Shkup, 3 dhjetor – Në katër shkolla fillore po trajnohen arsimtarë, për tu ligjëruar nxënësve fillorist edukim seksual. Ky është pilot projekt dhe fillimisht do të zhvillohet vetëm në katër shkolla. Në shkollën fillore “Liria” në Çair, “Bratstvo-Migjeni” në Tetovë, “Jan Amos Komenski” në Karposh dhe “Kuzman Shapkarev” në Draçevë. Ministrja për arsim Milla Carovska thotë se nxënësit për edukimin seksual duhet të mësojnë në bankat shkollore pasi siç thotë ajo, nxënësit për momentin mësojnë në mënyrë të gabuar përmes kanaleve youtube dhe rrjetet sociale.
“Nuk do të ketë lëndë të veçantë, as nuk do të angazhohen arsimtar special. Për atë janë të kyçur arsimtar në trajnime që në atë mënyrë në metodë të përshtatshme t’i transmetojnë njohuritë. Pasi që për momentin nxënësit jo që nuk mësojnë, por mësojnë në kanale ku nuk janë të përshtatshme për zhvillimin e tyre”, deklaroi Milla Carovska – Ministre e Arsimit dhe Shkencës.
Një pjesë e prindërve përkrahin mësimin seksual në shkolla, ndërsa ka edhe të tillë që janë kundër. Hera është njëra prej organizatave joqeveriate që bën trajnimin e arsimtarëve. Ajo thotë se nuk do ta imponojnë edukimin seksual përpara se të ketë leje nga prindërit.
“Përballemi me rezistencën e prindërve, dhe unë këtë e prisja. Megjithatë ato janë gjenrata të cilët nuk kanë mësuar tema të tilla në shkollë, kanë jetuar në një kontekst tjetër politik dhe shoqëror. Sigurisht asgjë nuk imponohet dhe çdo medim është legjitim. Ajo që duam të themi se nuk duhet të jemi skeptikë në lidhje me këto tema sepse trajtohen tema që janë të rëndësishme dhe në dobi të fëmijëve të tyre”, theksoi Meri Cvetovska nga OJQ “Hera”.
Edukata seksuale në shumicën e vendeve në Evropë mësohet gjatë gjithë procesit arsimor, nga mësimi fillor deri në fund të shkollës së mesme. Në anën tjetër, në ato vende ku edukimi seksual nuk është pjesë e arsimit formal, nivelet e shtatzënisë për të miturit dhe infeksionet seksualisht transmetuese janë të shpeshta. Përmes edukimit seksual të rinjtë do të mësojnë çdo lloj dhune apo diskriminimi, por njëkohësisht dhe si mund ta mbrojnë veten e tyre.