Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ka mbetur mision simbolik, por, përderisa të jetë në fuqi Rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara, ky mision do të ekzistojë në Kosovë, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Sipas tyre, UNMIK-u nuk është i zhveshur nga pushteti, pavarësisht që nuk e ka shfrytëzuar asnjëherë atë pushtet për të rrëzuar vendimet e institucioneve të Kosovës.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, profesor i të Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, thotë për Radion Evropa e Lirë që në aspektin politik, Rezoluta 1244 e OKB-së është tërësisht joefektive dhe UNMIK-u tashmë ka një mision mjaft të cunguar.
Sipas tij, në mënyrë efektive UNMIK-u nuk kryen asnjë punë, përveç atyre të komunikimit për çështje të sigurisë me botën e jashtme, gjë që, siç thotë ai, është pasojë e mos-konsolidimit të tërësishëm të shtetësisë së Kosovës në planin ndërkombëtar. Megjithëkëtë, Hasani thekson që, në aspektin juridik, UNMIK-u vazhdon të ekzistojë.
“UNMIK-u ekziston dhe akoma është në fuqi, sepse Rezoluta 1244 (e OKB-së) është në fuqi dhe bën pjesë në rendin juridik të Kosovës përmes Deklaratës së Pavarësisë, me të cilën Kosova kur e ka shpallur pavarësinë, në mënyrë shprehimore ka marrë zotim të njëanshëm ndërkombëtar, me të cilin respekton Rezolutën 1244, për aq sa ajo nuk bie ndesh me konceptin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Do të thotë, në këtë kuptim duhet parë aspekti juridik”, thotë Hasani.