Zejnulla VESELI
Shkup, 12 shkurt – Edhe përkundër premtimeve të shumta të qeverisë aktuale se do të krijojë kushte më të mira për sektorin privat dhe investitorët e huaj, megjithatë, viti 2018 sa i përket zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të ambientit e të bërtit biznes, do të mbetet në një shkallë jo të kënaqshme, shkruan gazeta KOHA.
Ky vlerësim vjen prej ekspertëve ekonomikë të cilët janë kritikë ndaj Qeverisë e cila edhe përkundër premtimeve për mbështetje të fuqishme të sektorit privat, që nënkuptonte lehtësime në tatimet si dhe përkrahje të ndryshme financiare, një gjë e tillë nuk ndodhi. Për pasojë bizneset private po vazhdojnë me të njëjtat probleme si vitet e mëparshme, ndërkohë që shkalla e lartë e papunësisë dhe varfërisë, po merr përmasa shqetësuese.
“Viti 2018 me tepër mund të konsiderohet si vit i rehabilitimit ekonomik të vendit, si pasojë e stabilizimit të gjendjes politike, ndonëse nuk duhet të kemi pritshmëri të mëdha. Për më tepër që masat e propozuara nga ana e Qeverisë, si vlerë financiare në proporcion me numrin e përgjithshëm të kompanive të cilave ju adresohet, janë shumë minore dhe të paefektshme. Megjithatë besoj që propozim projektet e përfshira në buxhetin e vitit 2018, gjithnjë nëse do implementohen si të tilla, mund të kontribuojnë në formë zinxhirore në drejtim të angazhimin të kompanive vendore, me theks të veçantë në implementimin e projekteve kapitale”,thotë për KOHA njohësi i rrjedhave ekonomike, Arben Halili, i cili shprehet se veprimet e qeverisë aktuale të përkujtojnë ato të qeverisë pararendësi, e cila si prioritet kishte zhvillimin ekonomik e më pas orientohej në drejtim të zgjidhjes së problem të emrit që Maqedonia të anëtarësohej në BE dhe NATO, angazhime këto që linin në haresë premtimet e dhëna për prosperitete ekonomik.
“Megjithatë përshtypja ime e përgjithshme është se për momentin, Qeveria më tepër është e orientuar në drejtim të zgjidhjes së problemit të emrit se sa në zbatimin e masave konkrete ekonomike, gjë të cilën e vlerësoj si të gabuar nëse implementimi i reformave ekonomike do vazhdojë të ketë rëndësi të dorës së dytë përballë problemit që potencuam më lartë”, nënvizon Halili.
Sa i përket pritshmërvie në aspektin zhvillimit ekonomik, profesori universitar Marjan Peterseki është i mendimit se nëse Maqedonia plotë 25 vite pavarësi nuk ka arritur të krijojë ekonomi të zhvilluar, të krijojë kushte më të mira për sektorin privat dhe investimet e huaja, shumë pak ka gjasa që kjo të ndodhë që gjatë këtij viti, ndërkohë që vendi vazhdon të përballet me një shkallë të lartë të papunësisë dhe varfërisë. Por ai është optimist se në vitin 2018 janë gjasat e mira të kemi rritje ekonomike.
“Për momentin ata që duhet të bëjë Qeveria, është të jetë më ambicioze në identifikimin e qartë të prioriteteve që kanë impakt në rritjen ekonomike, duke i vendos si synim kryesor dhe të punojë më me intensitet në realizimin e projekteve të paralajmëruara që do të nxisnin rritje ekonomike”, thotë Peterseki. Për mundësinë e ndonjë përmirësimi në sferën e zhvillimit ekonomik, shprehet skeptik edhe profesori i ekonomisë Nasir Selimi, sipas të cilit, në vitin 2018 mbështetja qeveritare për bizneset do të mungojë për shkak të prioriteteve të agjendës politike. “Rezultatet akoma mungojnë, kurse sektori privat ende është në një ngërç sepse nuk ka diçka konkrete nga realizimi i atyre projekteve te premtuara nga qeveria e re. Çështjet politike sërish janë në fokus të Qeverisë dhe po ndikojnë negativisht në mos tejkalimin e problemeve që kishin gjatë viteve të mëparshme edhe ende i kanë firmat private. Edhe pse flitet se po ndodhin ndryshime, bizneset dhe njerëzit e rëndomtë aspak nuk po i prekin apo i shijojnë këto ndryshme. Zhvillimi ekonomik i vendit ishte shumë premtuese nga qeveria e re por jo edhe zbatuese”, vlerëson për KOHA, Selimi. (koha.mk)