Tetovë, 29 korrik – Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në selinë e partisë në Tetovë ka realizuar takim pune me Ambasadorin e Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Fatos Reka. Ambasadori Reka ka përcjellë uratat e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, drejtuar Ahmetit për fitoren e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 15 korrikut, transmeton koha.mk.
Ahmeti ka shprehur konsideratën e tij për Kryeministrin Rama dhe ka falënderuar Ambasadorin Reka për korrektësinë e institucioneve të Shqipërisë dhe të subjekteve shqiptare. Bashkëbiseduesit e vlerësuan procesin zgjedhor si shembullor dhe tërësisht të rregullt, siç i ka hije një vendi anëtar të NATO-s dhe në negociata për anëtarësim me Bashkimin Evropian.
Ahmeti ka njoftuar Ambasadorin Reka për ecurinë e zhvillimeve paszgjedhore me ç’rast theksoi nevojën për konsolidim të shpejtë të institucioneve të dala nga zgjedhjet dhe respektimin e votës dhe vullnetit të qytetarëve.
Ahmeti gjithashtu ka thënë që nuk ka kthim pas nga vijat e kuqe, Marrëveshjet e Ohrit, Prespës dhe e fqinjësisë së mirë por edhe zotimet tona zgjedhore. Z. Ahmeti falënderoi autoritetet shqiptare për mbështetjen e dhënë dhe partneritetin rajonal. (koha.mk)