Rekomandimi i Komisionit Europian për çeljen e negociatave me Maqedoninë dhe Shqipërinë nuk do të thotë se kjo është punë e kryer. Nëse ju nuk do t’i përveshni mëngët për çrrënjosjen e koncepteve të vjetra, sidomos korrupsionin, nëse nuk do të hiqni nga mendja juaj atë togfjalëshin krim i organizuar, nëse nuk i thelloni reformat në fushën e shtetit të së drejtës, të drejtave të njeriut, institucionet demokratike…
Nga Fadil LUSHI
Në këtë moshë që jam nuk besoj se ka njeri që më fut në bela e më ngarkon me faj. Nuk besoj se ka njeri që do më paragjykojë deri në atë derexhe, sa në fund të thotë se ky opinion-bërës paska rrjedhur toptan nga mendja, ani se “higjiena ime cerebrale a mentale” më bën “hile” herë-herë dhe di të më nxjerrë nga binarët, duke më çuar në “rrugët me drita të kuqe” të Amsterdamit.
Një ditë nip Sazani më parashtroi pyetjen: “Xhaxhi, pa më thuaj, edhe sa kohë do të duhet që të shkruash për të burgosurit e ndërgjegjes si dhe për kalorësit e vonuar që asnjëherë nuk bënë burgun, por që e mbajnë veten për soj atdhetari! Pse nuk shkruan për politikën e mëhallës sonë?” “Hazërxhevapin” që e kisha majë gjuhës, nuk mund të thuash se ishte i rremë, aq sa ishte i zbehtë. Ia ktheva: – Po ç’të duhet të shkruash për të, kur prej saj nuk del gjë, e mandej ajo di të të hajë kokën! Thashë, ashtu ndër dhëmbë, do të shkruaj për “cucën” a gocën Federikë…, nëse do ta ëndërroj! Dhe unë, çuditërisht e ëndërrova, ama me sy hapur! Sikur kjo përfaqësuesja e tanishme e lartë e Bashkimit Europian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe Zëvendëspresidete e Komisionit Europian, Federika Mogerini, kishte ardhur të “gjezdisë” territoreve të copëtuara të asaj që ndryshe quhet Shqipëria londineze!
Ditën që “degdisi” në Shkup, mileti kishte dalë ta presë. Shqiptarët përreth kufirit shqiptaro-shqiptar, sikur kishin marrë rend që “gocës” Federikë t’i urojnë mirëseardhjen në “qymezin” e Gadishullit Ilirik! Disa ishin politikanë, disa që hiqen për diplomatë, fare pak aristokratë, ca çerek-intelektualë, bujq, kumarxhinj, meshkuj, femra, ca me gjini të padeshifrueshme, katundarë fisnikë, shehërlinj që dinë të ta marrin qengjin veresi, kleptomanë, sherr-xhinjë e hazërxhinj, sipërmarrës, rrobaqepës, disa recidivistë të rrezikshëm, evgjitë, turq, maqedonas, berberë, ca përkthyes që qëndronin te krye-rendi e që kishin ardhur për të shuar kureshtjen e tyre, kishte edhe aktorë dhe një hordhi burokratë “turli-tavë”. Dhe hop, atypari u duk kjo “cuca” (goca) Federikë nazelie! Unë e shikova me syrin e beqarëve dhe thashë…, ehe, sikur kësaj t’i veshësh një palë çitjane prej basme, atëherë toptan do të dilte apo do të përngjante si ato gocat fisnike nga familjet namusqare të malësisë së Tetovës. Ëndërrova edhe haxhibabën që ka kohë që ka ikur nga dynjaja e tij. Më sillej vërdallë edhe përtej faktit se edhe në botën tjetër dukej i sfilitur, gjegjësisht i lodhur e i dërrmuar nga vuajtjet e mundimet, sepse fati i tij e kishte kapur ters. I thashë: -Plaku, ç’ke me mua dhe ç’të duhem unë. Ma ktheu: “… do të marr për dëshmitar të celebrimit të martesës!”. Dhe kur e pyeta, a mos do më martosh mua! A mos do të dal edhe një herë dhëndër! Heshtje varri. “Jo ore qerrata. Do ta martojmë Federikën me një çun shqiptar në këmbim letrash qëndrimi dhe leje pune në Europë! Eh, ç’më ka marrë malli për një nuse si Federika që ndoshta do të na sjellë fat dhe mbarësi. Këto nuset vendore sikur nuk m’i bëjnë punët e shtëpisë ashtu siç kërkoj unë…, sikur nuk mirëmbajnë bahçen, sikur nuk ia sjellin ujin haxhicës për të marrë avdesin e mëngjesit”. Plaku prej shqiptari, sikur mendon se nuset tona janë furrtare që duhet zgjuar në mëngjes herët për të nxjerrë bukën, njësoj siç shqiptari duhet zgjuar nga iluzionet pamore dhe emocionale. Hajde mendje, hajde!
