Ndryshe nga e kaluara, në shoqërinë demokratike sot edukata dhe organizimi i saj duhet të ndjekin logjikën e zhvillimeve të tyre në shoqëritë e qytetëruara, në përputhje me kohën dhe arritjet e përgjithshme. Thjeshtë konceptin aktual të edukimit mund ta përmbledh në këto fjalë: të reflekton optimizëm, kujdes nga e kaluara, të jetohet e tashmja, e ardhmja tek vjen
Nga prof. Xheladin MURATI
Gjatë gjithë historisë, janë zhvilluar më shumë koncepte dhe qasje të edukimit, bazuar në faktorë të njohur dhe më pak të njohur social-pedagogjik. Krahasuar me veprimtaritë e tjera, edukata është më shumë e lidhur me regjimet politike. Ajo që e dallon edukatën nga veprimtaritë e tjera është shkalla e lartë e përkushtimit ndaj shoqërisë dhe gjeneratave të reja. Në këtë kontekst në historinë e pedagogjisë janë identifikuar tre modele kryesore: modeli aristokratik, modeli totalitar dhe modeli demokratik i edukimit.
Shqyrtimi i edukatës mes të kaluarës dhe të tashmë është proces që duhet mos e anashkaluar edhe krizën e krijuar të vlerave dhe ndërrimit të sistemit. Sot, edukata po ndryshon konceptin me të cilin është njohur në të kaluarën. Thjeshtë edukata është leksion, edukata është dashuri, edukata është tregim.
PREMISAT
Trajtimi i temës mbështetet në premisat vijuese:
- Edukata nuk shpërbëhet, ajo ndryshon.
- Edukata nuk është objektiv i gabuar.
- Edukata është më shumë një filozofi se sa një rregull apo parim.
4.Prosperiteti justifikon çdo gjë, pra edhe ndryshimet e edukatës.
QASJET DHE ASPEKTET
Rregullat e edukimit dhe fryma e saj (misioni, funksioni, synimet) në dekadat e fundit ndryshuan në mënyrë drastike. Këtu shtrohen pyetjet: A janë rregullat e reja të nevojshme dhe të domosdoshme? A është edukata proces më i vështirë sot sesa dje? Thjesht gjërat ndryshuan, ndryshuan edhe konceptet, qasjet ndaj edukimit, edukata u demokratizua, fëmijët më nuk mund t’i “gënjejmë”. Nëqoftëse edukatën e trajtojmë edhe si element stabiliteti dhe kohezioni social atëherë është interes më i madh i shoqërisë se sa veç pedagogjisë.
Pse sot edukata është në krizë? Ka shumë arsye si politike, ekonomike, shoqërore, sociale, tradicionale. Por edukata është në krizë edhe për arsye të skandaleve në shoqëri, të dukurive korruptive, të kompremetimit të njerëzve etj. Kriza është rezultat i demokratizimit të shoqërisë, i rënies së autoritetit dhe respektit, ndryshimi i stilit të jetës, i ndikimit të teknologjisë e të ngjashme.
A ka dyshime për funksionin e edukatës sot? Kam bindjen se dyshime ka dhe ato të natyrave të ndryshme. Rriten dyshimet nëse edukata do t’i përmbush detyrimet e saja, misionin dhe funksionin që e ka. Këto dyshime thuhen me zë të lartë sepse edukata vërtetë përballet me kriza. Sot edukata po ndryshon konceptin me të cilin është e njohur në të kaluarën. Ajo po modernizohet dhe teknologjia bashkëkohore e bën orientimin e saj, i jep përmbajtje, por jo gjithnjë pozitive e të arsyeshme. Tradicionalizmi në edukim lidhet me ndikimin që kanë elementet trashëguese formative dhe edukative në gjeneratat e reja. Përveç kësaj tradicionalizmi apo e kaluara presupozon ndikimet që ushtron ndaj jetës aktuale, ndaj veprimeve edukative konkrete. Megjithatë elementet e së kaluarës nuk janë të pajtueshëm me optikën profesionale të vlerësimit të procesit të edukimit.
