MBAHET EDICIONI I NËNTË “TREKËNDËSHIT POETIK I PAQËS”
Për herë të nëntë, në Grykën e Karadakut, në hapësirërat që përkufizojnë trekufirëshin Kosovë – Serbi – Maqedoni e Veriut,të shtunën më 15 qershor, u mbajt Manifestimi rajonal i poezisë “Trekëndëshi poetik i paqes”, organizuar nga Asociacioni alternativ i shkrimtarëve të Kosovës, Ars Clubi “Beqir Musliu”, me seli në Gjilan.
Në ambientet e shkollës së mesme të ulët, “Bajram Curri” të Shurdhanit, si qendër e lokalitetit të kësaj pjese të Grykës së Karadakut, poetë nga ky trekëndësh kufitar por edhe nga mbarë hapësira shqiptare, u mblodhën për ta shënuar Ditën e lirisë për Kosovën, 12 Qershorin, që këtë vit bëhen rrafsh 20 pranvera me liri për të gjthë ata që jetojnë brenda kufijve të saj, kufij tashmë të njohur ndërkombëtarisht nga shtetet më të fuqishme të botës.
“Si përkushtim për gjithë ato sakrifica, martirizime e flijime nëpër luftëra të parreshtura,,ky Manifestim, nga edicioni i saj i parë e këndej, përmes vargjesh, ka përçuar mesazhe paqeje e afrie midis popujve të kësaj pjese të Ballkanit.
Me vite, këtë Manifestim e kemi nisur në pikën kufitare, që tash do t’i bashkojë ata të cilët natyra nuk i ndau kurrë, mes fshatrave Stanqiç e Bellanoc, si një presion artistik për hapjen e një vendkalimi kufitar, me moton,” aty ku kalojnë e s’ndalen zogjtë, të kalojnë edhe vargjet e njerëzit”.
Pas Marrëveshjes së arritur mes dy shteteve, ratifikimit të saj dhe procedurave që tash janë në mbarim e sipër për funksionalizimin e këtij vendkalimi kufitar, Manifestimi “Trekëndëshi poetik..” po mbahet në objektin e ri të shkollës së mesme të ulët “Bajram Curri” të Shurdhanit, anise e kishim mbajtur me vite në Kishën e Shën Anës, në Dunav dhe në restaurantin DUNAVI , po në Dunav.
Ne, megjithatë, nuk heqim dorë për t’u kthyer atje ku e mbajtëm me vite, duke pritur dhe duke kërkuar nga Komuna jonë që, ta asfaltojë rrugën dy kilometërshe e gjysmë dhe t’ua bëj të mundur poetëve të kësaj pjese të Ballkanit ta realizojnë Manifestimin dhe të lexojnë vargje në një vend mbi njëmijë metra lartësi mbidetare, aty ku për decenie e decenie, përmes një Shtëpie të Zotit, motrat e nderit, në krye me gjermanen, Otilia Kramer, shërbyen në një mision bamirës dhe u përkujdesën për popullatën tonë, me barna si dhe veshmbathje e ushqime.
Shpresojmë se në Edicionin e dhjetë, do jemi bashkë atje ku kemi jetuar den baba den, nëpër shekuj . Dhe, nga andej, duke e pasuruar “Trekëndëshin poetik…” edhe me zëra e vargje të popujve tjerë, ta shtrijmë e fuqizojmë paqen në këto hapësira, duke e dëbuar luftën përmes vargjeve….”, tha në fjalën e tij hyrëse, shkrimtari Sabit Rrustemmi që është edhe kryetar i Ars Klub ‘Beqir Musliu’ dhe njëherësh ideator e nismëtar i këtij manifestimi rajonal.
Ngjarje kryesore e këtij manifestimi, si çdo vjet, edhe sivjet, ishte ndarja e Çmimit letrar ‘Beqir Musliu’, i cili sivjet iu nda shkrimtares dhe arkeologes Edi Shukriu.
Fituesi është përzgjedhur nga juria e konkursit letrar “Beqir Musliu”, në përbërje Ibrahim Kadriu (kryetar), Sadete Tërnava Osmani dhe Hasan Bunjaku.
