Emin AZEMI
Strategjitë ekonomike të qeverive kanë brenda vetes një kombinim konceptesh populiste e pragmatike. Në të shumtën e rasteve, janë poentimet populiste ato që sigurojnë edhe parakushte social-psikologjike për etablimin e partive politike në pushtet. Nëse politika mbështetet kryekëput në këto poentime, pa ndonjë platformë më të studiuar zhvilimore, atëherë i bie që ardhja me çdo kusht në pushtet ka qenë qëllimi i vetëm, por jo edhe ideali për të sjellë ndryshime substanciale.
Analizat e para të ecurive ekonomike në vend, sa i përket strategjive (sociale-ekonomike) të premtuara parazgjedhore të qeverisë aktuale, nuk japin ndonjë notë optimiste, të paktën sa i përket atyre pak parametrave që lidhen kryesisht me politikën e çmimeve, tatimeve dhe rrjedhave financiare.
Rritja e akcizës së derivative të naftës, paralajmërimi për tatim të dyfishtë për një kategori të ardhurash, emetimi i eurobligacioneve dhe rritja e borxhit tek kompanitë dhe institucionet financiare vendore, shtrenjtimi i disa shërbimeve e prodhimeve, emigrimi i të rinjve si pasojë e mosperspektivës në vend, janë disa nga temat më të përfolura në media, për të cilat partitë e koalicionit qeverisës kishin një qasje krejt tjetër në fushatën parazgjedhore.
Është herët të jepet ndonjë parashikim i përshpejtuar dhe negativ për ecuritë zhvillimore ekonomike e sociale në vend, sidomos për ato që lidhen me politikat qeverisëse që i nxisin këto ecuri, por shenjat e këtij fillimviti kalendarik nuk janë shumë optimiste, ndonëse qeverisë aktuale dhe gjithë faktorëve politikë e institucional, iu duhet edhe një periudhë e caktuar kohore të merren me riparimin e pasojave nga keqqeverisjet e kaluara dhe të rikthejnë kursin e politikave euroingegruese, përfshi edhe tejkalimin e kontesti me Greqinë, në favor të një të ardhmeje evropiane për Maqedoninë.
Mirëkuptimi shoqëror qëndron pikërisht në këtë segment dhe do të ishte e tepërt të tregohemi shpirtngulfatës nëse nxitohemi të kërkojmë ndryshime radikale brenda natës. Më e nxituar po del të jetë vetëm një parti opozitare maqedonase, e cila ende nuk ka reflektuar për dështimet në qeverisjen e kaluar, duke vazhduar madje me politika konfliktuoze e mosduruese, përfshi edhe reagimet tepër iracionale lidhur me ligjin që përcakton mënyrën e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.
Nuk mund ta quajmë të gabuar strategjinë aktuale të Qeverisë dhe Parlamentit, përfshi edhe disa nga ministrat e deputetët shqiptarë (Osmani, Grubi etj.), të cilët janë përqendruar në disa punkte thelbësore të politikbërjes, sidomos në imazhin e asaj që quhet politikë e jashtme, si parakushte edhe për zhvillimin ekonomik e social. Tash më është vërtetuar në praktikë se një nga shkaqet e ngecjes ekonomike e sociale të Maqedonisë në vitet e kaluara, ka qenë qasja izoluese e barrikaduese e ish- kryeministrit në raport në temat e fqinjësisë dhe BE-së, që nuk kanë kaluar pa kosto edhe mbi kurrizin e qytetarëve. Përdorja e kontestit me Greqinë rreth emrit si kauzë për përfitime populiste dhe refuzimi kategorik i gjetjes së kompromisit për tejkalimin e këtij problemi, ka qenë një prej pelerinave më mashtruesve që ish-kryeministri e ka shpalosë në arenën e toreadorëve të tij mitik. Fatkeqësisht ishte edhe një shtresë e shoqërisë maqedonase që u ushqye gjatë kohë më këto lojëra bizare, ndonëse me një fund edhe më dramatik e të palavdishëm se sa toreadorët e plagosur.
Përfitimet që i atribuohen politikave racionale eurointegruese, në shikim të parë nuk kanë ndonjë shkëlqim populist me të cilat do të impresionoheshin masat e gjëra, mirëpo në shtigje afatgjata ato janë garancat e vetme të perspektivës së përgjithshme, posaçërisht të këndelljes ekonomike e sociale, me të gjitha efektet përcjellëse rigjeneruese që sjell integrimi në NATO e BE.
Mirëkuptimi shoqëror për rrjedhat ekonomike e sociale në vend, do të duhej ta ketë pikërisht edhe këtë komponentë, sepse pa një proces pozitiv euro-integrues nuk mund të presim investime (të jashtme e të brendshme) dhe për rrjedhojë ambienti i përgjithshëm nuk mund të premtojë ndryshime radikale në statusin social të qytetarëve.
Por, të gjitha këto, me kusht që të kalohet nga realiteti mitik i mbyllur në balonat e populizmit, në realitetin faktik që do të jetë i prekshëm nga të gjithë. Vetëm në këtë mënyrë qerrja e ekonomisë mund të merr drejtimin e duhur në rrugëtreguesit e Brukselit, në të kundërtën, rrotat e prapme mund të bëhen shumë shpejt udhërrëfyes i pakënaqësive popullore.