Përfaqësuesit e bankave thonë se anulimi i pagesës së kredive do të pasqyrohet edhe ndaj kredive të këqija. Mirëpo, vlerësojnë se sistemi bankier është stabil, pavarësisht rritjes së kredive të këqija, ku rreziku kreditor në sistemin bankar të Maqedonisë vazhdon të jetë i ulët
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 13 tetor – Anulimi i kësteve dhe mos pagesa për gjashtë muaj e kredive pritet që të rrisë nivelin e kredive të këqija në vend. Me fjalë të tjera si rrjedhojë e krizës ekonomike dhe shëndetësore të shkaktuar nga pandemia , edhe në Maqedoninë e Veriut do të rritet numri i klientëve që nuk arrijnë t’i kthejnë me kohë këstet e kredive. Njëherësh ndikim në rritjen e kredive me vështirësi të kthimit do të kenë edhe ndryshimet rregullatore të Bankës Popullore të Maqedonisë e cila në muajin mars të këtij viti mundësoi anulimin e kredive si dhe rriti afatin e kthimit të kredive prej 90 në 150 ditë si kohëzgjatje e kredive problematike me fjalë të tjera është zgjatur edhe për dy muaj shtesë afati që kur klientët duhet ti kthejnë me kohë këstet e kredive. Ky kriter për kalimin në një afat më të gjatë të kredive të këqija do të llogaritet vetëm për ato kërkues të kredive që deri në fund të muajit shkurt të këtij viti nuk janë ballafaquar me problemin e kthimit të kredive. Njëherësh, ky lehtësim rregullator ka një karakter të përkohshëm dhe do të vlejë deri më 31 dhjetor të këtij viti, deri kur bankat kanë obligim që tërësisht të përshtaten ndaj kritereve ekzistuese për përcaktimin e kredive me vështirësi të kthimit apo kredi “jofunksionale”.
Në ndërkohë përfaqësuesit e bankave thonë se anulimi i pagesës së kredive do të pasqyrohet edhe ndaj kredive të këqija. Mirëpo vlerësojnë se pavarësisht rritjes së kredive të këqija, rreziku kreditor në sistemin bankar të Maqedonisë vazhdon të jetë i ulët.
SHUMA E MADHE E KREDIVE JOFUNKSIONALE
“Sistemi bankier është stabil me nivel të lartë të kapitalit dhe likuditetit, dhe për momentin me nivel relatvisht të pandryshuar të kredive jofunksionale në raport me periudhat e mëparshme. Duhet marrë parasysh se anulimi i kredive ka një efekt të rëndësishëm ndaj gjendjes së kredive jofunksionale”, thotë Maja Stevkova Shterieva, kryetare e Shoqatës së Bankave të Maqedonisë.
Sipas saj, të gjithë bankat në gjysmën e parë të vitit punojnë me fitim, që ka një rëndësi të madhe në kushte të krizës, të krizës shëndetësore që është larg përfundimit dhe një sistem ku bankat kanë një rol shumë të rëndësishëm në sistemin financiar. Andaj edhe është mjaft me rëndësi që bankat të jenë stabile dhe profitabile shton më tej ajo. Në ndërkohë, anulimin e kredive në periudhën mars-shtator e kanë shfrytëzuar 70 për qind të qytetarëve dhe 30 për qind të bizneseve, që me fillimin e muajit tetor do të fillojnë të kthejnë këstet e kredive me kamatën e përllogaritur. Pritet që një numër më i vogël i qytetarëve që kanë mbetur pa punë, kanë pasur ulje të të ardhurave dhe janë ballafaquar më sëmundje të rënda të shfrytëzojnë anulimin e serishëm të kredive.