Para se fituesja e çmimit, Edi Shukriu, ta thotë fjalën e saj, është dhënë arsyetimi për vendimin e Jurisë nga shkrimtari, Ibrahim Kadriu, sipas të cilit “kur merret parasyshë krijimtaria e Edi Shukriut në fushën e letërsisë dhe arkeologjisë, mund të them se ishte arkeologe dhe shkrimtare e parë shqiptare në Kosovë, e cila e botoi përmbledhjen e parë poetike në vitin 1972. Ishte dhe mbeti e dalluar edhe si veprimtare në realitetin kosovar. Në fushën e letërsisë, Edi Shukriu ka arritur suksese si poete, dramaturge dhe romansiere. Vendimi dhe bindja jonë është se “veprat e saj shquhen me origjinalitet të shprehjes poetike, të cilat bindin se kjo poete i përkushtohet krijimtarisë vetëm kur e ndien atë si shpërthim shpirtëror”, tha shkrimtari Ibrahim Kadriu, derisa për portretin letrar të Edi Shukriut, foli Anton Nikë Berisha.
Fituesja Edi Shukriu tha se ndihet e nderuar shumë, aq më tepër që shpërblimi mban emrin e shkrimtarit të saj të preferuar Beqir Musliu. Ajo tha se Gjilani ka bërë shumë për kulturën, që sipas saj, është qendër e kulturës, ka qenë edhe qendër e Dardanisë, andaj ndihet e nderuar.
“Për mua ky shpërblim është një ndriçim, prandaj porosia ime do të ishte që nëse edhe iu duket diçka errësirë, mos harroni gjithmonë ekziston një dritë që iu nxit të ecni përpara. Ky shpërblim është për mua një dritë që të mos të ndalem. Mos u ndalni as ju”, ka përfunduar Shukriu.
Kurse kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri në fjalën e tij përshëndetëse ka vlerësuar laureaten e çmimit “Beqir Musliu“, znj. Edi Shukriu, si një fituese meritore e çmimit “Beqir Musliu”, këtij çmimi me një emër që ka qenë ndër të parët që i ka dhënë kulturës dimension të veçantë. Haziri tha se zonja Edi Shukriu, profesoreshë dhe autoritetet i lartë, na bënë nder që si laureate e këtij çmimi të rëndësishëm, do të vendoset emri i saj në murin e “Beqir Musliut” në Gjilan.
Kreu i komunës ka shtuar tutje se Gjilani e Karadaku, ka dëshmuar përherë që njerëzit e vendit, të atdheut, e të Zotit, i do njëjtë kudo që ata jetojnë. Ai i mori disa shembuj të këtij nderimi, duke shtuar se i respektojnë deri në gjunjëzim të gjithë ata që kanë dhënë kontribut.
“Karadaku dhe kjo pjesë e Kosovës i nderon kotributdhënësit, mbi të gjitha, sepse kjo neve na bënë nder, dhe ky çmim na ka nderuar me emrin tënd, shpallur nga juria si laureta dhe ne të falënderojmë për punën e madhe që ke bërë”, i ka thënë Haziri, laureatës Edi Shukriut.
Përndryshe, Haziri në fjalën e tij ka falënderuar edhe Ars Club-in për begatimin me aktivitete të ditës së çlirimit të qytetit, i cili, si sot, para 20 viteve, e rikthej shpresën dhe besimin në realizimin e ëndrrës për liri, për të qenë i lirë dhe i pavarur.
“Njëzet vite kanë kaluar shpejtë, por fakt është që përmes kësaj Gryke legjioni i parë francez ka hyrë dhe e ka marrë nën kontroll qytetin, për të ardhur 12 orë më vonë marina amerikane dhe për ta pushtuar, në thonjëza, okupimin e serbëve dhe për ta përfunduar brenda një ore procesin e largimit të forcave ushtarake policore, paralamilitare, sipas marrëveshjes”.
