Qerim LITA
Gazeta KOHA, javëve në vazhdim do të shpalosë disa dokumente arkivore (letra, kërkesa, parashtresa, reagime të qytetarëve dhe shoqërive civile shqiptare si dhe platformat politike të PPD-së e të PDP-së etj.), drejtuar Kuvendit Republikan, kryetarit të Republikës, Qeverisë së RSM-së si dhe institucioneve tjera republikane, federative e ndërkombëtare gjatë vitit 1991, përmes të cilave shprehet pakënaqësia dhe revolta e mbarë popullit shqiptar në RSM-ë, kundër politikës diskriminuese e antishqiptare, që asaj kohe zbatohej nga ana e organeve legjislative e ekzekutive të kësaj republike. Publikimin e këtyre dokumenteve e fillojmë me botimin e letrës, përkatësisht kërkesës së banorëve të fshatit Negotinë të Gostivarit, hartuar në tubimin e mbajtur më 29 mars të vitit 1991, e cila u drejtohet organeve më të larta federative e republikane. Dokumenti prej dy faqesh gjendet në Arkivin Shtetëror të Maqedonisë, fondi 159, të cilin në vazhdim po e shpalosim në tërësi:
“Të brengosur thellë nga miratimi i disa ligjeve në mbledhjet e fundit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, nga rezultatet e disa mbledhjeve tjera, ne mbi 3.000 banorë të fshatit Negotinë, nga tubimi i mbajtur më datë 29. 03. 1991, kërkojmë me sa më poshtë vijon:
- Kryetari i RSM-së – zotëri Kiro Gligorov të mos i nënshkruaj dy ligjet e miratuara (me mbivotim e majorizim) në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Maqedonisë, veçmas Ligjin për arsimin parashkollor, fillor e të mesëm.
- Të rihapen sa më parë shkollat e mesme në gjuhën amtare për vitin shkollor 1991/92 në Komunën e Gostivarit e në komunat tjera, të cilat u mbyllën para disa viteve nga burokratët dhe dogmatikët e sistemit komunist, të cilët edhe sot e kësaj dite janë në pushtet. Në fshatin tonë ekzistonin paralele të gjimnazit, të cilat me nismën e organeve kompetente të komunës e Republikës u mbyllën vetëm për shkakun se ky territor është i banuar me shqiptarë. Në fshatin tonë shkollimin fillor e mbarojnë 60 nxënës në vit, të cilët për arsye të largësisë së shkollës dhe për arsye të gjuhës jo-amtare, nuk kanë mundësi e kushte të përfshihen në mënyrë të barabartë në shkollat e mesme me moshatarët e nacionalitetit maqedonas.
- Shqiptarët nuk janë pakicë apo minoritet (siç pretendohet në çdo mbledhje të Kuvendit Republikan e në disa tubime të ndryshme), por janë komb sovran që jetojnë në vatrat e tyre etnike dhe se në RSM-ë realisht marrin pjesë për mbi një të tretën nga numri i përgjithshëm i banorëve, përkundër asaj se në Parlamentin Republikan marrin pjesë vetëm me 19% të deputetëve të deleguar.
- Administrata – evidenca pedagogjike në shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën amtare shqipe, detyrimisht duhet të udhëhiqet në gjuhën shqipe, kurse në të kundërtën nuk do të pajtohemi këtë evidencë ta mbajmë vetëm në gjuhën maqedonase.
- Është për t’u habitur se si RSM ka mundësi të mbajë dy universitete, ndërsa në asnjërin prej tyre nuk ka ndonjë shkollë të lartë ose fakultet, ku mësimi do të zhvillohej edhe në gjuhën shqipe, prandaj kërkojmë të formohen disa fakultete, ku mësimi do të zhvillohet në gjuhën shqipe për arsye se i plotësojmë të gjitha kushtet.
- Në Kuvendin Republikan, për çështjet themelore, siç janë të drejtat kombëtare, arsimi, kultura, simbolet, gjuha, toponimet e tjerë, të vendoset me konsensus, në të kundërtën asnjë vendim nuk do ta pranojmë i cili do të miratohet me mbivotim apo me majorizim.
- Në të gjitha komisionet për regjistrimin e popullsisë (republikane, komunale, lokale), i cili do të mbahet nga data 1 – 15 prill të këtij viti, të përfshihen në mënyrë përkatëse edhe shqiptarët, për arsye se me të drejtë do të dyshohet në rezultatet e regjistrimit, si jo reale, prandaj do të jemi të detyruar regjistrimin ta bojkotojmë.
- Kërkojmë që RTV – Shkupi një program të tij ta ketë në gjuhën shqipe, i cili do të zgjerohet e begatohet, të jetë objektiv e i hapur, sepse në të kundërtën nuk do ta kryejmë obligimin e parapagesës.
- Kërkojmë që në komunat ku jetojnë shqiptarët – gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare e barabartë me gjuhën maqedonase, konkretisht në mënyrë të barabartë të përdoret dygjuhësia pa prioritetin e asnjërës gjuhë.
- Kërkojmë të ndërpriten urgjentisht akuzat e shpifjet e pabaza, të cilat bëhen nga ana e Lidhjes së Luftëtarëve nga Komuna e Gostivarit dhe nga organizatat tjera të ngjashme ndaj shqiptarëve, të cilat nuk përbëjnë asgjë tjetër, përveç se janë disa mbeturina të Jugosllavisë së vjetër.
- Të ndërpriten masat represive, të cilat në kohë të fundit janë përforcuar kundër kombit shqiptar, siç janë: mbyllja e dyqaneve, lokaleve, dënime pa bazë e shkas në komunikacion, marrja dhe mosdhënia e dokumentit të udhëtimit etj.
- Të lirohen sa më parë të gjithë të burgosurit politik, të cilët janë dënuar në RS të Maqedonisë.
- Kërkojmë të miratohet Ligji i ri zgjedhor e të shpallen zgjedhje të reja e të parakohshme.
- Kërkojmë që RS e Maqedonisë të jetë shtet sovran edhe i kombit shqiptar.
- Nëse nuk shqyrtohen e plotësohen kërkesat tona, atëherë nuk na ngelet gjë tjetër, përveç se për këto çështje të shqiptarëve në Gostivar e Maqedoni, t’u drejtohemi organizatave të ndryshme ndërkombëtare, prandaj nuk bartim as çfarë përgjegjësie për pasojat e mëtutjeshme, si dhe të kërkojmë që menjëherë të tërhiqen 23 deputetët shqiptarë nga Parlamenti republikan”.
Të rihapen sa më parë shkollat e mesme në gjuhën amtare për vitin shkollor 1991/92 në Komunën e Gostivarit e në komunat tjera, të cilat u mbyllën para disa viteve nga burokratët dhe dogmatikët e sistemit komunist, të cilët edhe sot e kësaj dite janë në pushtet. Në fshatin tonë ekzistonin paralele të gjimnazit, të cilat me nismën e organeve kompetente të komunës e Republikës u mbyllën vetëm për shkakun se ky territor është i banuar me shqiptarë. Në fshatin tonë shkollimin fillor e mbarojnë 60 nxënës në vit, të cilët për arsye të largësisë së shkollës dhe për arsye të gjuhës jo-amtare, nuk kanë mundësi e kushte të përfshihen në mënyrë të barabartë në shkollat e mesme me moshatarët e nacionalitetit maqedonas.