Edukata kërkon rend, dije dhe aftësi

Edukatori, pedagogu duhet të jetoj gjithmonë me profesionin e tij, edukimin, mësimdhënien dhe menaxhimin e procesit të edukimit. Përveç sfidave në risi, kreativitet dhe punë, profesioni i edukimit, ka edhe sfida menaxheriale sidomos kur je pa përvojë në profesion

 

Nga Prof. Xheladin MURATI

Sot në garën për ndryshime dhe rritjen e shkallës së arsimit e diturive, gjithnjë e më shumë anashkalohet edukata dhe zëri i edukatorit. Ekziston mos integrimi i vlerave të edukatës me ato arsimore. Prandaj është koha e fundit për rikthimin e edukatës në shkollë. Napoleoni në kohën e ndërtimit të shtetit thoshte: “Pas bukës edukimi”, që do të thotë se në plan të parë e vë edukimin si faktor zhvillimi. Tek ne kjo sot mungon. Thjesht mendoj se edukata ndërton, korrigjon dhe avancon jetën. Pa edukatë humbet qëllimi themelor i jetës.

Advertisements

PREMISAT

  1. Edukimi në fëmijërinë e hershme përbën komponentën kyçe të prioriteteve pedagogjike.
  2. Edukata ka rregulla, sipas të cilave duhet të krijohet dhe bartet.
  3. Paedukata është mungesë e aftësisë për të krijuar marrëdhënie me njerëzit.
  4. Edukata është vlerë themelore e familjes, shoqërisë, kombit.
  5. Edukata e bën njeriun të shkëlqeje nga eleganca.

QASJET DHE ASPEKTET

Edukata na bën më të mirë, prandaj të mos lihet mënjan. Ajo është proces që na ndryshon e na përmirëson. Edukata është e rëndësishme sepse është arma më e mirë për ata që duan t’i rezistojnë të keqes e të përqafojnë të mirën, ndryshimin. Së pari ne nuk duhet të pushojmë së foluri e diskutuari rreth edukatës dhe arsimit, sepse, edhe pse thonë se këto janë klishe, ato janë të vetmet armë për t’i bërë ballë ndryshimeve.

Kuptimi i fjalës edukatë mendoj se e përcakton jetën e dinjitetshme të një individi, të shoqërisë, të familjes. Ajo përcakton vlerat themelore të individit. Edukata është kushti themelor i funksionalitetit të tërësisë së caktuar (familjes, grupit social, shoqërisë, komunitetit).Mungesa e saj tregon paaftësinë për të krijuar marrëdhënie dhe për të vendosur raporte në secilin rast e në secilën situatë kur gjendesh me njerëz. Forca e edukatës identifikohet me forcën e sjelljes së mirë. Forca e saj është kujdes për drejtësinë dhe përgjegjësinë. Për mua, jo vetëm që edukata në familje, në shkollë ka probleme, ajo gjendet edhe në krizë. Mungesa e saj reflektohet në kultivimin e modeleve të përshtatshme të sjelljeve. Prandaj kjo krizë është pikënisje për një fillim të ri të trajtimit. Shkolla dhe familja janë institucione bazë ku mësohet dhe edukohet. Mendoj se njerëzit duhet të kenë një kuptim të drejtë dhe gjithëpërfshirës për edukatën:

-ata duhet ta duan, ta respektojnë dhe bartin te brezat e rinj edukatën,

– ta bëjnë atë pjesë të qenies së tyre,

– ta duan njeriun dhe vendin e tyre,

– të duan përparimin dhe të synojnë jetë më të mirë për të gjithë,

– të kujdesen për veten, për familjen.

Kjo është esenca e edukatës.

Mendoj se pedagogjia nënkupton integritetin e edukimit dhe të arsimit. Kjo i jep arsyetimet teorike mbi edukatën. Edukata nuk mund të jetë e garantuar pa arsim, ndërsa arsimi pa edukatë është i zhveshur. Pra edukata paraqet forcë. Midis edukatës dhe arsimit ndërtohen lidhje të përditshme, konkrete me një dimension të gjerë e logjik. Veprimet edukative ka mundësi të jenë shpërthyese, emocionale e shumë më tepër racionale. Prandaj edukatori duhet të jetë i matur në veprime e reagime. Për këto dhe arsye të tjera është e domosdoshme aftësimi i edukatorëve, pedagogëve dhe studentëve të pedagogjisë në metodologji bashkëkohore të kërkimeve pedagogjike për të trajtuar aspekte të ndryshme të edukimit e të tejkalimit të situatave konfliktuoze.

Edukimi nuk është vetëm ndryshim për ndryshime por edhe zhvillim. Është e sigurt, se nuk ka ecje përpara pa vlerën bazë të edukatës mbase ajo e përcakton qëndrueshmërinë ndaj ndryshimeve dhe zhvillimeve. Në kuptimin më të gjerë edukata veçohet edhe me disa karakteristika të tjera poashtu të rëndësishme siç janë:

– njeriu të mos jetë rob i lakmisë personale, inateve dhe primitivizmave,

– të mos e lejoj padrejtësinë ndaj të tjerëve,

– të përkrahin njëri-tjetrin.

