Bujar KURTAJ
Shkup, 31 janar – Nderim Nexhipi edhe zyrtarisht ka arritur marrëveshje me skuadrën e Dritës nga Gjilani me të cilën do të luajë deri në muajin maj. Mesfushori shkupjan gjatë ditës së sotme në Durrës, ku skuadra e Dritës ështe duke i zhvilluar përgatitjet dimërore, ështe takuar me kryetarin e klubit Valon Murseli dhe pas arritjes së marrëveshjes, është prezantuar me fanellën e tij të re.
Ndryshe, gazeta KOHA mëson se Nexhipi do të behët futbollisti më i shtrenjtë në Kosovë, ku do të merr 20 mijë euro për katër muaj (sezoni përfundon në muajin maj), që është një shifër rekord në kampionatin kosovar. Me këtë përforcim, Drita s’ka dyshim se ka sjell një përforcim të madh, i cili do ti ndihmojë ekipit drejt realizimit të objektivave.
Vlen të përmendet se në kampionatin e Shqipërisë, Nderimi njihej si ‘lojtari i derbive’ pasi gjithmonë shënonte në përballjet që ish-skuadra e tij Partizani i luante me rivalin e saj Tirana. Derisa, mbetet të shihet se a do të vazhdojë të jetë vendimtar mesfushori shkupjan edhe në përballjen derbi mes dy rivalëve të mëdhenj Drita dhe Gjilani.
Kujtojmë, Nexhipi së fundmi ishte pjesë e Korabit, ndërsa gjatë karrierës së tij ka luajtur për shumë klube të njohura evropiane, pastaj në Shqipëri dhe kampionatin e Maqedonisë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.