Haziri kujtoj se si me 15 qershor, pra po atë ditë, kanë defiluar edhe ushtarët e Brigadës së Zonës Operative të Karadakut në qytetin e Gjilanit, për t’iu rikthyer popullit të vet dhe qytetarëve që kishin mbet në Gjilan. Haziri foli për kontributin e të gjithëve edhe më herët, duke thënë se ata politikën dhe kulturën nuk e kanë ndarë nga rezistenca. Njëra prej institucioneve të para që është themeluar në Gjilan, përveç strukturave ushtarake dhe të tjerave që është dashtë me ndihmua rezistencën ka qenë edhe kultura, Këshilli Komunal për Kulturë, Rini e Sport, që ishte kumbarë dhe themelues i të gjitha aktiviteteve kulturore që ne sot e 30 vite i ruajmë për zemër dhe po i ruajmë në kalendarin tonë kulturor sepse na kanë ndihmua me mbijetua, e sot me rrjedhë fjalë të mira, fjalë të shkruara, që neve na bëjnë një nderë, tha Haziri.
Ai duke uruar për ditë të çlirimit, ka kërkuar që ta gëzojmë jo vetëm 15 qershorin, si ditë të çlirimit të Gjilanit, por duhet të gëzojmë çdo ditë të vitit si ditë të çlirimit, e të falënderohemi që emi gjallë.
“Në fund të kësaj vere, pas nëntë edicioneve të “Trekëndëshit poetik”, si presion, dhe pas 15 viteve punë si institucion hapet vendkalimi kufitar Stanqiç e Bellanoc apo Kosovë – Maqedoni e Veriut, për ta lënë prapë një krah të trekëndëshet hapur . Do të donin edhe vendkalimin Miratoc – Llojan dhe po punohet të bëhet realitet”, ka thënë tutje Haziri.
Kjo zonë, shtoi ai, përveç që do të çlirohet në komunikim do të ketë mundësinë edhe të zhvillimit të aktiviteteve, në veçanti në fokus e kemi vendosur bujqësinë, turizmin malor dhe zhvillimin lokal ekonomik dhe mundësia po vije për Karadakun e Gjilanit dhe Karadakun e Shkupit.
Manifestimi ka vazhduar tutje me ecurinë e saj duke përfshirë edhe “kohën e poezisë”, ku janë preznatuar njëzet poetë si simbolikë për njëzetvjetorin e lirisë së Kosovës. Me vargjet e tyre u paraqitën: Kaltrina Berisha, Mehmetali Rexhepi, Selvete Abdullahu e Nijazi Ramadani, që të gjithë nga Gjilani, pastaj, Bilall Maliqi, Havushe Kasumi – Ahmeti, Nehar Ramizi e Jalldëze Kasumi nga Kosova Lindore, kurse prej Kumanovës, kësaj here lexuan: Sevdail Demiri, Nehas Sopaj, Synaj Raimi, Bejtush Mehmeti e Selajdin Shabani, Po dhe poetët: Liza Pllana Maloku, Hajdin Morina. Blerina Tërbunja, Ramë Oraça, Demush Mehmeti e Fehmi Ajvazi.
Organizatori i këtij Manifestimi, Ars Clubi “Beqir Musliu”, pas ceremonisë së dhënies së Çmimit letrar, “Beqir Musliu”, zonjës Edi Shukriu, nderoi me Mirënjohje edhe aktorin e teatrit të Gjilanit, z. Ramadan kurti, i cili para pak ditësh u pensionua por, që për dekada të tëra,, nëpër skena të ndryshme brenda e jashtë Gjilanit, ishte dhe në shërbim të afirmimit të fjalës artistike.
Krijuesve të pranishëm, si dhe artdashësve, nga ana e Organizatorit, iu dhurua revista e sapobotuar e Manifestimit “Trekëndëshi poetik i paqes”, edicioni i nëntë si dhe numri i 25-të i revistës AGMIA. Manifestimitn si dhe herave tjera, pjesërisht e mbështeti MKRS-ja – përkatësisht Departamenti i Kulturës si dhe Kampioni i peshave të rënda në boks, versioni WBF, Erzen Rrustemi. (Koha.mk)