Vetëm kështu mund të kuptohet rëndësia e edukatës dhe kuptimi i gjerë i saj. Edukata zhvillon cilësitë e natyrshme të individit. Procesi i edukimit kërkon plane, caktim qëllimesh dhe veprim konkret me mjete adekuate. Ajo kontribuon në disa dimensione zhvillimore të indivdit. Edukata i pajis nxënësit me kurajë, me besim në vetvete, me shpirt iniciative, me aftësi për të menaxhuar kohën dhe vetveten. Një nga vlerat dhe mjetet kryesore me të cilat ndërtohet fizionomia njerëzore është edukimi. Edukata e bën urbanizimin e shpirtit dhe stilizimin arkitektonik të vetëdijes së njeriut. Është e nevojshme të fillohet me rikthimin e edukatës në shkollë. Mbase edukata është gjithnjë e arsyeshme. Për shkak se njerëzve u mungon edukata mirëfilltë, ata herë pas here reflektojnë sjellje jo adekuate. Shmangia e edukatës është kufiri i çdo sjellje devijante.

Kështu u krijua indiferenca ndaj edukatës, do të thosha pak injorimin e saj dhe favorizimin e anës materiale të mësimit, që në fakt është gabim. Zbatimi i forcës së edukimit nuk bën të ndalohet, sepse është me rëndësi strategjike. Ajo zë vendin që meriton në procesin e formimit të individit, të nxënësit pavarësisht faktit se edhe ajo ka kufizimet e saja. Nuk ka as edukatë ideale.

Mendoj se arsyet për mungesën e edukatës janë të shumta. Arsyet për mungesën e edukatës janë kushtet e edukimit dhe në veçanti mbizotërimi i antivlerave dhe vlerave kontradiktore në shoqërinë tonë, degjenerimi i shoqërisë nga pikëpamja etike – morale, pranishmëria e moralit të dyfishtë, tendencat morale që shndërrohen në sistem, kriminalizimi i shoqërisë që reflekton në sjelljen dhe respektimin e normave të edukimit e të ngjashme. Ashtu siç pritet, në një botë apo shoqëri që nuk e afirmon edukatën gjithmonë e më shumë, formimi i individit duket i destinuar të dështoj. Ne besojmë se duke e vënë edukatën në dispozicion të individit nuk do të thotë që ne duhet të bëjmë kompromis me cilësinë dhe përsosmërinë e përvojës së të edukuarit. Sepse edukata e mirë është lulja e jetës. Mirësjellja i ka rrënjët në edukatë të mirë dhe respekt. Mbase edukata prekën zemrën, thelbin dhe rëndësinë e vërtetë të nxënësit, të njeriut në përgjithësi. Edukata e mirë, funksionale dhe përmbajtësore është bazë e një komunikimi dhe mirësjellje të shëndoshë në përputhje me rregullat dhe zakonet, synimet dhe objektivat e shoqërisë. Kjo edhe për arsye se forca e individit vjen nga edukata. Madhështia e edukatës ndërton forcën e kombit. Thjesht edukata është edhe forcë edhe mençuri.

Edukata vepron si një faktor i ndryshimeve pozitive dhe nëpërmjet rolit të saj në ngritjen kulturore e arsimore të qytetarëve dhe në afirmimin e vlerave të edukatës kombëtare. Ndërkaq çdo gjë fillon në familje, ajo është oazë e edukimit dhe inkurajimit që t’i përkushtohesh jetës dhe shkollës. Prandaj edukata është sfidë institucionale, pedagogjike dhe shoqërore.

Edukatorët duhet ta konsiderojnë veten shumë më ekspresiv veçanërisht në procesin e edukimit me moshat e reja. Edukata është ajo që njerëzit e vërejnë më shumti në sjelljen e të tjerëve, ngaqë duket shumë haptazi në çdo detaj. Ajo e bën njeriun të shkëlqeje nga eleganca. Edukata është një nga shtyllat e qëndrueshmërisë, dhe më e rëndësishmja që është thelbësore në krijimin e të ardhmes njerëzore të qëndrueshme dhe të përbashkët.

PËRFUNDIM

Nga sa parashtruam më lartë del të konkludoj:

– Është evident fakti se, edukata në heshtje mungon në familje, në shkollë e gjetiu. Ajo më duket si një forcë e fshehtë, si një energji e niveleve të ndryshme, në lëvizje të ndryshme që konkretizohet në forma të ndryshme të sjelljes së njeriut.

– Avancimi i edukatës dhe vetëdijesimi i shoqërisë për rolin dhe misionin e edukatës është një ndër shtyllat kryesore për të cilën pedagogjia angazhohet dhe një fokus i tillë do të vazhdojë të qëndrojë edhe në të ardhmen.

– Edukatori, pedagogu duhet të jetoj gjithmonë me profesionin e tij, edukimin, mësimdhënien dhe menaxhimin e procesit të edukimit. Përveç sfidave në risi, kreativitet dhe punë, profesioni i edukimit, ka edhe sfida menaxheriale sidomos kur je pa përvojë në profesion. (koha.mk)