Është vështirë që tani të parashikohet se për sa do të jenë faturat më të vogla për qytetarët, mirëpo bazuar në përvojat e shteteve që kanë zëvendësuar rrymën me gaz për ngrohje , ujë të ngrohët dhe përgatitje të ushqimit, mund të thuhet se harxhimet kanë shënuar një ulje prej 70 deri 75 për qind
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 15 shkurt – Qytetarët dhe bizneset e Maqedonisë së Veriut pas pesë vitesh pritet që së paku të përgjysmojnë koston për harxhimin e energjisë me gazifikimin e vendit. Pritet që në fazën e parë komunat nga rajonet e Pollogut, Vardarit, dhe Pellagonisë së bashku me komunat që gravitojnë në qytetin e Shkupit të fitojnë gazin. Pritjet janë që pas përfundimit të ndërtimit të rrjetit sekondar që do të sjellë në fakt gazin tek përdoruesit, që kompania që do të përzgjidhet më së voni deri në fund të vitit 2020, edhe të ofrojë energji më të lirë në vitin 2025. “Është vështirë që tani të parashikohet se për sa do të jenë faturat më të vogla për qytetarët, mirëpo bazuar në përvojat e shteteve që kanë zëvendësuar rrymën me gaz për ngrohje, ujë të ngrohët dhe përgatitje të ushqimit mund të thuhet se harxhimet kanë shënuar një ulje prej 70 deri 75 për qind”, thotë drejtori i Resurseve Energjetike të Maqedonisë, Bajram Rexhepi. Sipas tij, realizimi i projektit të gazifikimit do të zgjidh edhe problemin e ndotjes së ajrit përgjatë dimrit, ndërsa gazifikimi do ti jepe mbështetje edhe zhvillimit të ekonomisë.
Njëherësh është siguruar edhe grant prej dhjetë milion euro nga VEF, që do të sigurojë krahas furnizimit nga Bullgaria, edhe një furnizim tjetër përmes Greqisë që do të lidhe Maqedoninë me gazsjellësin TANAP dhe TAP në pjesën jugore. Në përgatitje e sipër është edhe studimi fizibiliti që do të mundësojë që edhe Kosova të fitojë gaz përmes Maqedonisë. Nga ana tjetër, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi pret që në thirrjen publike për partneritet privat-publik që do të zgjasë 120 ditë apo deri më 9 qershor të paraqiten kompani serioze që do të investojnë 300 milionë euro në financimin, projektimin, ndërtimin, menaxhimin,mirëmbajtjen dhe zhvillimin e sistemit shpërndarës të gazit në Maqedoninë e Veriut. “Pasi të zgjidhet, partneri privat është i detyruar brenda jo më pak se katër vitesh nga marrja e lejes ndërtimore të ndërtojë së paku 50 për qind nga rrjeti i parashikuar i shpërndarjes së gazit natyror në komunat urbane si dhe të paktën 20 për qind në komunat rurale”, shton më tej Bekteshi. Ai thekson më tej se pritet që të paraqiten kompani serioze për ndërtimin e rrjetit sekondar për shkak se nga bizneset kërkohen dhe kushte serioze si të kenë përvojë së paku pesë vjeçare në shpërndarjen e gazit natyror, të kenë së paku 100 mijë përdorues, të kenë të paktën 150 milionë euro të ardhura vjetore në tre vitet e fundit e kështu me radhë.
Pritet që në vitin 2020 të përfundojë edhe ndërtimi i rrjetit sekondar. “Për periudhën e ardhshme janë siguruar kredi prej bankat komerciale në vlerë prej 90 milion euro për rrjetin primar dhe është përgatitur dokumentacioni i nevojshëm për ndërtimin e sistemit kombëtar të tubacionit gazit me një gjatësi prej 204 kilometra. Pritet që tremujorin e katërt të këtij viti të përfundojë ndërtimi i këtij rrjeti prej Shkupi përmes Tetovës deri në Gostivar , është përfunduar rrjeti Shtip-Negotinë ndërsa pritet që në tremujorin e katërt të përfundojë ndërtimi prej Kavadari deri në Manastir”, shton më tej Bekteshi. Sipas tij, ky investim do të ketë një rëndësi të madhe edhe për kompanitë ndërtimore në vend që në pjesën më të madhe edhe do të inkuadrohen në ndërtimit të rrjetit sekondar të rrjetit në vend.
Nga koncesioneri i ri do të kërkohet që kyçja për përdoruesit të mos jetë më e lartë se 100 euro, ndërsa ka mundësi që me kalimin e kohës ajo ë jetë edhe me kosto zero. Pritet që adaptimi i pajisjeve shtëpiake për përdorimin gazit të kushtojnë afër 1.500 euro për një amvisëri mirëpo duke marrë parasysh edhe konkurrencën e madhe të kompanive private në këtë sektor tek bojlerët apo shporetet me gaz, pritjet janë që ky harxhim të jetë edhe më i vogël. Shqyrtohet edhe mundësia që të subvencionohen një pjesë e këtyre shpenzimeve për pranuesit e ndihmave sociale, apo të mbulohen harxhimet përmes kredive të buta me kamatat shumë më të ulëta dhe periudhë më të gjatë të kthimit të kësteve. (koha.mk)