Kompanitë edhe më tej ankohen lidhur me inspeksionet që mundohen të gjejnë parregullsi, ndërkohë që 13 për qind të bizneseve të anketuara mendojnë se ka përmirësim të klimës së biznesit, 38 për qind mendojnë se ajo është më e keqe se më parë, ndërsa 36 për qind mendojnë se nuk ka ndryshime apo përmirësime.
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 28 dhjetor – Klima e biznesit nuk ka lëvizur nga vendi dhe akoma duhet të punohet në përmirësimin e saj. Anketa tregon se vetëm 13 për qind të bizneseve të anketuara mendojnë se ka përmirësim të klimës së biznesit, 38 për qind mendojnë se ajo është më e keqe se më parë, ndërsa 36 për qind mendojnë se nuk ka ndryshime apo përmirësime. Këtë e theksojnë 596 kompani nga të katër odat kryesore ekonomike në projektin e mbështetur nga USAID – “Vlerësimi vjetor i biznes ambientit”, që për herë të katërt po realizohet në Maqedoninë e Veriut.
“Rezultatet e anketës për vitin 2019 dhe ato të viteve të kaluara , tregojnë që ende duhet të punohet në përmirësimin e rregullativës për tatimet, mbikëqyrjen inspektuese, prokurimet publike, marrëdhëniet e punës dhe luftën me ekonominë gri”, thotë i Drilon Iseni, drejtor i OEMVP-së dhe kryesues i Platformës për dialog publiko-privat.
Në ndërkohë , kompanitë edhe më tej ankohen lidhur me inspeksionet që mundohen të gjejnë parregullsi, edhe pse këtu ka përparim me ankesat prej afër 20 për qind në vitin 2017 në 14 për qind në vitin 2019. Njëherazi me nga 11 për qind, bizneset ankohen për përgatitjen e pamjaftueshme të inspektorëve dhe për sjelljen joprofesionale të tyre. Gjithashtu ankohen me 12 për qind për informimin e pamjaftueshëm lidhur me të drejtat dhe obligimet e tyre gjatë mbikëqyrjes inspektuese, ndërsa me dhjetë për qind ankohen për korrupsion. Parimi i paralajmërimit para dënimit po shënon rritje në raport me vitet paraprake. Paralajmërime ju janë shqiptuar gjysmës së kompanive, ndërsa gjobë financiare kanë paguar afër 28 për qind e bizneseve që shënon ulje në raport me afër 53 për qind të bizneseve në vitin 2016.
Në të gjitha hulumtimet e mëparshme, ekonomia informale është theksuar si një nga problemet kryesore të bizneseve së bashku me pasigurinë juridike. Sivjet 40 për qind e të anketuarve vlerësojnë se legjislacioni kundër ekonomisë gri është i pamjaftueshëm, 36 për qind vlerësojnë se është në nivel jo të kënaqshëm, ndërsa 23 për qind thonë se është në nivel të kënaqshëm. Kompanitë janë të kënaqura me 81 për qind me inkuadrimin e odave në procesin e miratimit të rregullativës ligjore, që paraqet një dyfishim me vitin 2016 kur kjo shifër ka qenë 45 për qind. Kjo është edhe tregues për aktivitetet në rritje të odave ekonomike për të përfaqësuar interesat e afaristëve.
Kompanitë me afër 14 për qind janë të pakënaqura me rregullativën e marrëdhënieve të punës, me 38 për qind e vlerësojnë atë si të pamjaftueshme, dhe me 32 për qind si të mirë .
Kompanitë kanë shprehur edhe brengat dhe hallet tyre lidhur me ligjet e ndërtimit . Gati një e treta apo 36 për qind e të anketuarve janë shprehur se janë të pakënaqur me nivelin e rregullativës në ndërtimtari dhe lejet për ndërtim, ndërsa 45 për qind thonë se ajo është e pamjaftueshme. Njëherazi 32 për qind e kompanive të anketuara janë shprehur se niveli i kënaqësisë së tyre me rregullativën e tatimeve nuk është i kënaqshëm, me 37 për qind kanë thënë se është i pamjaftueshëm, dhe me 26 për qind kanë thënë se është i mirë.
Gati gjysma apo 41 për qind e bizneseve janë prononcuar se rregullativa e furnizimeve publike është e pamjaftueshme, 31 për qind thonë se është e pakënaqshme , ndërsa 21 për qind thonë se është e mirë. Gjysma e bizneseve nuk mirëpresin as legjislacionet në sferën e bujqësisë. Një e katërta apo 25 për qind e bizneseve deklarohen në anketë se legjislacioni në këtë fushë është i pakënaqshëm , 22 për qind thonë se është i pamjaftueshëm, ndërsa 42 për qind e bizneseve thonë se legjislacioni është i mirë.
Në fund ia vlen të theksohet se 38 për qind e bizneseve vlerësojnë se klima e biznesit në vend është e njëjtë në raport me atë në Ballkanin perëndimor, 36 për qind mendojnë se është më e keqe dhe 13 për qind thonë se është më e mirë. Ndryshe, hulumtimi është realizuar nga Projekti i USAID për Partneritet për Rregullativë Biznesi më të mirë, me Odën Ekonomike të Maqedonisë, Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Odën e Teknologjisë Informatike – MASIT dhe Lidhjen e Odave të Maqedonisë . (koha.mk)