Vendosja e taksës në masën 100% për gjitha produktet e Serbisë ka nxitur reagime të shumta në Beograd. Përpos politikanëve, për këtë rast është deklaruar edhe Dhoma e Tregtisë në Serbi të cilët janë shprehur të zhgënjyer me vendim e Qeverisë Haradinaj. Kryetari i kësaj dhome, Aleksandër Radonoviq ka deklaruar se taksa në fjalë ka dëmtuar në masë të madhe bizneset serbe. “Kjo masë ka prekur shumicën e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme”, u shpreh ai.
Përpos bizneseve, Radonoviq aludoi se masa për produkte ka prekur në mënyrë direkte gjithë konsumatorët që jetojnë në Republikën e Kosovës. “Ato janë të drejtuara kundër të gjithë qytetarëve në Kosovë, pasi paratë nuk e dinë se cila kombësi është blerësi”, është deklaruar ai.
Më tej, kreu i Dhomës Ekonomike shpjegoi se për vetëm një vit Serbia ka përfituar mbi 400 milionë euro nga Kosova, ndërsa këtë vit ishte parashikuar edhe më shumë. “Vitin e kaluar kemi pasur shitje të mallrave me përftim rreth 442 milionë euro. Ndërsa këtë vit planifikimi ishte për shitjen e mallrave me vlerë mbi 500 milionë euro” , është shprehur Radonoviq, duke shtuar se taksa do të jetë pengesë e madhe për të arritur këto shifra.