë e mbërritur në postën e Ministrisë gjermane të Financave alarmoi dje autoritetet në Berlin. Ajo i ishte adresuar Ministrit të Financave Wolfgang Schauble dhe përmbante një sasi lënde plasëse. Pakoja u dallua rreth orës 10 të paradites nga autoritetet, pasi rrezet X zbuluan diçka të dyshimtë, ndërsa mund të dalloheshin telat që ndodheshin nga brenda. Sipas të përditshmes gjermane “Bild” nëse do të kishte shpërthyer, pakoja do të shkaktonte lëndime serioze në njerëz. “Protothema” thotë se analistët argumentojnë se kushdo ta ketë planifikuar këtë akt terrorist kishte në objektiv ministrin gjerman, politikanin grek dhe marrëdhëniet Gjermani-Greqi. Gazeta thotë se duhet nënvizuar se në të njëjtën ditë që u zbulua pakoja bombë në Gjermani, është vënë në objektiv vetë Georgiadis, pasi një bombë e vogël shpërtheu jashtë librarisë që ai ka në Athinë. Deri më tani askush nuk ka marrë përgjegjësinë për aktet, por gazeta greke thotë se në të shkuarën e afërt “Konspiracioni i bërthamave të zjarrit”, një organizatë anarkiste me bazë në Greqi, ka përdorur të njëjtën metodë për sulmuar objektivët e tyre.

Comments are closed.