Aktualisht institucionet janë peng i zgjedhjeve. Sa më parë që do të ketë zgjedhje, institucionet do te jen më funksionale se aktualisht. Vetëm zgjedhjet janë proces që prodhojnë institucione me kredibilitet dhe me legjitimitet politik, vlerësojnë analistët
Destan JONUZI
Shkup, 2 qershor – Në pritje të një takimi të ri të mundshëm liderësh te Presidenti Stevo Pendarovski në të cilën pritet marrëveshje mes partive politike për datën e zgjedhjeve, ambasadori i Francës në vend Kristijan Timonie thotë se do të ishte mirë që zgjedhjet të mbahen sa më parë. “Ne të gjithë punojmë nën presion të këtyre çështjeve lidhur me shëndetin e njerëzve që janë prioritet dhe nuk duhet të harrojmë se shoqëritë tona demokratike kanë nevojë për institucione funksionale pasi vështirësitë më të mëdha pastaj do të paraqiten që të qetësohen pasojat nga epidemia. Duhet të sillen disa masa ekonomike dhe vendime që do të mund të miratohen vetëm nga ana e institucioneve legjitime, ndërsa kur do të ndodhë votimi është vështirë të përgjigjet. Dëshira jonë është sa më shpejt, ndërsa kur mendoj sa më shpejtë të jetë e mundur, për këtë nevojitet vendim politik, por edhe objektiv e cila bazohet në gjendjen shëndetësore të vendit”, thekson ambasadori.
Jozyrtarisht, si datë e mundshme për organizimin e zgjedhjeve që qarkullon në opinion është 5 korriku, por zyrtarisht marrëveshje për këtë ende s’ka. Partitë politike nuk fshehin se ka komunikim të ndërsjella rreth caktimit të datës, por asgjë nuk bëjnë publike nga këto takime. Në ndërkohë Presidenti Stevo Pendarovski ka shpallur edhe për 15 gjendje të jashtëzakonshme në vend. LSDM, fillimisht insistonte që zgjedhjet të mbahen më 21 qershor, gjegjësisht 22 ditë pas mbarimit të gjendjes së jashtëzakonshme. Nga LSDM-ja për KOHA thonë se të gatshëm të bisedojnë për një datë kompromisi me partitë politike në vend. Ndërsa nga VMRO-DPMNE-ja nuk japin hollësi për bisedimet partiake me LSDM për një datë të mundshme për organizimin e zgjedhjeve. Sekretari gjeneral i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev së fundmi në deklaratën e tij ka qenë i prerë se zgjedhje në korrik nuk do të ketë, ndërsa në rast se ndodhin, të gjitha opsionet janë të mundshme, duke përfshirë edhe bojkotin.
Gazetari Berat Azizi thekson se zgjedhjet e shpejta mund të na sjellin institucione më funksionale në krahasim me atë që po ndodh tani, por nuk do të na sjellin institucione të pavarura nga politika ditore apo nga interesa tjera. “Zgjedhjet e shpejta në kohë pandemie mund të bëjnë që të kemi institucione jofunksionale për shkak të rritjes enorme të numrit të të prekurve me Kovid19. Nëse zgjedhjet mbahen shpejt dhe vëmë në rrezik shëndetin e qytetarëve atëherë institucionet do të jenë të pafuqishme për tu përballur me krizën pavarësisht se do jenë institucione fuqiplote. Unë mendoj se zgjedhjet qofshin të shpejta apo të mëvonshme nuk luajnë ndonjë rol të madh në funksionimin e institucioneve nëse vetë drejtuesit e tyre nuk mbështeten në ligjet dhe zbatimin e tyre në praktikë. Pra ne edhe më herët kemi pasur qeveri të rregullt, por disa institucione nuk kanë funksionuar si duhet dhe gjithmonë kanë qenë nën diktatin e politikës ditore”, deklaroi Azizi. Sipas tij, në Maqedonia duhet të instalohet një sistem i drejtë dhe ligj zbatues për të gjitha institucionet pavarësisht se cila parti e drejton atë që të mos kemi ndërprerje të punës së atij institucioni. “Në shumë vende evropiane asnjëherë nuk ndjehet mungesa e institucioneve edhe pse ka raste kur një qeveri teknike funksionon më shumë se 1 apo dy vite”, nënvizon ai. Profesori universitar, Bashkim Selmani, vlerëson se për ekonomin e vendit zgjedhjet e shpejta janë të arsyeshme. “Për ekonominë e vendit, zgjedhjet e shpejta, janë të arsyeshme por me kusht themelor të respektohen të drejtat procedurale dhe të jenë me nivel demokratik dhe me standarde evropiane. Situata aktuale e ngërçit institucional neglizhon dhe i kufizon të drejtat e qytetarëve . Shikuar në këtë prizëm, politika dhe partitë edhe në këtë situatë mbrojnë interesat grupore dhe jo ato publike. Aktualisht institucionet janë peng i zgjedhjeve, sa më parë që do të ketë zgjedhje institucionet do te jen më funksionale se aktualisht”, vlerëson Selmani.
Juristi, Qenan Aliu, konsideron se në një situatë kur vendi është pa Parlament funksional dhe sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese nuk mund të rimblidhet, krijohet një miopi juridike dhe politike, e cila komplikon situatën. “Pa Parlament dhe me qeveri teknike pa legjitimitet të plotë politik dhe vetë ngulfatja nga pandemia shoqërinë mund ta çojë në shpërthim të përplasjeve shumë dimensionale. Pra vetëm zgjedhjet janë proces që prodhojnë institucione me kredibilitet dhe me legjitimitet politik, nuk ka formë tjetër. E tani a sjellin zgjedhjet e shpejta institucione funksionale pyetni ju- nuk mund të them por është e njohur se zgjedhjet tregojnë se kush do të qeveris e jo se si do të qeverisin. Qeverisja vlerësohet më pastaj”, thotë Aliu.
Ndryshe, fillimisht zgjedhjet ishin caktuar më 12 prill, ndërsa Parlamenti u vetëshpërnda me 16 shkurt, prej kur edhe nuk është në funksion. Rasti i parë i të infektuarit me Kovid19 ishte regjistruar dhjetë ditë më vonë më 26 shkurt, ndërsa Presidenti Pendarovski gjendjen e parë të jashtëzakonshme e shpalli me 18 mars. E dyta ishte me kohëzgjatje prej 30 ditësh, ndërsa e treta prej 14. Me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme i mundësohet Qeverisë që të miratojë dekrete me fuqi ligji duke marrë parasysh se Parlamenti nuk funksionon dhe nuk ka kush të prodhojë ligje. Në anën tjetër, deri te vendimi për zgjedhje të parakohshme parlamentare vendi erdhi pas presionit të opozitës mbi pushtetin për mos marrjen e datës për fillimin e negociatave me BE-në në tetor të vitit 2019. (koha.mk)