Arsimi dhe puna edukative në shkollë e gjetiu të orientohet dhe të kontribuoj tek të rinjtë të jenë tolerant dhe ta përforcojë vetëdijen për pranimin e diversiteteve dhe dallimet me të cilat jetojmë në shoqëri
Nga Xheladin MURATI
Toleranca paraqet fenomen shumë të rëndësishëm në funksionimin e shoqërisë. Ajo në fakt tregon vetëdijen për dallimet që ekzistojnë dhe aftësinë për zbutjen apo afrimin e tyre. Në këtë kontekst tolerancën e trajtojmë si forcë alternative për mënjanimin e konflikteve të interesave dhe mosmarëveshjeve si dhe të dhunës. Prandaj edukimin për tolerance e trajtojë si nevojë qenësore.
Mendoj se tolerance, siç kuptohet nga vetë fjala, është pranim i tjetrit (me të gjitha mangësitë dhe përparësitë që ka) si kusht për ndërtimin e marrëdhënieve shoqërore midis njerëzve. Intoleranca është gjendje e njeriut për të shprehur, njohuritë, gjykimet, ndjenjat, mllefin, pakënaqësitë, qëndrimet mohuese e destruktive, pakënaqësitë të tij, duke mos i respektuar në të njëjtën kohë të drejtat dhe preferencat e të tjerëve.
Për shumë njerëz toleranca është një zgjedhje e shkëlqyeshme për eliminimin e ndasive dhe afrimin e dallimeve. Toleranca është gjendje (emocionale, gjendje besimi) e cila krijon situate e nxitur nga mjegullimi i mendjes ku arsyet shpiken dhe krijohet situatë. Kjo krijohet duke përmendur fjalor urrejtjeje, fyerje, nënçmimi, poshtërimi, diskriminimi dhe përjashtimi të tjerëve. Toleranca në fakt, tregon nivelin e edukimit, ajo synon të ndërtohet besim i ndërsjellë. Besimi kërkon vite të ndërtohet, sekonda të thyhet dhe një përjetësi të rindërtohet.
PREMISAT
- Toleranca realizohet kur mes palëve ka komplementaritet e jo subordinaritet.
2.Toleranca është bazë për shoqëri multietnike, multikulturore dhe multifetare.
- Pranimi i tjetrit është një kërkesë morale e shoqërore.
- Shkolla duhet të ndërtoje vlera pozitive, vlera demokratike që janë kontribuuese për tolerancën.
- Edukimi për tolerancë kurrë nuk ka afat skadimi, mbetet synim dhe nevojë e kohës.
QASJET DHE ASPEKTET
Toleranca me bindje mund të prodhojë vetëm mirësi, mirëkuptim dhe respekt e harmoni ndaj të ndryshmit. Ndërkaq intoleranca pengon arritjen e qëllimeve të mira, krijon përçarjen e njerëzve dhe nxënësve nëpër shkolla. Toleranca rezulton si nevojë dhe domosdoshmëri e shoqërisë multietnike ku të gjitha etnitetet kanë të drejt të jenë të lirë, të barabartë.
Unë besoj se toleranca në rrethanat tona dhe aktualitetin politik nuk është në gjendje praktikisht ta zgjasë periudhën e mirëqenies. Por sa realiste është kjo? Mendoj se ajo që mund të arrihet është një qasje produktive jo e reduktuar. Toleranca ka për qëllim të rregullojë vetëm qarkullimin e ideve dhe mendimeve, por edhe kjo nuk mund të realizohet brenda dy palëve nëse negociatat për zgjidhjen e problemeve fillojnë nga pozita subordinare sipas parimit “unë kam të drejt ti jo”.
Toleranca reduktive e bën situatën e komunikimit edhe më të rrezikshme dhe të paparashikueshme se nga nisma e inicuar. Për tolerancën mund të flasim nga aspekte të ndryshme, meq ajo është e nevojshme në çdo sferë të jetës shoqërore. Prandaj flasim për: gjeopolitika dhe toleranca, toleranca dhe konfliktet, toleranca fetare, tolerancë sociale, toleranca politike, tolerancë etnike,edukim për tolerancë etj. Ka më shumë parime mbi të cilën mbështetet toleranca, këtu po përmendi vetëm disa: parimi i veprimit: “secili për vete”, parimi ” kuptojini më mire të tjerët”, ” largimi i stresit” parimi “të ndjeheni më të lidhur”, parimi “të gjithë për të gjithë”dhe parimi “Ne dhe ata”.
