Ekonomistët thonë se shpërngulja e madhe, punësimet në administratë, regjistrimet në fakultete, puna në të zezë, si dhe fabrikat e investitorëve të huaj, janë indikatorët kryesorë të procesit kundërthënës: ulja e shpejtë e papunësisë në raport me rritjen e dobët ekonomike
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 11 prill – Maqedonia në vitet e fundit shënon ulje të papunësisë, nga njëra anë. dhe rritje ekonomike që nuk arrin as 2.5 për qind më mesatare në pesë vitet e fundit, në anën tjetër. Shkalla e papunësisë në Maqedoni në gjashtë vitet është ulur për afër 7 për qind, ose për afër 70 mijë persona, shkruan gazeta KOHA. Të dhënat e Entit të Statistikës tregojnë se papunësia në fund të vitit 2013 ishte 28.6 për qind për tu zvogëluar në 21.9 për qind në fund të vitit 2017. Nga ana tjetër numri i të papunëve në fund të vitit 2013 ishte 275.225 persona për tu zvogëluar në 208 486 persona në fund të vitit 2017.
Gjithashtu, në vitin 2017 është shënuar minus 0.4 për qind rritje ekonomike, në vitin 2016 shënohet rritje prej 2.4 për qind, në vitin 2015 rritje prej 3.9 për qind, në vitin 2014 rritje prej 3.6 për qind dhe në vitin 2013 – 2.9 për qind. Me fjalë të tjera në vitet e kaluara, 2013-2018 është shënuar rritje ekonomike mesatarisht prej 2.5 për qind.
Ekonomistët thonë se shpërngulja e madhe e popullatës së re jashtë shtetit, punësimet në administratë , regjistrimet masovike në fakultet, puna në të zezë, si dhe fabrikat e investitorëve të huaj, janë shkaqet kryesore të dy proceseve kundërthënëse si ulja e shpejtë e papunësisë në raport me rritjen e dobët ekonomike që nuk krijon aq shumë vende të reja të punës.
Gjithashtu, fuqia punëtore angazhohet në mënyrë të përkohshme përmes punës sezonale ose në mënyrë të përhershme në tregun evropian të punës si profesionist të lëmive të ndryshme që gjithashtu ka zvogëluar numrin e të papunëve në Maqedoni.
Në vitet e kaluara , shtylla e rritjes ekonomike në vend së bashku me konsumin vendor dhe eksportin e kompanive të huaja në zonat e lira ekonomike ishte ndërtimtaria që në vitin 2017 shënoi rënie të madhe. Vlerësohet se nevojitet që industria përpunuese dhe ushqimore ndër të tjerash të jenë bartëse të ekonomisë për të pasur një ekonomie stabile që do të hapë edhe vende të reja pune .
Në ndërkohë, edhe analizat e Bankës Botërore kanë treguar dobësitë e ekonomisë vendore të mos krijimit të më shumë vendeve të punës nga ana e fabrikave vendore .
“Pavarësisht nga ngadalësimi i aktivitetit ekonomik, punësimi vazhdoi të rritet dhe papunësia të reduktohet. Punësimi u rrit me 2.5 për qind në terma vjetorë në vitin 2016 dhe me 2.7
për qind në gjysmën e parë të vitit 2017, pjesërisht për shkak të stimulimit fiskal përmes të cilit u krijuan më shumë se 14,000 vende pune.
Shumica e vendeve të punës të krijuara, ishin në tregtinë me shumicë dhe pakicë për shkak të rritjes së konsumit privat, ndërsa vendet e tjera të punës u krijuan në shërbimet e transportit dhe sektorët e prodhimit të lidhur ngushtë me kompanitë e mbështetura nga Investimet e huaja direkte, të cilat përfitojnë nga përjashtimet nga tatimet dhe nga përkrahja e qeverisë. Vendet e punës në ndërtim u reduktuan në linjë me zhvillimet në sektor”, tregon Raporti i fundit i Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor i Bankës Botërore.
Analiza më tej shton se shkalla e papunësisë ra në një nivel të ulët historik prej 22.8 për qind në gjysmën e parë të vitit 2017, pjesërisht për shkak se më pak qytetarë morën pjesë në forcën e punës. Rënia e pjesëmarrjes mund të jetë rezultat i punëtorëve të papunë të cilët janë dekurajuar duke lënë tregun e punës, dhe një pjesë duke emigruar në vende të tjera. Sipas raportit , brengos fakti se përkundër programeve të targetuara të qeverisë, shkalla e papunësisë së të rinjve është ende e lartë në 46 për qind, siç është edhe papunësia afatgjatë në nivel 81 për qind.
Ndryshe, edhe regjistrimi masovik i të rinjve nëpër fakultete si dhe punësimet në administratën shtetërore, gjithashtu ndikojnë në uljen e papunësisë dhe rritjen e numrit të punësuarve . Vetëm në 129 ndërmarrje publike në tërë Maqedoninë shënohet dyfishimi i të punësuarve në 17.872 persona në raport me 10 vite më parë tregon regjistri i të punësuarve në sektorin publik.
Nga ana tjetër, në dhjetë vite e fundit është dyfishuar numri i studentëve në Maqedoni me hapjen e universiteteve private ashtu edhe shtetërore. Studentët e këtyre fakulteteve nuk bëjnë pjesë në shkallën e papunësisë, andaj më mijëra studentë vlerësohet se do të ishin në listën e të papunëve, në rast se nuk do të regjistroheshin të vijojnë arsimin e lartë. (koha.mk)