Vuhan, 28 janar – Ekipi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OSBH) sot doli nga karantina në qytetin kinez Vuhan dhe e filloi punën në terren në misionin e konfirmimit të faktit për prejardhjen e koronavirusit që e shkaktoi pandeminë e Kovid-19.
DPA transmeton se Kina ka kërkuar që ekipi të kalojë karantinë 14 ditore në një hotel para se të mund t’i fillojë hulumtimet e veta në qytetin Vuhan, ku besohet se virusi nga fundi i vitit 2019 ka kaluar nga kafshët tek njerëzit.
Ekspertët e OBSH-së sot janë parë si dalin nga hoteli dhe hipin në autobus, por nuk dihet për ku janë drejtuar.
Misioni vihet nën presion të fuqishëm politik, sepse Kina tenton t’i shmang akuzat nga anë të ndryshme, para së gjithash, nga ish administrata amerikane dhe personalisht presidenti Donald Tramp, për gjoja gabime në përgjigjen fillestare të pandemisë.
Çështja kryesore për misionin është se ku pala kineze do t’i lejojë studiuesit të shkojnë dhe me kë mund të bisedojnë. Televizioni shtetëror kinez njoftoi sot se 13 ekspertët e OBSH-së fillojnë me punë dhe se duan të zbatojnë intervista dhe t’i vizitojnë spitalet. Ata gjithashtu planifikojnë të shkojnë në tregun e bagëtive ku u shfaq për herë të parë koronavirusi.
Ekipi për dy javë karantinë ka pasur video lidhje konferenciale me kolegët e tyre kinezë. f