Qefser ABDYLI
Shkup, 29 prill – Ekskursionet e shtrenjta shkollore dhe dallimet në çmime për ekskursione nga shkolla në shkollë, janë vetëm një pjesë e problemeve me të cilat ballafaqohen prindërit, duke i përmendur drejtorët e shkollave si përgjegjës për këtë situatë, shkruan gazeta KOHA. Ndërkaq, drejtorët kategorikisht i hedhin poshtë këto pretendime, duke sqaruar se ata janë plotësisht të përjashtuar nga vendimi për ekskursione dhe i referohen rregullores për organizimin e ekskursioneve të përgatitur nga ana e Ministrisë së Arsimit. Pothuajse, të njëjtat akuza dhe përgjigje për çdo vitë përsëriten gjatë periudhës së ekskursioneve shkollore, por duket e pamjaftueshme që gjërat përfundimisht të bëhen të qarta dhe prindërit të fillojnë t’i përcjellin dhe t’i mirëpresin fëmijët e tyre të çliruar nga mendimi se përdoren për përfitimin e dikujt.
Për prindërit, përveç që ekskursionet janë shumë të shtrenjta nëse merren parasysh çmimet e transportit individual dhe për akomodim në destinacionet përkatëse, është e palogjikshme edhe ajo se çmimet dallojnë nga shkolla në shkollë sa i përket organizmit të ekskursioneve.
“Duhet të ketë rend në komisionin ku sillen vendime për atë se cili ekskursion do të realizohet. Thjesht, nuk mundet në këtë mënyrë të na marrin paratë, ndërsa për atë të vendosin të tjerët. Si është e mundur ekskursion dyditor në Ohër të paguhet tre mijë denarë? Ndërsa edhe në Strugë ekskursioni treditor gjithashtu të kushton tre mijë denarë. Si është e mundur dy apo tre ditë ekskursion të ketë të njejtin çmim? Cila është logjika?”, thotë nëna e një nxënësi i cili duhet të shkojë në ekskursion. Sipas saj, si dhe sipas shumicës të prindërve, drejtorët e shkollave janë ata të cilët vendosin për atë se cila ofertë do të zgjidhet për realizim. “Drejtorët kanë miq dhe sipas këtij principi i zgjedhin ofertat. Edhe pse ndoshta nuk janë më të lirë, megjithatë lidhja miqësore ndihmon në sjelljen e vendimit”, thotë një prind i një nxënësi të klasës së pestë në një shkollë të Shkupit. Ndërkaq, drejtorët i hedhin poshtë pretendimet e tilla. “Unë nuk marrë pjesë në vendosjen e ofertës, sepse në fund faji gjithmonë bie mbi mua. Gjithmonë ka prindër të cilët nuk janë të kënaqur me ofertën, por edhe pse për ofertën vendos komisioni i përbërë nga mësimdhënësit të cilët shkojnë në ekskursion dhe nga përfaqësues të Këshilllit të prindërve.
Ligji i rregullon procedurat e tilla. Zgjidhet oferta më e lirë dhe jo oferta më cilësore. Prindërit në vend se të shqetësohen për atë se nuk zgjidhet cilësia, ata janë të shqetësuar për çmimin, ndërsa nuk pyesin se çfarë do të hanë fëmijët e tyre atje”, thotë drejtoresha e një shkollë fillore në Shkup. Ajo thekson se vendimin e sjellin vet prindërit. “Bëhet fjalë për shpallje të cilin e publikon shkolla, në emër të prindërve, dhe ku paraqiten firma të interesuara. Prej të gjithë atyre, në mënyrë transparente, para komisionit të përbërë nga prindërit e fëmijëve dhe një pjesë e mësimdhënësve të cilët do të shkojnë, zgjidhet oferta më e lirë. Prindërit kanë të drejtë për t’u ankuar, por ligji i mbron ofertuesit e tillë si më të lirë. Nëse nuk zgjidhet firmë transportuese me ofertë më të lirë, shkolla do të paditet dhe do të duhet firmës t’i paguaj dëmet”, sqaron drejtoresha. Ajo thekson se dallimet në çmime janë për shkak të asaj se në çdo shkollë ofertat janë të ndryshme. “Nëse një firmë ka konkuruar për ekskursion, për shembull, në shkollë në Qendër, ajo nuk do të konkurojë për ekskursion që organizohet në shkollën në Aerodrom, gjegjësisht atje me të njejtën ofertë do të paraqitet tjetër firmë. Firma nga Qendra ka pasur një çmim për ekskursion për shembull në Ohër, ndërsa firma nga Aerodromi ka pasur tjetër çmim. Nga të gjithë ofertat që kanë arritur në dy shkollat, ofertat e atyre dy firmave kanë qenë më të lira dhe si të tilla janë përzgjedhur në konkurs. Ajo i habitë prindërit dhe për këtë arsye shfaqet revoltë tek ata. Drejtorët nuk kanë asnjë lidhje me ofertën, përcjell KOHA, sepse ata as nuk marrin pjesë, ndërsa ligji thotë se oferta më e lirë fiton. Edhe nëse dikush ka lidhje, kot është, sepse firmat tjera mund të ankohen edhe kur të hapet hetim dhe do të konstatohet se ka ofertë tjetër më të lirë, atëherë do të paditet shkolla, ndërsa askush nuk e dëshiron këtë”, sqaron ajo.
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thonë se ekskursionet shkollore janë përcaktuar me programin vjetor për punë në çdo shkollë, të përgatitur nga këshilli i shkollës dhe i miratuar nga themeluesit e shkollave, gjegjësisht komunat përkatëse. “Bëhet fjalë për aktivitete të parapara me Ligjin për arsim fillor dhe të mesëm dhe për organizimin dhe ekzekutimin e të cilëve Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka miratuar rregulloren me të cilën përcaktohet mënyra e udhëheqjes. Ekskursionet mund të organizohen me kohezgjatje prej një deri në tre ditë dhe mund të realizohen nëse 30% e prindërve japin pëlqim fëmijët e tyre të shkojnë në ekskursion. Për nxënësit të cilët nuk marrin pjesë në ekskursion, shkolla ka për detyrë të organizojë mësimin”, informojnë nga MASH. Nga aty theksojnë se procedura për zgjedhjen e subjektit juridik i cili do të realizojë ekskursionin e nxënësve, në emër të prindërve e miraton komisioni i formuar me vendim të këshillit të shkollës, i cili publikon konkurs publik për mbledhjen e ofertave së paku në dy media të shtypura dhe në shkollë. “Komisioni është i përbërë nga pesë anëtarë, tre anëtarë nga këshilli i prindërve të gjeneratës e cila kryen ekskursionin dhe dy anëtarë nga rradhët e mësimdhënësve. Kryetar i komisionit është njëri nga anëtarët e komisionit prej këshillit të prindërve. Kriter për marrëveshje për realizimin e ekskursioneve dhe aktivitete të tjera është çmimi më i ulët i ofertës”, informojnë nga MASH. Ata shtojnë se nëse ndonjë prindër ka dyshime në zbatimin e procedurës, ekziston mundësi të paraqitet ankesë deri te Inspektorati Shtetëror i Arsimit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara