Janë bërë disa vite që djali nga Vlora merret me kickbox dhe me box profesionist. Edison Shehaj ka ëndërr të arrijë majat e këtij sporti dhe po punon fortë në këtë drejtim e këtë gjë e tregon edhe në këtë intervistë për InfraRed të gazetës KOHA
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: U bënë disa vite që merresh me këtë sport, na thuaj kush të motivon dhe cilat janë pritshmëritë?
Personi që ka besuar tek unë që prej ditës së parë që i jam futur këtij sporti i cili ka punuar me mua dhe ka qenë aty në secilin hap në fitore dhe në humbje dhe më motivon në secilën sfidë është trajneri im, të cilit i jam mirënjohës për punën dhe mbështetjen e tij të pakushtëzuar.
KOHA: E ke pasur problem fillimin, baticat zbaticat, përkrahja nga dikush?
Secila rrugë ka vështirësitë e veta si në fillim ashtu edhe në vazhdimësi. Gjithmonë përballesh me sfida të reja, probleme të reja, njerëz të rinj, të cilët jo vetëm që nuk të mbështesin por përpiqen të të pengojnë që të ecësh më tej. Asgjë prej tyre nuk më ka ndaluar dot deri më tani dhe asgjë s’ka për të më ndaluar të arrijë synimet e mia, kjo edhe falë përkrahjes së disa njerëzve të cilët i falënderoj përzemërsisht.
KOHA: Po ndonjë idhull që mendon se ndjek hapat e tij në botë a e ke?
I ndjek të gjithë ata që mendoj se janë më të mirët e kësaj fushe. Përpiqem të mësoj dhe të marr më të mirat prej tyre për t’i përdorur për ecurinë time.
KOHA: Kush mendon sipas teje po ngjitet fuqishëm në sportin që ti kultivon?
Që prej ditës së parë që kam shkelur në ring kam punuar me të gjitha forcat e mia që të eci përpara dhe të arrijë në majat e këtij sporti. Askush në Shqipëri nuk ka arritur këtu ku unë jam sot dhe sigurisht që do vazhdoj të punoj maksimalisht që shumë shpejtë emrin tim ta njoh e gjithë bota.
KOHA: Cilat janë planet që ke planifikuar këtë vit?
Një nga qëllimet kryesore është që të mbroj titullin “WKU World Champion” për herë të tretë radhazi në kickbox. Gjithashtu në fillim të këtij viti bëra dhe një debutim në boksin profesionit, kështu që do të përpiqem të rrëmbej edhe fitore të tjera në këtë sport.
KOHA: Po çfarë mendon të arrish në karrierë, cilat janë synimet?
Kam punuar dhe do punoj akoma më shumë për të arritur në majat e kickbox-it. Të ndeshem në arenat më të mëdha të këtij sporti është synimi im dhe mendoj se jam në rrugën e duhur. Puna dhe disiplina janë elementet thelbësorë të suksesit dhe ato janë armët e mia më të forta.
KOHA: Sa ndeshje ke pasur deri më tani, në sa ke dalë fitues e sa humbës?
Aktualisht në kickbox kam 18:3:2 pra 22 ndeshje, ndër to 18 fitore 3 humbje dhe 2 barazime. Ndërsa në boks 1:0:0. Jam krenar për arritjet e deritanishme pasi është fakt që jam ndeshur me sportistë mjaft të fortë, disa prej tyre emra shumë të rëndësishëm në këtë sport si William Diender; Hasan Toy; Milan Pales etj, eksperienca të cilat më kanë rritur shumë profesionalisht.
KOHA: A mendon se humbja ndonjëherë të kthen prapa apo të bën më të fortë?
Humbja për mua është një mësim i mirë. Në rast humbjeje ngrihem akoma edhe më i fortë. Studioj gabimet në mënyrë që t’i përmirësoj dhe t’i kthej në armë shtesë për sfidën e radhës. Nuk do të isha këtu ku jam sot nëse humbja do të më kthente pas.