Rrjedhja e dokumenteve në të ashtuquajturën “Football Leaks” hodhi dritë mbi një skandal të madh, në trajtimin e respektimit të Fair Play-t Financiar nga ana e dy klubeve të mëdha europiane, Manchester City dhe Paris Saint Germain.
Sipas informacioneve të publikuara, struktura të larta pranë UEFA-s, kanë “mbyllur sytë” ndaj rasteve të shkeljeve të konstatuara nga këto dy klube, të cilat kanë përfituar për të shkaktuar edhe një lloj inflacioni në botën e futbollit.
Megjithatë si Paris Saint Germain, ashtu edhe Manchester City, tashmë do të duhet të shqetësohen sërish, pasi institucioni drejtues i futbollit europian theksoi se është gati të rihapë një hetim ndaj tyre.
“Nëse ka pretendime se klube të caktuara janë favorizuar gjatë shqyrtimit të respektimit të Fair Play-t Financiar, atëherë ne jemi gati të rihapim edhe njëherë dosjet e tyre, për t’i analizuar nga e para”, tha UEFA në një deklaratë.