tefan Effenberg ka qenë shumë kritik ndaj politikës së transferimeve të Bayern Munich dhe, mbi të gjitha, godet blerjen “stratosferike” të Lucas Hernandez. Kujtojmë se ky i fundit nënshkroi në fund të marsit për shumën e 80 milionë eurove me bavarezët. “Në rastin e transferimit të Hernandez ka vetëm një fitues, nëse marrim parasysh vetëm shumën e transferimit. Ky është Atlético Madrid.
Shuma tani mund të duket normale, po të kujtosh paratë e shpenzuara për Neymar apo ndonjë tjetër, por unë jam i brengosur, sepse po abuzohet shumë në këtë drejtim. Kjo është një nga arsyet pse tifozët shpesh kanë vështirësi të kuptojnë se çfarë po ndodh. Nëse gjërat shkojnë kështu, ne do të paguajmë pesë milionë euro për një shofer autobusi në pesë vite”.
Effenberg, gjithashtu, paralajmëron Bayernin se nuk do të jetë konkurrues në Ligën e Kampionëve me këtë politikë transferimesh: “Bayern Munich duhet të jetë i kujdesshëm, prirja është për rinovimin e skuadrës me lojtarë shumë të rinj, gjë që kundërshton atë që tha Hoeness dikur, se nuk jemi një klub trajnimi”.
Ai shpjegon se në këtë mënyrë nuk mund të konkurosh për gjithçka: “Ju duhet të jeni të duruar me lojtarët e rinj. Durimi, nga njëra anë, kërkesat për trofe, nga ana tjetër…, kjo nuk është në përputhje me pritshmëritë e Bayernit. Nëse ky trend vazhdon, me lojtarë të kësaj moshe dhe kategorie, duhet të jemi të përgatitur: nuk luajmë dot për kurorën e madhe të Europës në vitet e ardhshme”.