Shkup, 12 shkurt – Banka Popullore e Maqedonisë të premten do të jetë organizatore e konferencës ndërkombëtare në të cilën do të marrin pjesë folës eminentë, të rëndësishëm për tregjet financiare botërore. Mes tyre janë Benoa Kere, një nga gjashtë anëtarët e përhershëm të Bankës Qendrore Evropiane, Tao Xhang, zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Luiz Avazu Pereira da Silva, zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Bankës së Shlyerjeve Ndërkombëtare (BIS). Është paralajmëruar prania edhe e guvernatorit të Bankës Qendrore të Islandës dhe të zëvendësguvernatorëve të bankave qendrore të Çekisë dhe Lituanisë, si dhe të përfaqësuesve nga koorporata më e madhe financiare për menaxhim me mjete financiare në botë BllekRok.
Nga Banka Popullore thonë se kjo është mundësi e rrallë për Maqedoninë dhe se bëhet fjalë për ngjarje globale në të cilën elita botërore financiare do të bisedojë për sfidat globale. Janë ftuar rreth 200 mysafirë prej të cilëve 80 janë nga jashtë.
Konferenca do të ndahet në katër sesione, ndërsa qëllimi është të bëhet vlerësim i gjendjes rrjedhëse dhe të pikëpamjeve të ardhshme të ekonomisë globale.
Në sesionin e katërt do të flasin edhe ministri i Financave i Maqedonisë, Dragan Tevdovski dhe kolegu i tij bullgar, Vlladisllav Goranov.
Konferencën e organizon BPRM në bashkëpunim me Komitetin për Transformim të Brenton Vuds.