Vedat MEMEDALIU
Shkup, 24 mars – Një nga organet e sigurisë së Maqedonisë (Shërbimi Sekret i ARM-së, i cili në mënyrë kronologjike ka përshkruar tërë ngjarjen) i ka evidentuar të gjitha rrethanat e shpërthimit të minës në Sopot, më 4 mars të vitit 2003, me ç’rast jetën e humbën dy ushtarë polak të KFOR-it dhe një përkthyes nga Maqedonia, shkruan gazeta KOHA.
RAPORTI USHTARAK
Ekziston një raport i Shërbimit sekret të ARM-së, i përpiluar menjëherë pas shpërthimit të minës në Sopot, i cili po të ishte marrë parasysh menjëherë, kjo ngjarje do të kishte epilog krejt tjetër. Sot, fajtorët e vërtetë për këtë akt terrorist do të ishin në burg, ndërsa banorët e Sopotit nuk do ta përjetonin ferrin që gjatë këtyre 15 viteve e paguan me disa vite burg dhe një viktimë.
Sipas burimeve konfidenciale të gazetës KOHA, ky raport është fshehur qëllimisht nga presioni i Drejtorisë për Zbulim dhe Kundërzbulim (DSK-së), me të vetmin qëllim – të shpëtojnë kryerësit e veprës dhe ta pësojnë banorët e pafajshëm të fshatit Sopot. Mbi ekzistimin e këtij raporti sekret kanë pasur njohuri disa funksionarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes në të kaluarën, por edhe zyrtarë tjerë të shtetit.
KRONOLOGJIA E NGJARJES
Në afërsi të vendit të ngjarjes ku shpërtheu mina, ARM ka pasur atë kohë një karakoll ushtarak, prej nga janë vëzhguar edhe lëvizjet e njerëzve dhe aktivitetet e ndryshme në atë rajon. Gazeta KOHA mëson se ushtarët e ARM-së kanë raportuar që në fillim të kenë dëgjuar një të shtënë me armë zjarri, që sipas të dhënave tona, duhet të ketë qenë momenti kur dy personat që vendosën minën, janë zënë me njëri-tjetrin, zënkë kjo që ka eskaluar me plagosjen në këmbë të njërit prej tyre.
Ushtarët kanë raportuar se pak më vonë në ditën kritike, kanë dëgjuar edhe një shpërthim, që duhet të ketë qenë momenti kur ushtarët polak me automjetin e tyre kanë shkelur mbi minën e montuar në rrugë. Pas kësaj, në drejtim të karakollit kanë shkuar dy persona, për të raportuar se kanë parë një automjet të KFOR-it duke u djegur. Pikërisht këta persona, sipas informatave të gazetës KOHA, janë vetë kryerësit e veprës, për të cilët kemi shkruar dje, të cilët kanë ikur dhe që disa vite me radhë jetojnë të sigurt jashtë vendit.
MIJALLKOV: EDHE BUÇKO KA THËNË SE PO NDJEKIM NJERËZ TË PAFAJSHËM
Moment i ri në këtë hetim të gazetës KOHA është se në këtë ngjarje mund të jetë përfshirë edhe një person i tretë, i cili ka shërbyer si logjistikë. Këtë e dinë edhe institucionet relevante në këtë shtet. Megjithatë, ky raport nuk ka arritur të shohë dritë asnjëherë, bile as në Komisionin parlamentar që u formua për t’u rishqyrtuar procedura hetimore dhe gjyqësore nga fillimi deri në fund. Ky dokument ishte fshehur nga deputetët, anëtarë të këtij Komisioni.
Duket se këtë dokument e ka parë edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Vllado Buçkovski, i cili përmendet në një bisedë telefonike në “bombat” e Zaevit, në mes të Gordana Jankullovskës dhe Sasho Mijallkov, kur ky i fundit në një moment thotë: “Edhe Buçko ka thënë se po ndjekim njerëz të pafajshëm”.
DEVIJIMI I HETIMEVE
Në vend që hetuesit t’i marrin në konsideratë të dhënat e raportit të përpiluar atëherë nga Shërbimi Ushtarak i Maqedonisë, punonjësit e lartë të DSK-së i kanë dhënë kahe tjetër hetimeve. Dy personat e përmendur në raportin në fjalë, asnjëherë nuk janë marrë në pyetje nga policia e Maqedonisë. Për këtë shkak, njëri prej tyre menjëherë është larguar drejt Francës, ndërsa tjetri edhe një kohë të gjatë ka qëndruar në Maqedoni, për të ikur pastaj në Kosovë, ku burgoset dhe për disa vite mbahet në burgun Bonstill të KFOR-it.
I njëjti më vonë ekstradohet në Maqedoni ku vuan dënimin për disa vepra tjera terroriste. Pas lirimit nga burgu, ai shpërngulet në një shtet fqinj ku gjendet edhe sot. Ajo që vlen të theksohet është se implikimin e këtij personi në rastin e Sopotit e ka vërtetuar edhe bashkëshortja e saj, e cila në vitin 2009, këtë e ka dëshmuar para organeve kompetente në Maqedoni. Asnjë nga këto fakte nuk janë marrë parasysh nga tetë punonjësit e DSK-së, që sipas informatave tona, kanë qenë të përfshirë në hetimet e këtij rasti.
Ata kanë zgjedhur që hetimet të marrin kahe tjetër dhe kështu ka ndodhur, duke keqtrajtuar Ramadan Bajramin, të cilin e kanë arrestuar dhe ia kanë bastisur shtëpinë disa herë, para dhe pas shpërthimit të minës, madje edhe në kohën kur ky ka qenë në paraburgim, me të vetmin qëllim që ti bëjnë presion plotësues për të mos e ndryshuar deklaratën e dhënë si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tij. (koha.mk)