Ekonomistët skeptikë për rritjen e pagave të mjekëve

Stimulimi përmes mjeteve financiare nuk është i vetmi motiv, por punëtorët si mjekët edhe të tjerët kërkojnë edhe kushte të tjera si dinjiteti i tyre, perspektiva, promovimi i tyre dhe shumë faktorë të tjerë, që ndikojnë te ata që të mbeten në vendin e tyre

Delvina KËRLUKU

Shkup, 9 korrik – Në programin e punës së qeverisë, parashihen që pagat themelore të të gjithë punëtorëve shëndetësor të dyfishohen deri në vitin 2020. Kjo rritje do të përfshijë specialistët në shëndetësinë terciare, për të cilët parashihet rritje graduale e pagës, duke startuar nga 100.000 denarë minimumi, përkatësisht 1600 euro, shkruan gazeta KOHA. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka paralajmëruar se Institucionet shëndetësore publike duhet t’u rritet imazhi patjetër dhe për t’u shpërblyer stafi shëndetësor duhet të marrin shumë plotësuese të parave.
Përpos mjekëve specialistë, edhe për mjekët që punojnë në ndërrimin e natës tash më është rritur paga për 20 për qind, në varësi të drejtimit dhe institucionin publik shëndetësor ku punojnë.

Por sipas Ministrisë së Shëndetësisë, priten edhe masa të tjera motivuese për stafin mjekësor, por edhe për vetë pacientët. Kështu, nga 1 janari 2019, përpos që do të bëhet mjekimi pa pagesë për qytetarët do të përfshihet dhe rroga, respektivisht të ardhurat neto të mjekëve specialistë, do të arrijnë shumën e lartpërmendur.
Por, paralajmërimin për rritjen pagave, ekonomistët shohin me skepticizëm, sepse, sipas tyre, rroga nuk është i vetmi stimulues në punë, por janë edhe faktorë të tjerë.

Profesori universitar Nasir Selimi, për gazetën “Koha”, thotë se nëse pas buxhetit vjetor që ka miratuar qeveria, nuk janë paraparë mjetet, atëherë është e vështirë të gjenden të ardhurat që do t’i mbulojnë pagat e mjekëve specialist që parasheh kjo qeveri. Prandaj, ai mendon se kjo nuk duket aspak serioze ose ndryshe shihet si masë populiste që nuk ka mbështetje reale.

Duke marrë parasysh se një numër i madh i mjekëve dhe njerëzve të shkolluar këtu ikin nga vendi, synimi për rritjen e pagave edhe mund të jetë një veprim i mirë, nënvizon Selimi, dhe shton se kjo nevojë nuk duhet të parashihet vetëm në shëndetësi, por edhe në fushat e tjera, për rritje të pagave, si inxhinierët, programerët, e të tjera, profesione këto shumë atraktive për Perëndimin.
Stimulimi përmes mjeteve financiare nuk është i vetmi motiv, por punëtorët si mjekët edhe të tjerët kërkojnë edhe kushte të tjera si dinjiteti i tyre, perspektiva, promovimi i tyre dhe shumë faktorë të tjerë, që ndikojnë te ata që të mbeten në vendin e tyre. Pozita e mjekëve, por dhe të profesioneve të tjera, duhet të jetë më e mirë dhe më e vlerësuar në shoqëri.
Sipas analistit ekonomik Fatmir Bytyçi, ristrukturimi i shpenzimeve buxhetore dhe shfrytëzimi racional i burimeve mund të lejojë që në Maqedoni të ketë paga adekuate për personelin në sektorin e shëndetësisë, sidomos për numrin e madh të punëtorëve shëndetësorë të dëbuar jashtë vendit.

Bytyçi thotë se paga është një mënyrë e duhur për të motivuar punëtorët për të qëndruar në Maqedoni dhe që të ketë një sistem solid të kujdesit shëndetësor për qytetarët. Ajo më shumë mund të shihet në drejtim të segmentit social dhe ofrimit të shërbimeve. Ai shton se në Maqedoni edhe me këtë buxhet që kemi këtë vit, dhe me atë në vitet e ardhshme, në qoftë se në mënyrë adekuate strukturohen kostot, mund të gjendet burime për financimin e një kategorie të këtillë të pagave, siç është nënvizuar nga Ministria e Shëndetësisë.
Në aspektin e pagave, doktor Nikolla Panovski thotë se procesi për rritjen e pagave të specialistëve duhet të jetë gradual dhe duhet të gjenden fonde për sigurimin e pagave të mjekëve, sepse tani për tani mungojnë shumë gjëra në shëndetësi, por më shumë ka mungesë të mjekëve të specializuara.

Strategjia për të shpëtuar shëndetësinë nga kolapsi, sidomos pas largimit të një numri të madh të stafit mjekësor në vendet perëndimore, do të ishte e paplotë pa një skanim të plotë të gjendjes financiare në këtë sektor.

Kjo edhe për faktin se në shëndetësi ka ende borxhe, dhe këtë e ka konfirmuar edhe ministri Filipçe, i cili ka thënë se me fondet shtesë nga buxheti do të jetë Ministria e Shëndetësisë në gjendje për të kapërcyer sfidat në rrugën drejt ndërtimit të një sistemi modern shëndetësor. Ai paralajmëroi se do të ketë investime të mëtejshme nga buxheti dhe se shuma duhet të rritet për më shumë cilësi në shëndetësi, përmirësim të infrastrukturës, nivel më i lartë i pagave të punëtorëve dhe pajisje të reja nëpër spitale. (koha.mk)