EKSKLUZIVE: Kjo është Deklarata që sot pritet të firmoset nga liderët shqiptarët (DOKUMENT)

Shkup, 7 janar – “Arritja e barazisë ekonomike dhe e mirëqenies shoqërore, sidomos nëpërmjet zhvillimit të barabartë rajonal, krijimi i një mekanizmi të ri në formën e një Komisioni shtetëror për financimin e komunave, për një vendimmarrje më të drejtë dhe miratimin me shumicën e dyfishtë për grantet qeveritare në përfitim të komunave…”, shkruan Deklarata, të cilën ekskluzivisht publikon gazeta KOHA, ndërsa e arritur më 29 dhjetor në Tiranë në mes liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, atij të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, Ziadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët dhe Fadil Zendeli, njëri nga kryetarët e RDK-së, takim ky që u realizua me ndërmjetësim të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Që në pikën e parë të Deklaratës, mes tjerash katër liderët shqiptarët bien dakord që të respektojnë vullnetin e lirë dhe demokratik të votuesve shqiptarë në zgjedhjet e fundit.

“Duke respektuar vullnetin e lirë dhe demokratik të votuesve shqiptarë, në frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe nevojës për të përmbushur detyrimet që rrjedhin nga ndryshimet kushtetuese, të përcaktuar pa asnjë alternativë tjetër për integrim në NATO dhe në BE, biem dakord për përkrahje të ndërsjellë të agjendës së përbashkët politike që parashikon realizimin e objektivave që vijojnë në mandatin e ardhshëm qeverisës dhe në çdo mandat tjetër pasues”, nis Deklarata e arritur nga katër liderët shqiptarë.

Veç kësaj, Deklarata obligon partitë shqiptare për përfaqësim të drejtë në organet e sigurisë-policisë dhe në ato të drejtësisë. Gjithashtu, vend të rëndësishëm ka zënë edhe financimi i kulturës dhe aktiviteteve kulturore shqiptare, si në nivelin lokal, ashtu edhe në atë qendror.

Advertisements

Madje, kërkohet edhe krijimi i një institucioni qendror për avancimin e gjuhëve të komuniteteve, i cili do të sigurojë përgatitjen e përkthyesve, redaktorëve dhe lektorëve. (koha.mk)

© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.