Dibër, 31 janar – Dibra është qytet ku mbizotëron papunësia. Një pjesë bukur e mirë jetojnë me ndihma sociale. Ata s’mund t’i sigurojnë me aq të ardhura as ushqimin elementar, e lëre më ato të tjerat, shkruan gazeta KOHA. Një argument i fuqishëm që flet për varfërinë të një numri të madh të qytetarëve dibran, është edhe përzgjedhja e ushqimeve themelore që ata konsumojnë. Nga dita në ditë, një pjesë e mirë e popullatës vrapon për të gjet ushqime më të lira, por edhe bukë më të lirë. Aktualisht të dhënat zyrtare të shoqatës së bukëpjekësve dibranë thonë se mbi 60 për qind e bukës së prodhuar shitet bajat. Kryetari i shoqatës në fjalë, Lutfi Nuredini, thotë për KOHA se në Dibër – afër 60 për qind e bukës së prodhuara gjatë ditës shiten të nesërmen, kur bëhet bajat. Sipas tij, buka nga 500 gram e cila kur është taze shitet për 25 denarë, një dit më vonë kushton 15 denarë. Ju garantoj, shton ai, se një pjesë e madhe e popullatës përdor bukë e cila sigurohet me çmimin 15 denarë. Kjo dukuri zgjat disa vite dhe flet qartë për standardin e një pjese të mirë të dibranëve. Tre furrat për prodhimin e bukës dhe gatimeve të bardha që funksionojnë në Dibër, faktikisht pohojnë se buka më shumë shitet një ditë më vonë se sa në ditën e prodhimit.
Pos bukës, një pjesë bukur e mirë e dibranëve, vrapojnë pas ofertave të ndryshme nëpër dyqanet e ushqimoreve që janë me oferta. Ofertat kanë të bëjnë me skadimin e afatit të përdorimit dhe disa ditë para afatit, shitësit i shesin me çmim të përgjysmuar. Konsumatorët, për shkak të varfërisë, i marrin këto ushqime, edhe pse në disa raste ato kanë vetëm edhe një ditë për përdorim. Këto oferta për një pjesë të familjeve me probleme sociale janë të mirëseardhura, nga që me çmim real nuk mund t’i arrijnë t’i shijojnë ato ushqime. Z.A, babai i pesë fëmijëve të cilët jetojnë me një pension, thotë se gjithmonë në treg jam në ndjekje të ofertave të artikujve të ndryshëm ushqimorë. “Ç’të bëj më parë me një pension, t’i paguaj pagesat mujore apo të ushqej familje”, thotë bashkëbiseduesi ynë dhe shton se shpesh herë ushqimet që i marrim, edhe pse ju ka kaluar afati i përdorimit, ne i kemi ngrënë dhe fal Zotit s’na ka gjetur gjë. Si ky bashkëbisedues ka shumë familjarë, të cilët as së afërmi s’mund të sigurojnë ushqim të freskët dhe bukë taze, por ata vrapojnë pas bukës bajat dhe ushqimeve me oferta. (V.S)