Një pjesë e ekonomistëve në vend ju bëjnë thirrje autoriteteve që të jenë të gatshëm për krizën eventuale ekonomike në botë duke kursyer të holla që nesër do të stimulojnë dhe mbajnë në kondicion ekonominë vendore me stimulimin e aktiviteteve të ndryshme ekonomike
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 26 gusht – Recesioni apo ngadalësimi I rritjes së ekonomisë në Gjermani si rrjedhojë e uljes së eksportit në Kinë, luftës tregtare midis Kinës dhe SHBA-ve , paqartësitë lidhur me Brexit, pritet të kenë ndikime të drejtpërdrejta apo të tërthorta në ekonomitë europiane dhe më gjerë. Banka Qendrore Gjermane para dy javësh raportoi se ekonomia gjermane do të hyjë në recesion në tremujorin e tretë për shkak të uljes drastike të prodhimtarisë industriale si rrjedhojë e tensioneve në tregjet ndërkombëtare, shkruan gazeta KOHA. Njëherësh ky institucion financiar alarmoi për rënie prej 0,1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto gjerman.
Nga ana tjetër , duke marrë parasysh faktin se në vitin e kaluara në Gjermani kemi eksportuar mallra me vlerë prej më shumë se dy miliardë euro, dhe atë më së shumti pjesë të veturave që i prodhojnë investitorët e huaj në zonat e lira, shtrohet çështja se sa ulja e rritjes ekonomike në ekonominë më të fuqishme evropiane do të ndikojë në ekonominë e Maqedonisë së veriut. Apo me fjalë të tjera se mund të goditet, gati gjysma e tërë eksportit në vend të vlefshëm në total 5 miliardë e 860 milion euro që prodhohet në zonat e lira ekonomike, ku 47 për qind e eksportit shkon për Gjermani, që ndërlidhet me prodhimin e orientuar për industrinë gjermane të automjeteve.
Një pjesë e ekonomistëve në vend ju bëjnë thirrje autoriteteve që të jenë të gatshëm për krizën eventuale ekonomike në botë duke kursyer të holla që nesër do të stimulojnë dhe mbajnë në kondicion ekonominë vendore me stimulimin e aktiviteteve të ndryshme ekonomike. Apo thënë ndryshe rekomandohet që të kemi në disponim para të gatshme që në rast të krizës eventuale ekonomike globale të mund të stimulojmë aktivitetin ekonomik në vend, duke vendosur më shumë para në ekonomi si përkrahje më e madhe kreditore për bizneset për përmirësimin e likuiditetit të tyre, programe të ndryshme të punësimit, përkrahje për ndërtimtarinë dhe bujqësinë.
Në ndërkohë, ekonomistët në vend ju bëjnë thirrje autoriteteve që të bëjnë më shumë kujdes jo vetëm me ngadalësimin e ekonomisë gjermane, por edhe tensionet politike në rritje në botë si dhe borxhin e madh të kompanive amerikane që mund një bombë që mund të plasë si dhe uljen e rendimenteve nga obligacionet amerikane që janë tregues i rëndësishëm për ardhjen e recesionit edhe në ekonominë amerikane.
Ekonomisti Zoran Jovanovski thotë se në një situatë të tillë të ardhjes së stuhisë është më mirë të jemi të përgatitur për pasojat e saja. “Do të ishte e arsyeshme në këtë situatë që bartësit e politikave , tre herë të matin çdo denar para se të dalë nga arka e shtetit. Në këtë mënyrë do të ruajnë hapësirën për manovra për injektimin e mëvonshëm të injeksioneve më të mëdha buxhetore në ekonomi me qëllim të uljes së pasojave kur do të paraqitet nevoja për diçka të tillë”, shton Jovanovski.
Sipas tij, kjo do të ishte ndihma më e madhe për qytetarët dhe biznesin, në rast se gjërat në ekonominë botërore dalin nga kontrolli.
Në ndërkohë përfaqësues të biznesit gjerman në shtet për Radio Dojçe Vele thonë se nuk presin që kriza në Gjermani të ndikojë më shumë në ekonominë vendore.
“Kompanitë nga Maqedonia e Veriut që eksportojnë prodhimet e tyre në Gjermani nuk do të goditen nga recesioni, për shkak se do të kursehet në Gjermani dhe jo në Maqedoninë e Veriut. Vlerësoj se situata aktuale në ekonominë e Gjermanisë mund të përforcojë ekonominë në vend , ndërsa ekziston edhe mundësia e transferim të prodhimtarisë në këtë rajon për shkak të kursimeve te harxhimet e ndryshme, por natyrisht se një vendim i tillë varet nga vetë kompanitë”, thotë Patrik Mertesn, drejtori i Delegacionit të ekonomisë gjermane në shtet. Sipas analizave të këtij delegacioni recesioni që nga pikëpamja teknike, është një rënie në dy tremujorë të njëpasnjëshëm të PBB-së, definitivisht do të godasë industrinë automobilistike, mirëpo pasojat pritet të jenë kryesisht ndaj tregut gjerman. Pritet që të ulen vendet e punës në krahinat gjermane ku kostoja e pagave është më e lartë, ndërsa pasoja do të ketë edhe për punëtorët që nuk kanë arsim përkatës profesional. (koha.mk)