Më vonë, kur Ardeni me atë zhurmën e tij prej foshnje gjiri më zgjoi, u ndërgjegjësova se e gjithë kjo kishte qenë vetëm një ëndërr me sy hapur! Kuptova se e nderuara Federikë nuk ishte “cucë”, por një zonjë e respektuar, kryelartë dhe diplomate e shquar italiane…, thoshin se kishte “kërkuar divorcin” me ballkanasit e tërbuar, inatçorë dhe mendjemëdhenj, për një mijë e një arsye.
E para arsye. Sipas Federikës, ju shqiptarë mos prisni që “nuset” e Brukselit t’ju puthin dorën e ca të tjerëve edhe “surratin”. Ju mos pandehni se “nuset” e kryeqendrës së diplomacisë europiane, në një ditë të afërt, ndoshta do t’ju përcjellin përshëndetjet allaturka apo siç plakat a vjehrrat tuaja thonë: “Nuse do të na marrësh temena sa herë që ne të duam!”. Ju më kot shpresoni se “nuset” e diplomacisë së Europës “hileqare”, në një ditë të afërt, do të puthin duart e çupëlinave dhe çunave tuaj. Mos shpresoni se për një bakshish me ca vezë katundi (qofshin ato edhe bio) “nuset” do të puthin faqet tuaja! Ju mendoni se do të na shpërbleni me premtime dhe gënjeshtra me okë e me bishta, ju mendoni se do të na detyroni të mbyllim sy e gojë përballë pështjellimit tuaj të madh.
E dyta arsye. Rekomandimi i Komisionit Europian për çeljen e negociatave me Maqedoninë dhe Shqipërinë nuk do të thotë se kjo është punë e kryer. Nëse ju nuk do t’i përveshni mëngët për çrrënjosjen e koncepteve të vjetra, sidomos korrupsionin, nëse nuk do të hiqni nga mendja juaj atë togfjalëshin krim i organizuar, nëse nuk i thelloni reformat në fushën e shtetit të së drejtës, të drejtave të njeriut, institucionet demokratike dhe reformën në administratën publike, zhvillimi ekonomik dhe fusha të tjera, nëse nuk do t’i bëni detyrat e shtëpisë…, atëherë, nga ne, mos prisni përgjigje pozitive ndaj integrimit tuaj në strukturat euroatlantike, e të tjera “nëse…”
Ngandonjëherë të lind pyetja se a mund të dalin të vërteta barsoletat edhe përtej çdo paragjykimi. Një të tillë do ta lakojmë në fund të këtij shkrimi. Dikur moti, evgjiti i dashur i mëhallës sonë ma tregoi këtë barsoletë: “Nëse në një të ardhme të afërt nuk do të shembet përdhe TEATRI i ABSURDIT, atëherë ju shqiptarët do të ikni në Shqipëri, maqedonasit do të shkojnë në Bullgari, ca të tjerë në Serbi dhe turqit në Anadoll. Kur të gjithë do të shporren nga sytë e mi, unë Shutkën do ta shpall kryeqendër të evgjitëve të lumtur!” Mua më ngeli t’i them: “Sikter Çavo!”.
Miku im i dashur! Para se ta ndërtoja këtë vështrim gazete nuk kisha ndonjë qëndrim, dëshirë apo edhe ndonjë qëllim egoist, thjesht e bëra në hesap të institucionit: Mendim ndryshe! Besoj se nuk e drodha fjalën a bisedën. Qofsha i gabuar! (koha.mk)