EKSKLUZIVE: Kërkesa e banorëve të fshatit Livadhi të Strugës drejtuar Gligorovit

Banorët e Livadhisë ndër të tjera kërkuan që në ato komuna ku jetojnë shqiptarët, gjuha shqipe të trajtohet në mënyrë të barabartë, sikurse edhe gjuha maqedonase, përkatësisht në këtë komuna të dy gjuhët të përdoren si shtetërore pa majorizimin e njërës apo tjetrës

232

Nga Qerim LITA

Të premten e kaluar shpalosëm dokumentin, përkatësisht kërkesën e banorëve të fshatit Negotinë të Gostivarit, dalë nga tubimi i qytetarëve të organizuar më 29 mars 1991, përmes së cilës veç tjerash u kërkua ndërprerja e menjëhershme e politikës diskriminuese të udhëheqjes së atëhershme “pluraliste” të RS të Maqedonisë kundër kombit shqiptar, i cili diskriminim shtrihej si në aspektin nacional (asaj kohe shqiptarët emërtoheshin si “pakicë nacionale” apo “minoritet”), po ashtu edhe në atë arsimor, kulturor, ekonomik etj. Tubime të tilla u mbajtën anë e mbanë vendbanimeve shqiptare, në të cilat u kërkua ndërprerja e menjëhershme e fushatës antishqiptare, e cila asaj kohe zbatohej jo vetëm nga strukturat udhëheqëse politike e shtetërore, por edhe nga mjetet e informimit në gjuhën maqedonase, qofshin ato elektronike apo të shkruara. Këta të fundit nuk zgjidhnin mënyra e mjete për t’i ofenduar shqiptarët, duke i emërtuar si “shiptari”, “nacionalistë”, “separatistë” e shumë etiketa e ofendime tjera, të cilat preknin rëndë në sedrin e krenarinë e çdo shqiptari. Tërë ajo fushatë mediatike maqedonase, burimit e kishte te struktura më e lartë shtetërore. Në këtë numër po e shpalosim, kërkesën e banorëve të fshatit Livadhi, drejtuar kryetarit të RS të Maqedonisë, Kiro Gligorov, kryetarit të Kuvendit të RSM-së, Stojan Andov, nënkryetarit të RS të Maqedonisë, Xheladin Murati, kryeministrit, Nikolla Klusev dhe anëtarit të Kryesisë së RSFJ-së, Vasil Tupurkovski. Dokumenti prej 17 pikash, doli nga tubimi i qytetarëve, i mbajtur më 18 mars të vitit 1991, dhe se për të, siç thuhet, në mënyrë plebiscitare janë deklaruar të gjithë qytetarët e fshatit Livadhi.

* * *

“Ofendimet e rënda që po u shkaktohen shqiptarëve në kohë të fundit, në Komunën e Strugës e më gjerë përmes shtypit ditor – radios e televizionit, gjithashtu edhe nga partitë e ndryshme, qarqe të caktuara si (lidhja e luftëtarëve) etj., në mënyrë energjike si dhe të ofenduar rëndë i hedhim poshtë si të pabazuara e qëllimkëqija, qofshin për shkak krizës ekonomike – politike dhe përkeqësimit të marrëdhënieve ndërnacionale në republikën tonë, fajtor më së paku është kombi shqiptar, për arsye se kuadrot e kombit shqiptar nuk kanë bartë asçfarë funksioni në komunë e Republikë që do të kontribuonin rreth të mësipërmës. Të ofenduar e të tronditur nga sjellja e disa ligjeve nga mbledhja e fundit e Kuvendit të RS të Maqedonisë si dhe nga rezultatet e disa mbledhjeve të mëparshme, ne banorët, përkatësisht qytetarët e fshatit Livadhi me 1.300 banorë, kërkojmë me sa më poshtë vijon:

