Shkup, 20 qershor – Në Qendrën Informative Kulturore, të martën u realizua edicioni i tretë i takimit letrar “Shkupi lexon”. Në këtë manifestim u përkujtua vepra e heroit kombëtar Skënderbeu, në kuadër të vitit 2018 që u shpall si Vit i Skënderbeut, shkruan gazeta KOHA. Për këtë figurë të madhe të historisë sonë, profesori i letërsisë, Salajdin Salihu, tha se Skënderbeu nuk është vetëm fenomen historik, por edhe fenomen letrar.
Prandaj, sipas Salihut, figurën e Skënderbeut kanë dashur shumë popuj ta përvetësojnë si një hero me të gjitha virtytet që do të donte ta kishte gjithkush, por duhet ta duan ata që e kanë, duhet ta duan shqiptarët e këtyre viseve – aty ku ndodhi historia. Saliu nënvizoi se Skënderbeu ka shënuar dy suksese të mëdha në Shkup – një në planin luftarak dhe një në planin diplomatik.
Në këtë takim letrar u kujtuan edhe veprimtarët Faik Mustafa dhe Ramadan Sinani, për të cilët mbajti fjalim poeti Bardhyl Zaimi dhe tha se janë dy emra që vepruan dhe janë bartës të atdhedashurisë.
“Dy krijues me profile të ndryshme letrare, por me një synim për çështjen shqiptare”, tha Zaimi.
Epitafe nga veprat e poetit Faik Mustafa i recitoi aktori Mumin Abdullahu, ndërsa aktorja Gentjana Ramadani lexoi vargjet e poetit Ramadan Sinani. Më pas u lexuan poezi nga pjesëmarrësit e këtij manifestimi si Erkan Xhaferi, Arta Selmani, Fatjona Abdullahu, Sefer Selimi, Hashim Baftuiari, Riza Zyberi, Kaltrina Sadiku, Sami Sherifi, Valdeta Dulahu, Sadije Aliti, Agron Shaqiri, Fadil Curri, Daim Miftari, Fatos Rushiti, Arlind Farizi, Lira Bojku, Zejnepe Alili Rexhepi, Ejup Ajdini, Xhemazije Rizvani, Vigan Halimi, Vjollcë Berisha, Lindita Ahmeti, Ahmet Selmani, Dijana Toska, Rrahim Ganiu, Lulëzim Haziri, Kreshnik Sopaj,etj. Ky manifestim për të tretën herë mbështet nga QIK në organizim të poetes Lindita Ahmeti. (D.K)