Romë, 17 shtator – Telefonat celularë mund të transmetojnë koronavirusin, sugjeron hulumtimi i kryer në Universitetin Italian “Tor Vergata” në Romë.
Hulumtuesit, të udhëhequr nga profesori Xhanloreto D’alo kanë zbuluar se 93 për qind e studentëve që janë në praktikë në repartet e spitalit shfrytëzojnë telefonat celular gjatë punës së tyre, ndërsa vetëm 16 për qind kanë konfirmuar se gjatë kësaj mbajnë doreza mbrojtëse.
Hulumtimi u krye gjatë dy viteve shkollore, 2018-2019 dhe 2019-2020, dhe të dy herë u konfirmua se shumica dërrmuese e të anketuarve gjatë qëndrimit të tyre në repartet me pacientë përdorin telefona celularë, pa përdorur doreza mbrojtëse ose duke ndryshuar doreza pas përdorimit të celularëve.
Vetëm tre për qind e të anketuarve kanë konfirmuar se i dezinfektojnë telefonat e tyre celular çdo ditë.
“Këto zakone, duke përdorur celular në repartet ku janë pacientët, mund të përmbysin efektet e procedurave të dezinfektimit që pësojnë personeli mjekësor në kontakt me pacientët, pasi duart, megjithëse janë dezinfektuar më parë, mund të bëhen burim, domethënë bartës i virusit për shkak të mikroorganizmave që grumbullohen në telefona”, tha profesori Xhanloreto D’Alo.
Autorët e studimit sugjerojnë që celularët të pastrohen rregullisht dhe mjafton të përdorni peceta të njomura në një solucion prej të paktën 70 për qind alkool.
Rezultatet e studimit janë botuar në revistën mjekësore “Mjekësia e udhëtimit dhe sëmundjeve infektuese”.