Shkup, 28 nëntor – Në Gjykatën Penale të Shkupit në seancën e sotme për rastin “Llaskarca”, personi ekspert, Josif Qosev ka konfirmuar se në autobusin e Durmo Tursit ku më 13 shkurt të këtij viti ndodhi rasti tragjik ku jetën humbën 16 persona, ka pasur të vendosur pajisje për manipulim me shpejtësinë, njofton KOHA.
Prokuroria ka kërkuar nga Durmo Turs që Qosevit për ekspertizë t’i jepen takografët edhe të dy autobusëve të cilët kanë qarkulluar në linjën Shkup- Gostivar dhe ai në të ka gjetur pajisje për manipulim me shpejtësinë.
Qosev ka shpjeguar se me pajisjet shpejtësia ka qenë e regjistruar për rreth 15 për qind më e vogël nga ajo reale. Zaten, pajisjet për manipulim, pas fatkeqësisë, janë nxjerrë nga dy autobusët tjerë.
Në takografin gjatë kohës së fatkeqësisë është regjistruar shpejtësi për rreth 85 kilometra në orë që do të thotë, siç sqaroi eksperti, “automjeti ka lëvizur me rreth 100 kilometra në orë”.
Procesin gjyqësor e udhëheq gjykatësja Diana Gruevska-Ilievska, ndërsa, përfaqësues i aktakuzës është prokurori Darko Jakimovski, nga Prokuroria e Shkupit.
Për aksidentin akuzohen gjashtë persona. Pronari i kompanisë “Durmo Turs”, Durmish Beluli, përgjegjësi i transportit Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoill Trifunovski akuzohen për veprën penale “vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”. Nga ana tjetër të akuzuarit e mbetur Igor Gjorgjievski, Goran Dukovski dhe Jane Bovarski, të punësuar në Stacionin për kontroll teknik, ngarkohen për veprën penale “bashkëveprim në të njëjtin akt”. (koha.mk)