Partia e Nismës Civile në Rusi zyrtarisht e ka nonimuar gazetaren dhe personalitetin televiziv, Ksenia Sobchak, për kandidate në zgjedhjet presidenciale, që mbahen vitin e ardhshëm, e në të cilat gjerësisht pritet fitore e presidentit aktual, Vladimir Putin, edhe për një mandat tjetër gjashtëvjeçar. Ky vendim i sotëm i kongresit të kësaj partie, u bë pas deklaratës së gazetares Sobchak, që është e bija e Anatoly Sobchakut, prefekt reformist i qytetit Shën Petersburg në fillim të viteve të 90-ta, dhe mentor i zotit Putin, se ajo synon të nominohet për të qenë kandidate në zgjedhjet presidenciale, që mbahen m 18 mars të vitit të ardhshëm. Sobchak, 36 vjeçare, që ndonjëherë cilësohet si Paris Hilton e Rusisë, për paraqitjet e saj në emisionet reale televizive, që janë konsideruar si tejet kundërthënëse, është shprehur se dëshiron që sistemin politik të vendit të saj ta bëjë më të hapur dhe demokratik. Ajo i kishte zemëruar disa mbështetës të Kremlinit duke thënë se Krimeja është juridikisht pjesë e Ukrainës, megjithqë është aneksuar nga Rusia.