Në Universitetin Shtetëror të Tetovës sot u mbajt konferenca e katërt shkencore ndërkombëtare me temë “Efektet ekonomike të proceseve migruese në Ballkanin Perëndimor”. Kjo konferencë u organizua nga Fakulteti Ekonomik dhe Fakulteti i Administrimit të Biznesit – Kumanovë, i Universitetit të Tetovës, në bashkëpunim me Fakultetin e Biznesit të Universitetit ,”Haxhi Zeka” nga Peja e Republikës së Kosovës. Prorektori për Financa i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Alifeta Selimi, në hapjen e kësaj konference u shpreh se organizimi i një evenimenti të këtillë është tejet i rëndësishëm, nga vetë fakti se trajton çështjet ekonomike dhe problematikët e migrimit. “Dëshiroj që në emër të Rektorit të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, t’ju përshëndes për organizimin e kësaj konference të rëndësishme shkencore me karakter ndërkombëtar, e cila në programin e saj të punës do të trajtojë çështjet ekonomike dhe problematikën e migrimit. Vetë pjesëmarrja e ekonomistëve të njohur dhe të shkencëtarëve të kësaj fushe, e dëshmon seriozitetin dhe nevojën për të organizuar takime të këtij niveli shkencor. Me këtë rast, do të doja t’u drejtoj një falënderim të veçantë organizatorëve të këtij tubimi shkencor, Universitetit ,,Haxhi Zeka” nga Republika e Kosovës, Fakultetit Ekonomik dhe Fakultetit të Administrimit të Biznesit të Universitetit tonë, për organizimin e shkëlqyer të Konferencës së katërt shkencore ndërkombëtare, me temë: ‘Efektet ekonomike të proceseve migruese në Ballkanin Perëndimor’. tha Prof. Dr. Alifeta Selimi. Ai, më tej shtoi se në rajonin tonë, por edhe më gjerë, dekada e fundit ka vënë në dukje shumë sfida, probleme dhe çështje ekonomike, ndikimi i të cilave për nga ndjeshmëria dhe efektet kalon përtej mjedisit ku ne jetojmë dhe në këtë mënyrë merr përmasa globale. “Në mesin e këtyre sfidave mund të përmendim globalizimin në shumë fusha, si në ekonomi, arsim, kulturë, etj. Sot, pjesa dërmuese e shteteve ballafaqohen me rënie ekonomike dhe realizimin e projeksioneve të tyre, prandaj ekspertiza ekonomike dhe njohësit e mirë të saj duhet të marrin rolin që u takon në evitimin e krizave në vend dhe rajon, për të parandaluar problemet dhe përplasjet sociale. Analiza ekonomike, sot është çështje aktuale për rajonin tonë dhe më gjerë, por kjo tematikë bëhet edhe më e veçantë për shoqëritë në tranzicion, të cilat synojnë integrimin euroatlantik dhe zhvillimet e trendeve bashkëkohore globale. Ne besojmë se kjo konferencë, që ka tubuar rreth 100 pjesëmarrës, akademikë, mësimdhënës, punonjës shkencorë dhe profesionistë të fushës ekonomike, përmes ideve dhe mendimeve shkencore do të jep kontributin e saj në orientimin e politikave më të favorshme ekonomike”, theksoi Selimi. Rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”, Prof. Dr. Fadil Millaku tha se, organizimi i konferencës së përbashkët mes dy universiteteve është një dëshmi e fortë për bashkëpunimin e ndërsjellë që dy institucionet tona kanë mes veti. “Është kënaqësi që të jemi sot këtu si bashkë organizatorë të kësaj konference ndërkombëtare, ku si temë qendrore ka ‘Efektet ekonomike të proceseve migruese në Ballkanin Perëndimor’. Kjo konferencë, përveç prurjeve të reja shkencore që do të sillen nga studiuesit e kësaj fushe do të kontribuojë edhe në ngritjen e cilësisë në arsim. Universitetet kanë dy komponenta shumë të rëndësishme, njëra është mësimdhënia dhe tjera hulumtimi, apo kërkimet shkencore. Unë si Rektor i Universitetit ,,Haxhi Zeka” të Pejës, gjithmonë i kam mbështetur dhe vazhdoj t’i mbështes studiuesit të cilët angazhohen në hulumtimet shkencore. Besoj se në të ardhmen ky bashkëpunim si me këtë konferencë do të forcohet edhe më shumë”, deklaroi Prof. Dr. Fadil Millaku. Dekani i Fakulteti Ekonomik të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Raman Ismaili tha se në këtë konferencë marrin pjesë me kumtesat e tyre një numër i madh studiuesish vendorë dhe ndërkombëtarë. “Pjesëmarrja e një numri të madh të hulumtuesve vendorë dhe ndërkombëtarë, të shkencave ekonomike, organizative e sociale, në fusha të ngushta të cilët do të trajtojnë tema me karakter shkencor dhe profesional, të sfiduara nga zhvillimet e proceseve migruese të kohës, dëshmojnë rrugëtimin drejtë avancimit shkencor, profesional dhe institucional të universiteteve tona. Cilësinë e të arriturave të kësaj konference bindshëm do ta rrit diversiteti i mendimit shkencor i shprehur në shumëllojshmërinë e punimeve shkencore dhe profesionale në ëndvështrimin e qasjeve kontraverse kundrejt dimensioneve të ndryshme të proceseve migruese të Ballkanit Perëndimor”, shtoi Ismaili. Koordinatori i konferencës, Prof. Dr. Etem Iseni vlerësoi se tema boshte e konferencës është shumë aktuale dhe ka karakter multidiciplinar, e cila mund të trajtohet nga shumë aspekte, si nga aspekti ekonomik, politik, social, demografik etj. “Procesi i migrimeve është proces që daton që nga kohërat e lashta. Lëvizjet migruese kanë shkaqe të shumta, ku në radhë të parë është kërkimi i kushteve më të mira ekonomike për jetesë. Përveç arsyeve ekonomike, shumë të shpeshta janë migrimet për arsye politike, për arsye të sigurisë, si dhe arsye të tjera. Në këtë konferencë, studiues të shumtë kanë bërë hulumtime të ndryshme, janë bërë analiza kost-benefit dhe janë nxjerrë përfundime të vlefshme, në kuptim të avantazheve dhe disavantazheve të vendeve nga të cilat migrojnë njerëzit dhe të shteteve që i pranojnë emigrantet”, nënvizoi Prof. Dr. Etem Iseni. Konferenca punimet i zhvilloi në pesë sesione ku morën pjesë mbi 100 studiues nga vendi, Kosova, Shqipëria, dhe vende të tjera të Evropës dhe Botës.