Në fakt, tolerance e mirëfilltë nuk vepron sipas parimit “secili për vete”, ajo kërkon veprim “të gjithë për të gjithë”. Pikërisht edukata e mbështet këtë parim, madje qenësisht e realizon. Thjesht edukata për tolerancë do të thotë përpjekje për zhvillimin e cilësive pozitive e sociale të individit (respektit, korrektësisë, pranimit të tjetrit, paqes,drejtësisë, miqësisë etj.). Po a ka tolerancë në shoqërinë tonë e cila deklarohet si multietnike, multifetare, multikulturore? Bëhen përpjekje për të zhvilluar tolerancë, por ajo dështon. Toleranca multietnike në Maqedoni mungon, madje ajo edhe ashpërsohet. Pavarësisht faktit se bëhen përpjekje për të treguar se ka tolerancë, ajo mungon madje mungon pikërisht në arsim e në politikë. Le të marrim si shembull ngjarjet me shkollat në Komunën e Çashkës , shkollën në fshatin Idrizovë të Shkupit, gjimnazin e Tetovës, shkollën fillore Migjeni në Tetovë. Në të gjitha këto nxënësit maqedonas nuk mësojnë bashkë me shqiptarët, janë ndarë në shkolla të veçanta. Pyesim ku është edukata dhe politika. Ato nuk kanë forcë për të ndërtuar tolerancë, apo dikujt kjo i pëlqen? Kjo tregon faktin se maqedonasit nuk u treguan zemërgjerë ndaj shqiptarëve jo vetëm në këto raste por gjithmonë ndodh kjo.
Intoleranca shkakton apo nxit më shumë pasoja negative:
– gjuhën e urrejtjes së tjetrit;
– bën thellimin e urrejtjes ndëretnike;
– gjuha e urrejtjes nuk ndëshkohet;
– intoleranca shpejt transformohet në dhunë;
– mungesa e tolerancës rrënon ndërtimin e një shoqërie demokratike;
– intoleranca sjellë ndarje etnike të njerëzve dhe të nxënësve nëpër shkolla.
Për shkak të këtyre karakteristikave unike intoleranca mund të zgjerohet më gjerësisht në jetën e përditshme dhe në sistemin arsimor. Thjesht nuk është tolerance nëse mohohet gjuha shqipe nga maqedonasit, nëse gjuha pengohet të realizohet si gjuhë e barabartë e kulturës, shkencës e arsimit dhe e politikës, nuk është tolerance nëse pengohen të drejtat, liritë dhe barazia e tjetrit.
Përmes shkollës, mësimit, përmbajtjeve të librit duhet të ndërtohet vetëdije e mjaftueshme për të vlerësuar dallimet, për ti afruar ato dhe për të ndërtuar harmoni. Kjo nënkupton se përmbajtjet mësimore, puna edukative duhet të jenë të përshtatshme për të nxitur dhe afirmuar tolerancën. Përndryshe mungesa e tolerances nxit dhunë të natyrave të ndryshme. Neni 5 i Ligjit për arsimin fillor në Maqedoni shkruan qartë: “Të punësuarit në shkollat fillore janë të obliguar të promovojnë barazi mes të gjithë nxënësve dhe aktivisht t’i kundërshtojnë të gjitha llojet e diskriminimit dhe dhunës. Shkollat janë të obliguara që në programet vjetore për punë të planifikojnë edhe program për promovimin e mirëqenies së nxënësve, mbrojtjes nga dhuna, nga keqpërdorimi dhe mospërfillja, parandalim të diskriminimit…”. Po sot kjo zbatohet?
E tëra kjo që u tha nuk mund të shpjegohet pa një komponentë të tretë po aq të rëndësishme – ndërgjegjësimi për tolerancë dhe shpjegimi i jetës, i sjelljes dhe të marrëdhënieve të ndërtuara mbi koncepte të kulturës, të barazisë e lirisë. Pranimi i tjetrit në veprimet dhe jetën e përditshme në kushtet e shoqërisë tonë ka një rëndësi të veçantë. Në rrethanat e jetës multikulturale pranimi i tjetrit shprehet si normë morale e sociale, si proces i bashkëjetesës së detyruar të etniteteve. Në fakt, kjo në shoqërinë tone, përkundër përpjekjeve për të siguruar tolerancën ndëretnike nuk realizohet si e tillë.
PËRFUNDIM
Në këso konteksti qasjesh toleranca qenësore që do zhvilluar si përgjigje ndaj sfidave për të komunikuar në drejtim të arritjes së mirëkuptimit dhe respektimit të ndërsjellë mes njerëzve dhe nxënësve nëpër shkolla e më gjerë në shoqëri duhet afirmuar dhe edukuar si vlerë e domosdoshme. Vlerësoj se pikërisht toleranca mund të kontribuoj në respektimin e dallimeve, në ndërtimin e vetëdijes për dallimet në shkolla, për ndalimin e gjuhës së urrejtjes në shoqëri, në mes etniteteve. Arsimi dhe puna edukative në shkollë e gjetiu të orientohet dhe të kontribuoj tek të rinjtë të jenë tolerant dhe ta përforcojë vetëdijen për pranimin e diversiteteve dhe dallimet me të cilat jetojmë në shoqëri.