Fisnik PASHOLLI
Shkup, 21 shkurt – Çështja e emrit , ligji i gjuhëve, plani 3-6-9 që përfshin reformat në gjyqësor, mediat, luftën kundër korrupsionit, reformat në administratën publike dhe zgjidhjen e problemeve e tjera politike në Maqedoni, sikur kanë lënë në harresë zhvillimin ekonomik të shtetit, shkruan gazeta KOHA. Gjithashtu Maqedonia gjendet para reformës tatimore, që nënkupton rishqyrtimin e politikës tatimore apo mbushjes dhe harxhimit të arkës së shtetit, e cila imponohet edhe nga niveli i lartë i borxhit publik prej më shumë se pesë miliardë euro, faktit se shteti vite me radhë ka deficit buxhetor negativ prej disa për qind për shkak se të ardhurat e shtetit janë më të vogla se shpenzimet e tij, andaj edhe bilanci buxhetor është negativ. Një pjesë e analistëve ekonomik thonë se kemi zvarritje të madhe të hapave konkret për të lehtësuar punën e përditshme të biznesit.
BIZNESI NUK KA KOHË PËR TË HUMBUR
“Është e vërtetë se negociatat për emrin, apo Ligji për gjuhën shqipe sikur kanë defokusuar tërësisht qëndrueshmërinë e biznesit dhe sikur janë lënë anash masat konkrete për të ndihmuar biznesin që si duket kanë mbetur vetëm në letër. Bile nuk kemi as masa konkrete për të ndihmuar afaristët e rinj për të lehtësuar inkuadrimin e tyre në treg. Me fjalë të tjera biznesi nuk ka kohë për të humbur asnjë ditë të vetme dhe të gjithë sektorët qofshin financiar apo ekonomik thjeshtë duhet të bëjnë punën e tyre të përditshme të mos vonojnë punën e biznesit me lëshimin e lejeve të ndryshme , të mos hutojnë opinionin për shembull me pragun e pagesës së tatimit të vlerës së shtuar e kështu me radhë”, thotë për KOHA analisti ekonomik Arben Halili.
Sipas tij nevojitet çështjet politike duhet të ecin paralel me lehtësimin e punës së afaristëve , ndërsa institucionet duhet të jenë në shërbim sa më të madh të biznesit dhe aspak nuk duhet të ndërlidhen çështjet e ndryshme ekonomike me problemet e ndryshme politike.
“Nevojitet jo vetëm të mos vështirësohet puna e biznesit të vogël që nxjerr kafshatën e gojës me ndryshimet ligjore të sferave të ndryshme , duhet që konkretisht dhe praktikisht të ndihmohet jo vetëm biznesi i vogël për shembull me rritjen e shumës së mbështetje për përkrahjen e firmave të vogla , por të mbështetet edhe biznesi i madh sipas nevojave të tij për çka ekziston hapësirë dhe gjithnjë sipas mundësive të shtetit”, thekson më tej Halili.
Nga ana tjetër, investimet e huaja në nëntë muajt e parë të vitit 2017 kanë shënuar vlerën prej vetëm 45 milionë euro. Kjo paraqet një rënie të madhe prej 140 milionë euro në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kur në Maqedoni janë investuar afër 185 milionë euro. Kjo me fjalë të tjera , tregon se janë shënuar afër 74 për qind më pak investime në të periudhën janar-shtator të 2017 në raport me periudhën janar-shtator 2016.
PASOJAT E NGËRÇIT POLITIK NDJEHEN
Vlerësohet se kriza politike ngadalëson si planet investuese të kompanive të huaja ashtu edhe atyre vendore për të zgjeruar kapacitetet, të marrin kredi të reja, ose të zgjerojnë kapacitetet e tyre në prodhim , por edhe në shërbim. Sipas ekonomistëve, kriza e stërzgjatur politike në dy vitet e kaluara ka marrë haraçin e saj dhe është pasqyruar negativisht në vendimet e investitorëve të huaj që të investojnë në një shtet me klimë jostabile politike
Nga ekzekutivi i ri thonë se kriza politike është tejkaluar, por pasojat e ngërçit politik ndjehen akoma. Presin që sivjet dukshëm të rritet numri i investitorëve të huaj. Ndryshe, për ngërçin politik në vitin e kaluar flet edhe fakti se një nga tre kompani ndër 30 bizneset më të fuqishme në Maqedoni që punojnë në Bursën e Maqedonisë shënojnë uljen e të ardhura në nëntë muajt e parë të vitit në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rezultate më të dobëta tregojnë kompanitë e ndërtimtarisë, ndërsa më pak të ardhura nga shitja kanë edhe disa kompani të mëdha nga industria ushqimore, metalike dhe e tekstilit. Sipas analizave për rezultatet financiare të 103 kompanive në Bursë, neto fitimi i tyre është afër 140 milionë euro që është për afër pesë për qind më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. (koha.mk)