Ekspertët e bujqësisë përshëndesin plotësimet dhe ndryshimet e pesë ligjeve bujqësore në favor të përkrahjes së prodhimtarisë bujqësore dhe ata duhet të jenë të kapshëm për opinionin dhe të lehtë për zbatim nga ana e fermerëve
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 16 maj – Ekspertët e bujqësisë përshëndesin plotësimet dhe ndryshimet e pesë ligjeve që do të jenë në favor të përkrahjes së prodhimtarisë bujqësore. Megjithatë,sipas tyre, gjatë përgatitjes së legjislacionit, ato ligje duhet të jenë qartë të definuara, të thjeshta dhe të saktësuara, me qëllim që fermerët nesër të mos ndeshen me probleme në praktikimin e tyre të përditshëm, shkruan gazeta KOHA. Këto pesë ligje që pritet të miratohen do të sjellin naftë më të lirë dhe thjeshtësojnë procedurat për pagesën e subvencioneve. Bëhet fjalë për Ligjet për bujqësi dhe zhvillim rural, për gjueti dhe peshkatari, për konsolidimin e tokës bujqësore, dhe ligji për farat dhe fidanet e bimëve.
Të gjitha këto ligje që hynë në fuqi pas shpalljes në fillim të muajit maj në gazetën zyrtare, pritet të mbështesin edhe më shumë zhvillimin e bujqësisë , si dhe të sjellin përfitime të ndryshme për bujqit.
Me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për tokën bujqësore, do të zyrtarizohet vendosja e masës së kofinancimit të harxhimeve për blerjen e naftës për mekanizim bujqësor. Pritet që mbi 54 mijë ekonomi bujqësore që i kanë të evidentuara tokat bujqësore në Regjistrin e ekonomive bujqësore të Ministrisë së Bujqësisë, të fitojnë karburant më të lirë për traktorët dhe makinat e tjera bujqësore . Me këtë masë të vlefshme mbi pesë milion euro do të ulen edhe harxhimet e prodhimtarisë bujqësore.
Një ligj tjetër që do lehtësojë punën e fermerëve, është edhe anulimi i kushtit për borxhet e paguara ndaj Drejtorisë për të Ardhura Publike për fitimin e subvencioneve, që në vitet e kaluara ishte pengesë për pagesën e subvencioneve. Këto ndryshime kanë një rëndësi të veçantë për pagesën me kohë të subvencioneve, siç është edhe pagesa e ndihmës financiare shtetërore , për duhanit për vitin 2017, që pritet të realizohet brenda këtij muaji. Me shpalljen e në gazetën zyrtare në fillim të muajit maj të ndryshimeve të Ligjit për bujqësi dhe zhvillim rural, krijohen kushte për pagesën me kohë të subvencioneve brenda muajit maj të duhanit.
Bashkimi i tokave bujqësore gjithashtu paraqet një nga prioritetet e Ministrisë së Bujqësisë. Me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për konsolidimin e tokës bujqësore, do të mundësohet realizim efikas i tërë procesit të konsolidimit, apo të projektit të filluar në vitet e kaluara të bashkimit të tokës bujqësore. Gjithashtu, me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për farat dhe fidanët e bimëve , parashikohen ndryshime në aspektin e prodhimtarisë, tregtisë dhe regjistrimit të materialeve të farave dhe fidanëve. Ndryshimet e legjislacionit, ndër të tjerash do të mundësojë mbrojtjen e sortave autoktone dhe vendore të farave dhe fidanëve të bimëve.
Nga ana tjetër, njohësit e fushës së bujqësisë thonë se ndryshimet ligjore në parim , çdo herë miratohen dhe përgatiten për të avancuar prodhimtarinë bujqësore dhe për të përkrahur zhvillimin rural, por shtojnë se ligjet duhet të jenë të kapshme për opinionin dhe të lehta për zbatim nga ana e fermerëve.
“Nuk ka ndonjë dëm nga miratimi i legjislacionit , për shkak se të gjitha ligjet që miratohen në favor të zhvillimit të bujqësisë në parim janë të mira, ndërsa ato harmonizohen edhe me legjislacionin e Bashkimit Evropian . Mirëpo duhet pasur kujdes gjatë zbatimit të tyre në praktikë, me qëllim që ndryshimet dhe plotësimet ligjore të jenë qartë të definuara , të thjeshta dhe të saktësuara që të mund fermerët të kenë dobi maksimale prej tyre“, thekson për KOHA, Anakiev.
Sipas tij, duhet pasur kujdes gjatë përgatitjes së legjislacionit në sferën e agrarit, që të ato të jenë qartë të definuara , të thjeshta dhe të saktësuara , me qëllim që fermerët nesër të mos ndeshen me probleme në praktikimin e tyre të përditshëm.
Ndryshe, hulumtimet e ndryshme tregojnë se fermerët dobët i njohin ligjet që kanë të bëjnë me veprimtarinë bujqësore. Gati 46 për qind e bujqve e njohin Ligjin për bujqësi dhe zhvillim rural , 7 për qind janë mirë të njohur me këtë ligj, ndërsa vetëm 3 për qind i zotërojnë shumë mirë vendimet e ndryshme ligjore, tregojnë hulumtimet në teren të koalicionit “Zhvillimi Rural”. (koha.mk)