Zejnulla VESELI
Shkup, 10 shkurt – Bisedimet mes partive politike për formim e Qeverisë së re, jo vetëm që po i mbajnë peng biznesmenët, për shkak se po karakterizohen si një proces i gjatë ku bisedohet për ndarje të pushtetit politik, ato po mbajnë peng edhe ekonominë, pasi deri më tani nuk është përmendur ndonjë strategji se si ta nxjerrin vendi nga kriza më rëndë ekonomike pas konfliktit të vitit 2001. Temat që po bisedohen mes partive politike, sipas komunitetit të biznesit dhe ekspertëve ekonomike, tregojnë qartë se synimi i tyre është që të bëjnë qeveri për të siguruar të drejtën, e ndërsa për ekonominë, prezantimin e ndonjë projekti konkret apo strategjie se si vendi të del na kriza ekonomike, ende i mbajnë sekrete si të dhëna vetjake të një partie, apo eventualisht e Qeverisë së re që do të formohet. Profesori i ekonomisë në UT, Hamit Aliu, shprehet për gazetën KOHA se edhe pse partitë para formimit dhe pas formimit të qeverisë nga viti 2008 e këndej kanë promovuar dhe premtuar zhvillim ekonomik apo mirëqenie sociale për qytetarët, apo realizimin e projekteve që do të nxisnin biznesmenët vendor të rrisni kapacitete e tyre investuese, përkundrazi ai thotë se janë zbatuar disa masa duke gjobitur shumë afaristë, që ka çuar deri në mbylljen e shumë firmave private. “Do të ishte befasuese që ndonjëra nga partitë politike në këto bisedime për formim të qeverisë të flet se prioritet ka zhvillimin ekonomik të vendit, e jo ndarjen e posteve shtetërore. Nga viti 1991 Maqedonia nuk ka model të zhvillimit ekonomik, që do të thotë se plotë 25 vite kemi vetëm llafe, por jo edhe punë. Në këto biseda partiake interesi kryesor është se kush do të fiton ndonjë ministri dhe çfarë ministri do të jetë. Pra, burimi kryesor i bisedimeve është formimi i qeverisë, e jo të diskutohet për projekte konkrete se si të rrisnin zhvillimin ekonomik të vendit”, thotë Aliu.
Edhe më shumë po varfërohen qytetarët
Derisa vendet e tjera të Ballkanit, thotë ai, shënojnë suksese sa i përket rritjes ekonomike, Maqedonia në shekullin XXI ende nuk kanë projekt konkret se si të dilet nga kriza ekonomike që dita ditës po bëhet më e vështirë, jo vetëm për afaristët, por edhe më shumë po e varfëron qytetarin. “E gjithë kjo tregon se çfarë kapaciteti intelektual do të ketë qeveria e ardhshme, e cila edhe pas 25 viteve pavarësi, ende nuk ka përpiluar një strategji ekonomike si të del vendi nga kriza ekonomike. Kjo qartë flet se qeveritarëve aspak nuk ju intereson se çfarë baze ekonomike kemi dhe asnjëherë askush nuk ka bërë asnjë lëvizje më të vogël se si të përmirësohet gjendja ekonomike. Mbi bazën ekonomike ndërtohet e gjitha struktura e një shteti. E që të ndërtohet një shtet ekonomikisht i fortë, duhet të kemi funksionarë apo politikanë që kanë nivelin e frikës, vetëdijesimit apo moralit. Ndërsa funksionarët dhe politikanët ende nuk e kanë nivelin e parë, atë të frikës”, thotë Hamit Aliu, profesor universitar në UT. Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore(OEMVP) shprehen se në dy vitet e fundit të krizës së stërzgjatur politike, pasoja ka i gjithë instrumenti shtetërorë, por edhe lokomotiva e çdo vendi, ekonomia. “Vendi ynë, që nga pavarësimi e gjer më sot ka kaluar nëpër kriza të shumta politike dhe të njëjtat janë trajtuar vetëm nga ai prizëm, por gjithmonë duke i anashkaluar problemet që mundë t’i sjellë politika në përditshmërinë tonë e deri në implikimet ekonomike”, thonë nga OEMVP-ja . Prandaj, sipas tyre, pothuajse në asnjë përbërje të koalicionit qeveritarë nuk është diskutuar mbi pika ekonomike, por vetëm për ato politike, gjë që vendin e ka sjellë në këtë diskrepancë të madhe në zhvillimin rajonal, si një ndër parakushtet themelore për një ekonomi të qëndrueshme dhe standard më të mirë jetësorë.
OEMVP: Nevojitet strategji afatmesme dhe afatgjatë
“Pa platformë të shëndoshë politike në një shtet të ndjeshëm dhe me specifikat që i ka shteti i Maqedonisë, nuk mund të mendohet për ekonomi të mirëfilltë. Strategjitë për zhvillim ekonomik, në vendet normale bëhen për shtigje afatgjate dhe afatmesme, kurse në Maqedoni nuk arrijmë dot që as buxhetin e shtetit ta planifikojmë mirë dhe si rezultat çdo vit kemi rebalanc të të njëjtit. Ne sigurisht që duhet me vëmendje t’i zbatojmë këshillat dhe përvojat e faktorit ndërkombëtarë, Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve, me qëllim që të përfitojmë nga eksperienca e tyre”, thonë nga OEMVP-ja. Sipas tyre, politikbërësit duhet t’i hapin horizontet dhe të jenë më vizionarë mbi politikat zhvillimore-ekonomike, duke qenë gjithmonë transparentë dhe llogaridhënës për veprimet që i ndërmarrin. “Ne si OEMVP, platformën ekonomike e kemi prezantuar para të gjitha partive politike në vend dhe një mbështetje e të njëjtës nga ana e faktorëve relevant politik do të sillte parakushte dhe rrjedhimisht një mirëqenie dhe zhvillim ekonomik si dhe ngritje të standardit jetësorë. Platforma jonë është shumë e qartë, me masa konkrete, e cila duhet urgjentisht të përfshihet në programin qeveritar dhe të zbatohet me prioritet nga institucionet e vendit”, thonë nga OEMVP-ja.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.