Edi Rama merr dhe e jep ministrinë e jashtme!

Atë që donte e mori, duke mos hyrë nga dera normale dhe në këmbë, por u ul në karriken e ministrit të jashtëm pasi u fut skiç nga dritarja e Edi Ramës. Pra nga sot Gent Cakaj do të jetë ministri de facto i jashtëm i Shqipërisë. 28 vjeçari Cakaj foli gjatë ceremonisë zyrtare në ministri, ku natyrisht kishte ardhur kryeministri dhe ministri de jure, Edi Rama.

Kryeministri Edi Rama, gjatë ceremonisë së marrjes së detyrës si ministër i Jashtëm, ka treguar se nuk do të jetë ai që do ta drejtojë këtë institucion, por Gent Cakaj.

“Është fjala më e shkurtër në jetën time. Unë në funksionin tim si ministër i Jashtëm i delegoj zotit Gent Cakaj drejtimin e kësaj ministrie dhe përfaqësimin në institucionet ndërkombëtare”, u shpreh Rama. Fill pas dorëzimit të Autorizimit si Ministër nga Edi Rama, të çelësit të zyrës së drejtimit të diplomacisë shqiptare, e ka marrë fjalën djaloshi 28 vjeçar nga Gjakova e Kosovës, i cili para një viti mori nënshtetsinë e Shqipërisë, përcjellë gazeta KOHA.

Ndër të tjera ai tha se “Ndjehem më i lëhtësuar sepse më është komunikuar detyra e lartë. Me kompetenca të deleguara nga Edi Rama, nën vëzhgimin e tij është një status i garantuar. Mosha e re është burim energjie. Pavarësisht sfidave të mëdha Shqipëria qëndron në kuotën më të lartë të përfaqësimit diplomatik. Shqipëria qëndron më afër se kurrë për hapjen e negociatave. Jemi në fazën e pakthyeshme për të kurorëzuar kryesimin e OSB-së për vitin që vjen. Nuk di si ta falenderoj Ramën për besimin që më ka dhënë. Do të vazhdojmë me energji të reja dhe qasje proaktive. Do të mbetemi forcë e paqes dhe stabilitetit. Bartëse e ideve të zhvillimit në mes të mjeteve të dialogut dhe bashkëpunimit me fqinjët. Duam të rrisim komunikimin me faktorin shqiptar, do të jemi sa më afër tyre. Rruga e Shqipërisë për në familjen europiane kalon në procesin e konsolidimit në rajon. Shqipëria duhet të jetë e angazhuar për të realizuar këtë synim”- pohoi djaloshi kosovar që nga sot mori drejtimin e diplomacisë shqiptare.

Në sallën e marrjes së çelësit të zyrës nga kryeministri, ishin ambasadorët e Shqipërisë nëpër botë, ishin ambasadorët e botës në Shqipëri si dhe të ftuar që kuptojnë shumë nga diplomacia. Gjithë ata ambasadorë shqiptarë, të thinjur apo kërrusur nga vitet në diplomaci dhe që e dijnë se diplomacia është art shumë i vështirë, sidomos për një shtet shumë të vogël, shikonin të habitur se si mundet një djalosh kosove, pa eksperiencë, të jap mend morisë së sallës të mbushur me diplomatë. Por fuqia e kryeministrit dhe vendosmëria e tij për ta patur djaloshin-ministër de facto i ka lenë pa gojë edhe në PS, ku ka shumë diplomatë apo personalitete të spikatura.

Merret me mend se ç’kanë menduar në sallë ambasadorët e Shqipërisë jashtë shtetit si Roland Bimo, Artur Kuko, Selim Belortaja, Qemal Minxhozi, Anila Bitri, Bardhyl Canaj, Qirjako Qirko, Ilir Bocka, Virgjil Kule, Floreta Faber, Besiana Kadare, Ilir Gjoni, Ferit Hoxha, etj etj.

Presidenti Meta nuk pranoi ta dekretoj Gent Cakaj.

Megjithatë kryeministri e arriti atë që kishte në kokë. Tani trupi i Kosovës do sharrohet edhe me “sharrën” e Shqipërisë!

Pritet që në takime ndërkombëtare, kur të shkojë në emër të Shqipërisë si ministër, ministrat e botës të turren vetëm që të bëjnë foto me Genc Cakaj, si një djalosh i ri e ku qimet e mjekrës sapo i kanë dalë. Dhe kur të kthehen në zyrat e tyre në shtetet që përfaqësojnë, do të thonë me shaka se “takuam edhe një student që ka marrë çelesat e kryeministrit si ministër!”.

Ditmir Bushati iku, padrejtësisht mund të thuhet, por la emër të mirë në historinë e diplomacisë së Shqipërisë.(koha.mk)