Shkup, 15 tetor – Shefi i ekipit bullgar të Komisionit të përzier për çështje historike, Angell Dimitrov, para takimit të sotëm me historianët maqedonas në Shkup, deklaroi se pret të arrihet ndonjë rezultat për çështjet e hapura.
“Fillon diçka me pritshmëritë të mira, ndërsa si do të shkojë më tej do ta shohim. Pas më shumë se një viti shpresojmë se do të ketë njëfarë rezultati”, deklaroi Dimitrov për TV 24 pas arritjes në Shkup.
Historianët maqedonas dhe bullgarë sot takohen përsëri pas një pushimi prej gati një viti për të vazhduar dialogun, i cili po zhvillohet në kuadër të Komisionit Bilateral Multidisiplinar për Çështje Historike dhe Arsimore midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë.
Në takimin e dhjetë, sot dhe nesër në Klubin e deputetëve, anëtarët e Komisionit do të bisedojnë për çështje dhe tema në drejtim të tejkalimit të kontesteve historigrafike, por edhe për çështje të cilat periudhën e kaluar paraqisnin pengesë në punën e këtij trupi, i cili doli nga Marrëveshja për fqinjësi të mirë.
Në takim midis tjerash, është paraparë të përfundojë diskutimi i filluar lidhur me harmonizimin e rekomandimeve për tekstet shkollore të historisë për klasën e shtatë në Maqedoninë e Veriut.
Pas përfundimit të takimit dyditor, nesër në orën 17:45 në Klubin e deputetëve është paraparë deklaratë e përbashkët për mediat e dy bashkëkryesuesve të Komisionit, Gjorgjiev nga pala maqedonase dhe Angell Dimitrov nga pala bullgare.