Gjithashtu, të dhënat e Bankës Popullore, tregojnë se deri në fund të muajit qershor, pjesëmarrja e kredive të dyshimta dhe kontestuese është 4.3 për qind nga totali i kredive në raport me 4.6 për qind në muajin paraprak. “Duke shikuar në aspektin e sektorëve, edhe më tej shuma më e madhe e kredive jofunksionale rrjedh nga sektori i ‘ndërmarrjeve’, përderisa pjesëmarrja e sektorit të “amvisërive”, është dukshëm më e vogël”, thonë nga Banka Popullore. Analizat më tej tregojnë se në tre muajt e parë të vitit, sipas veprimtarive ekonomike, pjesa më e madhe e rritjes së kredive të këqija në biznes rrjedhin nga klientët që merren me prodhimtarinë e metaleve, makinerive dhe pajisjeve, me tregti dhe në industrinë e tekstilit. “Mbulimi i kredive jofunksionale me përmirësimin e vlerës është për përmirësuar me një për qind në nivel tremujor dhe mban nivelin prej 68.7 për qind që së bashku me vëllimin e kënaqshëm dhe cilësinë e mjeteve vetanake, i përkufizon efektet potenciale negative ndaj gatishmërisë për pagesë së bankave ndaj eventualisht jo pagesës së tërësishme të kredive jofunksionale:”, thuhet në raportin për rreziqet në sistemin bankier të Maqedonisë së Veriut në tremujorin e parë të vitit 2020.
Mirëpo, këto parashikime mbeten vetëm projeksione të përkeqësimit ekstrem të situatës ekonomike dhe financiare, që nuk pritet të ndodhë .Këtë e mbështesin edhe vazhdimi i kreditimit por edhe niveli stabil dhe vazhdimi edhe i kursimit në banka të qytetarëve si dhe masat e ndryshme të Bankës Qendrore, Qeverisë dhe Ministrisë së Financave, si mbështetja me më shumë se një miliardë euro e popullatës dhe biznesit, derdhja e mbi 100 milion euro kredi me kushte të volitshme për firmat, stimulimi i mëtejshëm i konsumit, eksportit e kështu me radhë.
PRITJET PËR RRITJE TË KREDIVE
Në ndërkohë, edhe bankat në anketat e fundit thonë se do të vazhdojnë me kreditimin e popullatës dhe bizneseve. Bankat presin që sivjet më shumë do të rritet kreditimi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe kreditimi banesor. Ato nuk presin që të rriten ekspozimi ndaj rrezikut operativ të punës, ndërsa burimi i financimit të aktiviteteve të tyre vazhdon të dominohet nga kursimet thuhet në Anketën për pritjet e bankave lidhur me planet dhe rreziqet e punës në vitin 2020 , të realizuar në tremujorin e parë të këtij viti. Më shumë se dy të tretat e bankave presin rritjen e financimit të projekteve për hapësirë afariste, pjesa më e madhe e bankave thonë se do të ketë rritje më të vogël të kredive konsumatore, ndërsa presin përkeqësim të cilësisë së kredive konsumatore që nuk janë siguruar. Pritjet për rreziqet në punën e tyre për sivjet janë të ngjashme me periudhën para vitit 2020. Ato bazohen edhe në rregullativën e përforcuar të Bankës Popullore, përfshi edhe sigurinë e hapësirës digjitale dhe të të dhënave, infrastrukturës së Teknologjisë Informatike etj.
Shumica e bankave thonë se nevojitet konsolidim i mëtejshëm i sektorit bankier, ndërsa konkurrencën në këtë sektor e vlerësojnë si të lartë, që është edhe produktive në aspekt të avancimit të shërbimeve dhe prodhimeve të tyre. Anketat zbatohet nga ana e Bankës Popullore dhe pasqyron pritjet dhe vlerësimet e bankave për të ardhmen. Ndryshe, në vitin 2019 kreditë e këqija kanë marrë pjesë me 4.6 për qind në totalin e kredive, ndërsa në vitin 2018 kanë marrë pjesë me 5.1 për qind në totalin e kredive. (koha.mk)