  1. Kryetari i RS të Maqedonisë, zoti Kiro Gligorov, të mos i nënshkruaj dy ligjet e miratuara (me mbivotim e majorizim), në mbledhjen e Parlamentit, përkatësisht Ligjin për arsim fillor e të mesëm.
  2. Shqiptarët nuk janë pakicë, e as minoritet, siç thuhet ne secilën mbledhje të Parlamentit Republikan, kuvendet komunale si dhe në disa forma tjera të tubimeve qytetare, por jemi komb autokton, ku me shekuj jetojmë në vatrat tona dhe në RS të Maqedonisë marrim pjesë me 40% të popullsisë së përgjithshme edhe pse në Kuvend përfaqësohemi me 19% ose 23 deputet.
  3. Sa më parë të hapen shkollat e arsimimit të mesëm, duke filluar nga viti i ardhshëm shkollor 1991/92, si në komunën tonë po ashtu edhe në vendet tjera ku jetojnë shqiptarët të cilat shkolla qenë mbyllura para disa viteve nga mbeturinat e njëmendësisë e burokratike të sistemin monist, të cilët edhe sot e kësaj dite janë në pushtet. Në komunën tonë për çdo vit shkollor rreth 500 nxënës e mbarojnë shkollimin fillor në gjuhën shqipe të cilët më pas ngelin të paregjistruar në shkollat e mesme.
  4. Në RS të Maqedonisë funksionojnë dy universitete, njëri në Shkup e tjetri në Manastir, në të cilën nuk ka asnjë degë qoftë ajo të jetë e lartë apo fakultet ku do të mësonin fëmijët e kombit shqiptar, për këtë arsye kërkojmë që sa më parë që është e mundur të hapen disa fakultete në gjuhën shqipe.
  5. Kërkojmë përgjegjësinë e Savo Klimovskit nga fakti se ka kryer shkelje flagrante ndaj arsimit shqiptar, si ideolog i mbylljes së shkollave shqipe të garantuara me ligjet dhe Kushtetutën në fuqi të RSFJ-së.
  6. Evidenca pedagogjike dhe dokumentacioni i administratës, në shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, gjithsesi se të udhëhiqet në gjuhën përkatëse përndryshe nuk do të lejojmë që ajo të udhëhiqet në gjuhën maqedonase.
  7. Të ndërpritet me masat represive të cilat në kohë të fundit po zbatohen ndaj kombit shqiptar si: mbylljen e dyqaneve private, kafeneve e restoranteve private, dënime me burg për aksione humanitare, dënime pa arsye në komunikacion, marrje dhe mosdhënien e pasaportave etj. etj…
  8. Të lirohen të gjithë të burgosurit për shkak delikteve politike, të dënuar e të cilët dënimin e vuajnë si bastion e të burgosurve në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi.
  9. Kërkojmë që RS e Maqedonisë të jetë shtet sovran i të gjitha kombeve të cilët jetojnë në të e njëherit edhe i kombit shqiptar si sovran i atij shteti.
  10. Kërkojmë – në ato komuna ku jetojnë shqiptarët, gjuha shqipe të trajtohet në mënyrë të barabartë, sikurse edhe gjuha maqedonase, përkatësisht në këtë komuna të dy gjuhët të përdoren si shtetërore pa majorizimin e njërës apo tjetrës.
  11. Kërkojmë që RTV i Shkupit, përkatësisht Televizioni i Maqedonisë, një kanal të programit ta ketë në gjuhën shqipe (kuadër ka) në të kundërtën nuk do të marrim pjesë në participimin e mjeteve për programin televiziv.
  12. Kërkojmë ligj të ri për zgjedhje e të mbahen zgjedhjet e reja.
  13. Nuk e pranojmë si legjitime Kuvendin Komunal të komunës së Strugës, i cili u konstitua më 23 janar 1991, i cili deri në ditën e sotme nuk ka mbajt asnjë mbledhje të Kuvendit për arsye se nga çlirimi e deri më sot nuk ka ndodh që në funksione shoqërore (kryetar, nënkryetar, sekretar të jetë nga kombet tjera përkatësisht të kombit shqiptar), faktikisht nga 50 këshilltarë, 20 janë nga Partia për Prosperitet Demokratik, do të thotë 40% dhe të njëjtit përbëjnë 50% e popullsisë në komunë ndërsa nuk janë përfshi askund e as që janë konsultuar.
  14. Në të gjitha komisionet për regjistrimin e popullsisë (republikane, komunale, lokale) i cili do të mbahet nga 1 prilli 1991 deri më 15 prilli 1991, në komunat ku jeton edhe kombi shqiptar të sigurohet në mënyrë përkatëse numri i njëjtë i anëtarëve të komisioneve. Në të kundërtën do të paraqitet mosbesim në rezultatet dhe zbatimi i regjistrimit joreal atëherë do të jemi të detyruar ta bojkotojmë regjistrimin e popullsisë.
  15. Në Kuvendin e RS të Maqedonisë për çështje me rëndësi siç janë: të drejtat e kombeve (arsimi, kultura, simbolet, flamuri, gjuha, toponimet, emërtimi i fëmijëve të porsalindur sipas dëshirës së prindërve të tyre etj.) të zgjidhet me konsensus e jo me mbivotim e majorizim në të kundërtën nuk do të pranojmë asnjë akt të cilin do ta sjell Kuvendi.
  16. Vlerësojmë me keqardhje se vetëm kombi shqiptar e pranon shtetin e Maqedonisë dhe kombin maqedonas. Për këtë arsye t’i mendoni dhe vlerësoni mirë qasjet dhe ofendimet dhe tërhiqni nga përdorimi fjalët: “shiptari, shiftari” etj., në të kundërtën do të përdorim fjalë të cilat nuk i bënë nderë një kombi të civilizuar.
  17. Nëse nuk përmbushen kërkesat tona, atëherë nuk do ta ngel tjetër, përveç se çështjen tonë në Strugë, Maqedoni e më gjerë ta internacionalizojmë në organizata të ndryshme etj. Gjithashtu nuk marrim përgjegjësi për pasojat të cilat do të ndodheshin më pas, do të kërkojmë të tërhiqen deputetët nga Parlamenti i Maqedonisë dhe kërkojmë që brenda 15 ditëve të na jepet përgjigje”.

Fshati Livadhi, 18 mars, 1991.

Për këtë kërkesë banorët e fshatit Livadhi u deklaruan përmes nënshkrimeve të tyre. (koha.mk)

Comments are closed.