Skepticizmi nuk duhet të errësojë ndjeshmërinë, maturinë dhe madhështinë e edukimit si proces i formimit të vlerave të personalitetit. Përkundrazi, vetëm optimizmi hap rrugë për projektimin e cilësive pozitive të individit në proces zhvillimi. Kufizimet dhe liritë në edukim synojnë një qëllim madhor në zhvillimin e fëmijës: ai të kuptoj dhe të mendoj me të vërtetë për sjelljen dhe veprimin e tij
Nga Xheladin MURATI
Autor të shumtë dhe studime të ndryshme flasin për kufizimet dhe lirinë në procesin e edukimit. Edukata si proces dhe aktivitet në realizimin e saj ka përveç lirisë edhe kufizime të caktuara. Madje edhe krahasimet në shoqëri dhe kultura të ndryshme flasin për kufizime. Këtu shtrojmë pyetjen: A ka liri absolute në edukim? Në ç’shkallë duhet të jetë liria? Po kufizimet në edukatë të cilës natyrë janë? Sa janë ato të pranishme në realitetin tonë? Çfarë duhet të jetë natyra e kufizimeve? Njëherit duhet të parashtrojmë edhe pyetjen: Sa duhet të ketë liri dhe kufizime në proces edukimi?
Premisat
- Ekziston një mendim i përgjithshëm se kufizimet në edukim duhet artikuluar.
- Është i pranishëm fakti se në procesin e edukimit liritë janë të tepërta dhe se ato duhet të kontrollohen.
- Kufizimet nuk duhet të krijojnë përshtypje se fëmija është lënë pasdore.
- Ka dallim mes kufizimeve dhe ndalesave.
QASJA DHE ASPEKTET
Në fakt në procesin e edukimit flasim për liri dhe demokraci, flasim për respektin e personalitetit. Po për çfarë kufizimesh mund të flitet? Meqë e kemi marrë këtë pyetje në shqyrtim do të ceki disa kufizime që janë të arsyeshme në procesin e formimit dhe të edukimit të individit. Të kësaj natyre janë: kufizimi dhe ndalimi i programeve pornografike, kufizimi dhe ndalimi i programeve politike, kufizimi dhe ndalimi i filmave që nxisin hakmarrje, shkatërrim, vëllavrasje, kufizimi dhe ndalimi i mediave sociale që bëjnë dezinformim dhe orientim të gabuar të procesit të edukimit, kufizimet dhe ndalimet e rrjeteve virtuale etj.
Pse duhet të ketë kufizime? Ka më shumë arsye, por mbi të gjitha është e arsyeshme sepse shumë programe krijojnë armiqësi në rritje, e bëjnë dezorientimin e procesit edukativ. Kufizimet janë të arsyeshme edhe nga një aspekt tjetër pedagogjik e social, të mbrohet fëmija, nxënësi nga fjalori jo i përshtatshëm, nga qëndrimet jo të arsyeshme, nga emocionet negative, nga kërcënimet, paragjykimet, fyerjet, poshtërimet.
Me fëmijët duhet të jeni të kujdesshëm dhe të vëmendshëm, veçanërisht kur atyre u keni vënë kufizime, ndalesa të natyrave të ndryshme. Mos u jepni shumë rëndësi sjelljes së keqe sepse ajo mund të sjellë përkeqësimin e saj. Fëmijët duhet ta ndjejnë arsyen e kufizimeve apo ndalesave. Studimet tregojnë se fëmijët e moshës më të vogël më shumë e shprehin pakënaqësinë, revoltën, kundërshtimin, bëjnë inat, manifestojnë zemërim sepse nuk e gjykojnë momentin. Duhet të kemi parasysh se procesi i edukimit nuk ndalet, ai është i pranishëm edhe kur fëmija është në gjendje kufizimi apo lirie. Në këtë proces kufizimi me rëndësi është fëmija të kuptoj se sjellja e tij ka nxit që të humbi lirinë e merituar. Funksioni parësor i kufizimeve apo ndalesave në edukim është të pengohen gjërat, mos të eskaloj sjellja në forma tjera negative. Sigurisht që është shumë vështirë të thyhen kufijtë që mbretërojnë në edukim. Por me durim e vullnet mund të arrihet edukimi bashkëkohor. Në dinamikën e jetës sociale dhe teknologjisë bashkëkohore në rritje procesi i edukimit rrezikohet të çregullohet. Prandaj ka arsye të ketë kufizime dhe ndalesa. Kjo edhe më fuqishëm e shtron arsyen e edukimit bashkëkohor dhe mediatik, nxënësit të aftësohen të mbrohen nga përmbajtjet e dëmshme.
Thjesht edukata përballet me probleme të natyrës dhe lirisë në formimin e personalitetit në nivel global shoqëror. Kjo imponon domosdoshmërinë që nxënësit të nënshtrohen në lirinë e pakufizuar, sepse shikimi i çdo gjëje në internet, në televizor, në film krijon mundësinë e abuzimeve të shumta, pasojat e të cilave reflektojnë gjerësisht në formimin e vlerave të individit. Këtu duhet të pajtohemi me faktin se kufizimet që përmendëm më lartë nuk do të thotë ndalesë e lirisë, përkundrazi do të thotë rregullim të çështjeve për funksionalizimin e detyrave të edukatës, misionit dhe funksionit të saj.
E vlerësoj qëndrueshmërinë e edukatës, mendoj se edukata do të bënte mire që të frymëzohej nga e ardhmja. Në këtë mënyrë do të mund ta “zbus njeriun e zemëruar” të sodit. Liria e edukimit duhet të mbetet baza e edukimit ndërsa kufizimet të zbuten. Por forca e edukatës të rritet. Edukata mbetet një forcë e rëndësishme dhe shtytëse pavarësisht kufizimeve të natyrave të ndryshme në mesin e faktorëve të shumtë. Liria e saj duhet të afirmohet dhe përkrahet. Të përkrahen vlerat dhe jo antivlerat që reflektojnë në kufizimet eventuale të saj.
PËRFUNDIM
Në edukim duhet të jemi këmbëngulës, saqë optimizmi të jetë i sigurt dhe mos ia lëshojë rrugën pesimizmit. Në fakt, skepticizmi nuk duhet të errësojë ndjeshmërinë, maturinë dhe madhështinë e edukimit si proces i formimit të vlerave të personalitetit. Përkundrazi, vetëm optimizmi hap rrugë për projektimin e cilësive pozitive të individit në proces zhvillimi. Kufizimet dhe liritë në edukim synojnë një qëllim madhor në zhvillimin e fëmijës: ai të kuptoj dhe të mendoj me të vërtetë për sjelljen dhe veprimin e tij.