Mbetet në të ardhmen që të rritet vetëdija për pasojat e ndryshimeve klimatike në bujqësi dhe përshtatjes ndaj tyre me masa përkatëse si dhe investimi më i madh i shtetit në metodat shkencore që do të mundësojnë të merremi me shkaqet dhe jo pasojat e këtij problem thonë ekspertët
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 26 nëntor – Ndryshimet klimatike në vitet e fundit si ndryshimet e sasisë, intensitetit dhe shpërndarjen e reshjeve për një sezon, përmbytjeve, periudha të gjata të thatësisë, etj po ndikojnë me të madhe edhe në prodhimtarinë bujqësore dhe blegtorale në bujqësinë në tërë botën. Edhe në Maqedoninë e Veriut ndryshimet ekstreme të motit po dëmtojnë punën e fermerëve. Vetëm sivjet që nga fillimi i muajit qershor ka pasur vetëm pesë ditë me shi dhe gati 14 ditë me shi të përkohshëm, apo me fjalë të tjera mbi 160 ditë nuk kemi pasur reshje të shiut që ka ulur si nivelin e ujit nëpër liqene , por edhe ka shkaktuar telashe për punën e bujqve.
Vjeshta pa shi, thatësia, dhe reshjet e pakta të borës edhe përgjatë stinës së dimrit kanë sjellë edhe mbjellje të vonshme, ulje të rendimenteve të kulturave bujqësore, bile viteve të fundit po zhvendoset edhe kalendari i aktiviteteve bujqësore.
Ekspertët bujqësor thonë se fermerët nevojitet se vjen e më shumë të përshtaten ndaj ndryshimeve klimatike. Vaditja atje ku ekzistojnë sisteme për vaditje, përdorimi i farave që janë të qëndrueshme ndaj thatësirës janë vetëm një pjesë e masave që rekomandojnë njohësit e kësaj lëmie. “Disa nga masa që mund të përdoren janë edhe vaditja pikë për pike, konservimi i ujit dhe truallit, masat për uljen e erozionit të tokës, kultivimi i kulturave të reja, rritja e materies organike, etj. Megjithatë zbatimi i masave të tilla është i kushtëzuar edhe nga mundësia e vogël e fermerit në vend për investime“, thotë eksperti Ordan Çukaliev. Sipas tij, një nga mundësitë e zgjidhjes së këtij problem është edhe sigurimi i të mbjellave që kërkon edhe mbështetjen më të madhe të shtetit dhe zgjidhjen e më shumë problemeve siç janë kompensimi i dëmeve ku shteti merr rolin e kompensimit të dëmeve. Mbetet në të ardhmen që të rritet vetëdija për pasojat e ndryshimeve klimatike në bujqësi dhe përshtatjes ndaj tyre me masa përkatëse si dhe investimi më i madh i shtetit në metodat shkencore që do të mundësojnë të merremi me shkaqet dhe jo pasojat e këtij problem thonë ekspertët.
Analizat e ndryshme sugjerojnë që gjatë menaxhimit me resurset ujore të vendoset prioritetet për përdorimin e ujit të pastër, të rritet efikasiteti për përdorimin e ujit si dhe kontrolli dhe përcjellja e shfrytëzimit të ujërave. Sugjerohet edhe instalimi i rezervuarëve të vegjël për ujë në fermat bujqësore, rritje apo zmadhim i kapacitetit të akumulimit të ujit të shiut, rrjedhje e zvogëluar nëpërmjet të krijimit të gjelbërimit kufizues dhe tamponëve ( buçë dheu, dhe me barë, therrave, kaçubave), mbjellje e pyjeve.
Ndër sugjerimet e tjera janë edhe ndryshimet e kulturave në rajonet të cilat janë të ndejshme ndaj thatësirave, trajnim i bujqve për ruajtjen e ujërave nga të reshurat në regjionet të prira ndaj përmbytjeve me kompensim adekuat. Rekomandohet edhe apo përdorim i llojeve dhe farave më produktive, kultivim i kulturave që rriten shpejtë që të maksimalizohen rendimentet, si dhe të atyre dhe që janë rezistente ndaj ngricës dhe thatësirave. Ndryshe, me ndihmën e FAO-s, Ministria e Bujqësisë do të përgatisë strategjinë që do të tregojë dhe definojë se cilat janë problemet e zhvillimit dhe qëndrueshmërisë së sistemeve të vaditjes në Maqedoni në 20 vitet e fundit. Do të përcaktohet edhe nevoja për investime në infrastrukturën ekzistuese si dhe të ndërtimit të rrjeteve të reja të vaditjes në bazë të kërkesave dhe nevojës së prodhimtarisë bujqësore. Do të punohet edhe në përforcimin e sistemit për ndjekje dhe paralajmërim të hershëm për kushtet ekstreme të motit, zhvillimin e kapaciteteve tek institucionet më të rëndësishme në fushën e agro meteorologjisë, kontrollin e sëmundjeve tek bimët, masat për përshtatjen e kafshëve ndaj ndryshimeve klimatike, vendosjen e sistemit agro-ekologjik informativ dhe zonave agro-ekologjike etj. (koha.mk)