Biznesi vendor në 30 vitet e kaluara sikur është stërvitur që të notojë jo në rrjedhën e lumit, por në anën e kundërt apo kundër rrjedhës së ujit
Nga Fisnik PASHOLLI
Zgjedhjet parlamentare në 12 prill të këtij viti si zakonisht do të ngadalësojnë rrjedhat ekonomike në shtet , mirëpo biznesi vendor në 30 vitet e kaluara sikur është skalitur dhe stërvitur shpesh edhe pa dashje por me imponim, që të notojë jo në rrjedhën e lumit , por në anën e kundërt apo kundër rrjedhës së ujit. Investitorët e huaj, por edhe fabrikat vendore të orientuara në eksport do të vazhdojnë të mbështesin rritjen ekonomike, ndërkaq edhe remitancat apo prurjet nga jashtë të mërgimtarëve do të mbështesin ekonominë e vendit,së bashku me të ardhurat nga punët sezonale të punëtorëve që do të ikin për të punuar jashtë shtetit.
Do të vazhdojë edhe sivjet rritja e kreditimit për qytetarët kryesisht për kredi konsumatore dhe banesore dhe më pak për llojet e tjera të kredive që në mënyrë indirekte do të mbështesë ekonominë përmes konsumit të popullatës me ndarjen e disa qindra milion euro të kredive të reja.
Sivjet me liberalizimin e kushteve për tu punësuar në Gjermani do të vazhdojë edhe ikja e fuqisë punëtore që do të gjejë një vend pune në ekonominë më të fuqishme evropiane, qoftë si fuqi punëtore me kualifikime të larta, qoftë edhe për zanatlinj të profileve të ndryshme. Rritja e pagave si asaj minimale, por edhe e pagave në arsim, shëndetësi dhe administratë do të vazhdojë të mbështesë konsumin apo mbushjen e arkës së shtetit nga Tatimi i Vlerës së Shtuar së bashku me të ardhurat nga doganat, akcizat dhe të ardhurat e tjera jo tatimore. Një lajm i mirë , i shumëpritur sivjet do të jetë edhe anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO. Mirëpo Aleanca Veriatlantike nuk nënkupton se menjëherë do të kemi edhe një bum të vërtetë të investimeve të huaja. E para për shkak se investitorët e huaj gjerë e gjatë i matin dhe peshojnë të gjitha aspektet e përfitimeve nga një investim tek në, dhe e dyta për shkak të ndryshimit të mundshëm të ekzekutivit ku qeveria e re jo se do të ndryshojë orientimin ndaj investimeve të huaja, por mund të ndryshojë ambientin ekonomik në vend me ndryshimin e ligjeve në sfera të ndryshme, apo duke i dhënë përparësi sektorëve të caktuar. Dhe e treta, mund të presin që këtë vit të kemi më shumë investime të huaja të mbështetur nga anëtarësimi në NATO në raport me vitin 2019. Mirëpo, ky vit prej qershorit dhe deri në fund të dhjetorit do të kërkojë më shumë punë për të adresuar dhe zgjidhur ankesat e biznesit vendor dhe atij të huaj, si dhe do të shërbejë për një parapërgatitje që në vitin 2021 të kemi më shumë investime të huaja se në vitet paraprake. Një gjë e tillë pritet të mbështetet edhe me rritjen e nivelit të ulët të bashkëpunimi midis investitorëve të huaj dhe vendorë, ku vetëm 4 për qind e bizneseve lokale bashkëpunojnë me kompanitë e huaja në vitin 2018, përmirësimin e ofertës së fuqisë së nevojshme punëtore, sundimin e së drejtës etj .
Me fjalë të tjera, ombrella e re e mbrojtjes së shteti që nuk është vetëm një organizatë ushtarake, por edhe politike, ekonomike etj do të ndihmojë vendin që me më shumë kurajo të demokratizojë edhe më tej ambientin politik në vend, të rrisë efektivitetin e qeverisjes së mirë, sundimit e së drejtës, luftimin e korrupsionit. Thënë ndryshe, NATO do të sjell përshpejtimin e reformave si dhe përmirësimin e pozitës ndërkombëtare të shtetit, që do të që të zgjerojnë kapacitetet e tyre prodhuese si investitorët e rinj nga jashtë, ashtu edhe investitorët e vjetër që punojnë në shtet. (koha.mk)