Vedat MEMEDALIU
Shkup, 26 mars – Përveç raportit të Shërbimit Ushtarak të Maqedonisë, është edhe një raport i NATO-s, i cili nuk është marrë parasysh nga punonjësit e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim si dhe nga Prokuroria që zhvilluan hetimet mbi vendosjen e minës në Sopot, shkruan gazeta KOHA.
Shpërthimi i minës antitank që ndodhi më 4 mars të vitit 2003, diku rreth orës 17:30, la të vdekur ushtarët polak Pavel Leginski dhe Fjodor Nikulovski dhe civilin Krunisllav Kiprijanovski, ndërsa e plagosur rëndë mbeti përkthyesja nga Shkupi, Poliskena Filipovska. Automjeti xhip me të cilin po udhëtonin viktimat kishte shkelur me rrotën e majtë në minë dhe ishte shkatërruar i tëri.
Por, pavarësisht se ky akt terrorist kishte ndodhur në Maqedoni, edhe NATO kishte zhvilluar hetimet e veta. Pas mbledhjes së informative, ata përpilojnë një Raport të cilin ua dorëzojnë partnerëve maqedonas. Aty, mes tjerash thuhej se posedojnë dëshmi të siguruara nga burime të veta se minën e kanë organizuar dhe vendosur dy banorë të një fshati kufitar, të cilët edhe më parë kanë qenë të njohur për policinë maqedonase për veprat e tyre kriminale.
Raporti i NATO-s kishte hedhur poshtë mundësinë që 11 të akuzuarit nga Sopoti, janë autorët e vënies së minës. Edhe këtë informatë, prokurorët dhe hetuesit e Shërbimit Sekret të Maqedonisë (DSK) nuk e përfillin sikurse kishin vepruar me Raportin identik të Shërbimit Sekret të Armatës së Maqedonisë, ku qëndronin thuajse të njëjtat pretendime.
5 BOMBA PËR 7 MUAJ
Në një periudhë prej 7 muajsh, në Kumanovë me rrethinë kishin ndodhur pesë akte terroriste. E para ishte para gjimnazit “Goce Dellçev” më 25 dhjetor të vitit 2002, kur bomba ishte kurdisur të shpërthejë gjatë pushimit të madh të nxënësve. Fati që zilja e shkollës ishte aktivizuar me pak vonesë dhe u shmangën viktimat në mesin e nxënësve. Megjithatë, me këtë rast jetën e humbi një kalimtar i rastit. Hetimet vërtetuan se mjeti shpërthyes ishte vendosur në një kontejner afër shkollës, ndërsa aktivizimi i tij ishte bërë nga një telefon celular Nokia 3310.
Dy javë pas shpërthimit në Sopot, më 17 mars 2003,në afërsi të fshatit Vaksincë, në hekurudhën ndërkombëtare Beograd-Athinë, shpërtheu edhe një minë duke shkaktuar për një kohë ndërprerjen e komunikacionit në këtë relacion. Një sulm tjetër i ngjashëm me bombë kishte ndodhur mëngjesin e 5 qershorit 2013 në sheshin e qytetit në Kumanovë. Tre persona fituan lëndime të lehta, ndërsa u dëmtuan disa banesa.
Për gjithë këto raste pati disa të arrestuar, në mesin e tyre edhe gazetari Agim Behluli, i cili u dënua me 7 vjet burg, nën akuzën se kishte qenë përkrahje logjistike e “terroristëve”. Agimi vuajti dënimin 6 vjet, ndërsa të gjithë dëshmitë e palës mbrojtëse tregonin se ishte i pafajshëm dhe se nuk kishte lidhje me veprën me të cilën ngarkohej. Madje, pjesën më të madhe të të akuzuarve, Agimi i njohu për herë të parë në gjyq.
Por, një prej personave të akuzuar dhe të dënuar ishte edhe Xhemail Hyseni nga fshati LLojan, i njohur me nofkën Xhejmi Shej, sipas zëdhënësit legjendar të NATO-s gjatë luftës në Kosovë.
Këtë person, atë kohë e kishte vizituar në burg edhe ekipi i gazetarëve të emisionit “KOD”, ku i njëjti kishte pretenduar se është i pafajshëm për veprën me të cilën ishte ngarkuar – “minën në hekurudhë”, duke u arsyetuar se është viktimë e shkrimeve të mediave. Gjatë kësaj interviste, Xhemail Hyseni kishte hedhur poshtë pretendimet e gazetarëve se është bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete. Pas vuajtjes së dënimit, besohet se “Xhejmi Shej” është larguar nga Maqedonia në një prej vendeve fqinje.
HETIMET E REJA
Pas zhvillimeve të fundit me lirimin nga akuza e 11 personave të fshatit Sopot, njeriu i parë i Prokurorisë Speciale të Maqedonisë (PSM), Katica Janeva, tha para gazetarëve se hetimet e reja po shqyrtojnë teori tjera nga ato që deri tani i ka ndjekur DSK, duke i akuzuar 11 persona të pafajshëm. Ajo theksoi se në këtë kuadër janë duke zhvilluar aktivitete të caktuara të bashkëpunimit ndërkombëtar, në mesin e tyre edhe me një vend fqinj.
Ajo nuk ka precizuar nëse është duke u kërkuar përgjegjësi të punëtorët e DSK-së, të cilët në mënyrë joprofesionale kanë zhvilluar hetimet, me ç’rast me përdorimin e dhunës ndaj Ramadan Bajramit, kanë përpiluar aktakuzën kundër 11 personave të fshatit Sopot, të cilët padrejtësisht u dënuan me mbi 150 vjet burg. Edhe Avokati i Popullit ka ngritur zërin duke shprehur habi pse punëtorët e DSK-së kanë zhvilluar këto hetime, të cilat pastaj janë marrë si të gatshme nga Prokuroria dhe gjykatat e vendit, pa insistuar në sigurimin e dëshmive plotësuese për të dëshmuar fajësinë e të akuzuarve për 15 vjet rresht.
Zhvillimet e reja rreth rastit të Sopotit janë duke u përcjellë më vëmendje edhe nga ambasada polake në vend. Ata kërkojnë të respektohet sakrifica e ushtarëve të tyre Pavel Leginski dhe Fjodor Nikulovski që humbën jetën gjatë shpërthimit të minës. Zyrtarët e Ambasadës së Polonisë i kanë rikujtuar Maqedonisë se zbulimi i të vërtetës, dënimi i fajtorëve dhe respektimi i kujtimit për viktimat e rastit tragjik të vitit 2003, është detyrë dhe obligim i sistemit të pavarur gjyqësor të Republikë së Maqedonisë. “Ne jemi duke e ndjekur rastin dhe presim zhvillimet e mëtutjeshme”, kanë thënë nga kjo ambasadë për mediat. (koha.mk)