Të paktën 21 persona e kanë humbur jetën nga shpërthimi i një bombe në një kishë në veri të Egjiptit të dielën, njofton Ministria egjiptiane e Shëndetësisë, raporton Anadolu Agency (AA). Shpërthimi është raportuar brenda kishës së ‘Shën Gjorgjit’ në qytetin e Deltës së Nilit, në Tanta mëngjesin e së dielës.
“Nga shpërthimi jetën e kanë humbur 21 persona dhe 59 të tjerë janë plagosur”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të ministrisë Khaled Muxhahid. Mbetet e paqartë nëse shpërthimi ishte shkaktuar nga një bombë ose nga sulmues vetëvrasës me bombë.
Deri më tani asnjë grup nuk e ka marrë ende përgjegjësinë për shpërthimin. Sulmi ka ndodhur në prag të festës krishtere që përkujton hyrjen e Jezu Krishtit në Jerusalem.
Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar në Egjipt pati ndodhur një sulm i ngjashëm me bombë në një kishë në Kajro ku u vranë të paktën 25 persona. Të krishterët koptë sipas vlerësimeve përbëjnë nga 8 deri 10 përqind të popullsisë së përgjithshme prej rreth 90 milionë të Egjiptit.