Që edukata mos e humb vlerën, misionin dhe funksionin e saj sot duhet me reaguar me ngathtësi, të gjitha vlerësimet dhe mangësitë të shihen në kontekst më të gjerë, veçanërisht ndikimeve të teknologjisë dhe ndryshimeve rrënjësore të shoqërisë.
Edukata nuk është me të vërtetë e përkulur, por shumë rrethana dhe aspekte të tranzicionit demokratik tregojnë se edukata nuk ka pasur fuqi t’u rezistoj ndryshimeve. Ndikimet e saja fatkeqësisht vazhdojnë të sjellin kryesisht qasje formale, dhe kështu ndryshime strukturore të kufizuara dhe sipërfaqësore. Thuhet se janë bërë reforma në arsim me të cilat përfshihet edukata dhe procesi i edukimit, por dëshmitë e reformave të brendshme të edukatës janë të pakta dhe ato reforma më të pranishme janë në teori se sa në praktikë për të mbështetur procesin e bashkëkohësimit të edukatës.
Edukata duhet ta tregoj profilin e saj, ta funksionalizoj misionin dhe të tregoj se është e aftë të mbetet dhe të vazhdoj si faktor esencial për ruajtjen e dinjitetit njerëzor dhe kohezionin social të shoqërisë. Edukata sot duhet të përqendrohet tek e mira e kombit, tek vlerat e mirëfillta, tek rëndësia e shoqërisë dhe e zhvillimit, të cilat, të gjitha së bashku, mund t’i motivojnë njerëzit për të vepruar për të mirën e përbashkët.
Duket pra e qartë dhe mund të besohet se edukata zhvillohet mes demokracisë dhe trashëgimisë dhe ka funksion gjithnjë e më autoritare. Formulimi i edukatës dhe projeksioni i misionit dhe funksionit të saj nuk mund të ndikojnë në të kaluarën, por mund të ndikojnë në të ardhmen e supozuar evropiane. Rreziku kryesor që po i kanoset edukatës është nga partitë politike, politizimi dhe partizimi i saj i skajshëm. Kjo edhe më tepër e shton nevojën e menaxhimit të edukatës dhe orientimin e saj drejt mirëqenies sociale e shoqërore dhe njëherësh kombëtare.
Megjithatë edukata sot ka ndryshuar shumë. Le të marrim si shembull vetëm lojërat e fëmijëve. Pjesa më e madhe e fëmijëve luajnë me lojëra në pajisjet e tyre teknologjike dhe jo me ato tradicionale (llastik, litari, pllaka, symbyllazi etj.). Me këtë rast fëmijët nuk socializohen por individualizohen, nuk i njohin emocionet e tyre, nuk i dallojnë ndjenjat e të tjerëve. Ato nuk menaxhojnë me emocionet dhe nuk i përshtaten mjedisit e njerëzimit për të arritur qëllime të caktuara.
Me forcën e saj integruese, me funksionin e saj veprues, edukata është armë e pazëvendësueshme në orientimin individual dhe kombëtar.
PËRFUNDIM
Me procesin e edukimit dhe funksionin e edukatës në shoqëri nuk ka kompromise. Ajo duhet të eci përpara jo me shpejtësi të madhe, por e vendosur për të sjellë optimizëm realist në shoqërinë njerëzore.
Ndryshe nga e kaluara, në shoqërinë demokratike sot edukata dhe organizimi i saj duhet të ndjekin logjikën e zhvillimeve të tyre në shoqëritë e qytetëruara, në përputhje me kohën dhe arritjet e përgjithshme. Thjeshtë konceptin aktual të edukimit mund ta përmbledh në këto fjalë: të reflekton optimizëm, kujdes nga e kaluara, të jetohet e tashmja, e ardhmja tek vjen. Rregullat e edukimit në të ardhmen do të ndryshojnë në mënyrë drastike. (koha.mk)